< 1Kor 7 1Kor 9 >
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve(1Kor 8)
8

1 Lidhur me mishrat e flijuara idhujve

dihet se të gjithë e kemi njohurinë e duhur. Por dija rrit mendjen, kurse dashuria ndërton.

2 Nëse ndokush mendon se di diçka, nuk di ende ashtu si duhet të dijë.

3 Por, nëse ndokush e do Hyjin, atë Hyji e pranon për të vetin.

4 Prandaj, lidhur me ngrënien e mishrave të flijuara idhujve, e dimë: idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka hyjni përveç një Hyji të vetëm.

5 Sepse, edhe pse ka të ashtuquajtura hyjni në qiell ose në tokë ‑ siç ka shumë “hyjni” e shumë “zotërinj” ‑

6 për ne s’ka veç një Hyj, Atin, prej të cilit është krijuar gjithçka e të cilit ne i përkasim; dhe një Zot të vetëm Jezu Krishtin, nëpër të cilin është gjithçka e ne jemi nëpër të.

7 Por këtë dije të mjaftueshme nuk e kanë të gjithë. Disa, duke kujtuar se është diçka idhulli, e hanë mishin sikurse t’i përkiste idhullit, e ndërgjegjja e tyre, ngaqë është e ligshtë, përlyhet.

8 E gjella, pra, nuk na shpie te Hyji, as, nëse nuk e hamë, nuk humbim gjë, as, nëse e hamë, nuk fitojmë gjë.

9 Por, t’ia vini mendjen që kjo, liria juaj, të mos jetë skandal për të ligshtët.

10 Sepse, po të shikoi ndokush ty që ke njohuri ndenjur në tryezë në shenjtërore të idhullit, a thua ndërgjegjja e tij, ngaqë ende e ligshtë, nuk do të nxitet të mendojë se është mirë të hajë flijime të idhullit?

11 Kështu në saje të dijes sate, sharron i ligshti ‑ vëllai ... për të cilin vdiq Krishti.

12 Në këtë mënyrë, pra, duke mëkatuar kundër vëllezërve e duke plagosur ndërgjegjen e tyre të ligshtë, mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, nëse një ushqim e shkandullon vëllain tim, jo, unë nuk do të ha mish kurrë e për këtë jetë, që të mos e shkandulloj vëllain tim.



Fjala e Zotit