1
Tani lidhur me çka më keni shkruar.
Është mirë për njeriun të mos e prekë gruan.
2 Megjithatë, për arsye të rrezikut të fëlligështisë, secili le ta ketë gruan e vet dhe çdo grua le ta ketë burrin e vet.
3
Burri le ta kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.
4 Gruaja nuk është pronarja e trupit të vet, por burri. Gjithashtu as burri nuk është pronari i trupit të vet, por gruaja.
5 Mos ia mohoni njëri‑tjetrit detyrën martesore, përveç me marrëveshje e përkohësisht që t’i kushtoheni lutjes e bashkohuni përsëri që djalli të mos ketë rast t’ju tundojë për shkak të papërmbajtjes suaj.
6 Këtë gjë jua them si lejim e jo si urdhër.
7
Kisha dashur që të gjithë njerëzit të ishin si unë; porse, secili e ka prej Hyjit dhuratën e vet të veçantë ‑ njëri kështu e tjetri ashtu.
8 Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë për ta nëse qëndrojnë si unë.
9 Por, nëse nuk janë të zotët të përmbahen, le të martohen ‑ sepse më mirë është të martohen se të digjen.
10 Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet prej burrit
11 ‑ por, po ndodhi që të ndahet, të mos martohet më ose të pajtohet me burrin ‑ e burri të mos e lërë gruan.
12 Të tjerëve u them unë, e jo Zoti: në qoftë se ndonjë vëlla e ka gruan të pafe dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë.
13 Po ashtu edhe gruaja që e ka burrin të pafe dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin.
14 Sepse burri i pafe shenjtërohet prej gruas dhe gruaja e pafe shenjtërohet prej burrit të krishterë. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin të papastër, kurse kështu ‑ janë shenjtër.
15 Po qe se pala jo e krishterë do të ndahet, le të ndahet; i krishteri dhe e krishtera në raste të tilla nuk janë të lidhur: sepse Hyji na thirri në paqe.
16 Vërtet, çka di ti, o grua, se do ta shëlbosh burrin? E nga e di ti, o burrë, se do ta shëlbosh gruan?
Gjendja e jetës si ta ketë caktuar Zoti
17 Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu si ia ka dhënë Zoti, ashtu si ka qenë kur Hyji e thirri. Kështu caktoj në të gjitha kishat.
18 A u thirr ndokush si i rrethprerë? Mos të mundohet ta ndreqë rrethprerjen! Një tjetër ishte i parrethprerë? Mos të rrethpritet!
19 Nuk është asgjë rrethprerja dhe nuk është asgjë parrethprerja ‑ vlen vetëm zbatimi i urdhërimeve të Hyjit.
20 Secili le të rrijë në atë gjendje në të cilën ishte kur u thirr.
21 Ishe ti skllav kur u ktheve në fe? Mos u prish, por, edhe nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë përfito prej gjendjes sate.
22 Sepse, ai që u thirr si skllav, është i liruari i Zotit. Po ashtu edhe ai që u thirr si i lirë, është skllav i Krishtit.
23 Krishti e ka paguar shpërblimin tuaj: mos u bëni skllevër të njerëzve!
24 Secili, o vëllezër, le të qëndrojë në Hyjin në atë gjendje, në të cilën ishte kur u kthye në fe.
Virgjëria dhe vejëria
25 Lidhur me virgjërat nuk kam farë urdhri prej Zotit, por jap këshillë si një njeri që, në saje të mëshirës së Zotit, meriton t’i besohet.
26 Pra, mendimi im është se kjo gjendje është e mirë ‑ për shkak të ngushticës së tanishme, mendoj se është mirë për njeriun që të qëndrojë ashtu.
27 Je i lidhur me grua? Mos kërko ndarje! Je i lirë nga gruaja? Mos kërko grua!
28 Po edhe nëse martohesh, nuk bën mëkat. Po edhe virgjëra, nëse martohet, nuk bën mëkat, por të tillët do të kenë vuajtje në trup, e unë dëshiroj t’ju kursej.
29 Ja, ç’dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Që tani edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin,
30 ata që qajnë, sikurse të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të vetën;
31 ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
32 E dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit.
33 Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, si t’i pëlqejë gruas
34 dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit: si t’i pëlqejë burrit.
35 Këto po jua them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrën më të përshtatshme ‑ krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit.
36 Në qoftë se ndokush e sheh veten se nuk mund të qëndrojë i ndershëm kundrejt së fejuarës së vet, e ajo e ka arritur pjekurinë, dhe i duhet të jetë me të, le të bëjë çka ka menduar, nuk mëkaton: le të martohen.
37 Por ai që ka marrë në zemër të vet vendim të qëndrueshëm e nuk ka nevojë dhe zotëron me vullnetin e vet e në zemrën e vet e merr vendimin të ketë nderim kundrejt të fejuarës së vet, bën mirë.
38 Kështu, pra, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë ‑ ai që nuk martohet, bën edhe më mirë.
39 Gruaja është e lidhur derisa ta ketë burrin gjallë, po i vdiq burri, është e lirë: le të martohet me kë të dëshirojë ‑ veçse me të krishterë.
40 Do të ishte veç, më e lumtur ‑ ky është mendimi im ‑ nëse do të qëndronte ashtu si është. Mendoj se edhe unë e kam Shpirtin e Hyjit.