1 Edhe këta erdhën te Davidi në Siceleg kur ende ikte prej Saulit, birit të Cisit. Ishin trima të fortë dhe luftëtarë të zgjedhur,
2 mjeshtra të harkut dhe me të dy duart mund të qitnin gurë dhe të drejtonin shigjeta.
Prej vëllezërve të Saulit, prej Benjaminajve:
3 Prijësi Ahiezeri dhe Joasi, bijtë e Samasë Gabaanaj, Jazieli e Faleti, bijtë e Azmotit, Baraha e Jehui Anatotaj,
4 Samajasi Gabaonaj, trim i fortë ndër të Tridhjetët dhe në krye të të Tridhjetëve.
5 Jeremia, Jehezieli, Johanani dhe Jozabadi Gaderonaj,
6 Eluzaji, Jerimuthi, Baalia, Samaria e Safatia Harufaj,
7 Elkana, Jesia, Azareeli, Joezeri, Jesbaami nga Karehimi,
8 Joela dhe Zabadia, bijtë e Jerohamit nga Gedori.
9 Po ashtu edhe prej Gadit kaluan në anë të Davidit, kur po fshihej në shkretëtirë, disa burra të fortë dhe luftëtarë të përmendur që mbanin shqyt e heshtë. Për kah duka ishin si luan e për kah shpejtësia si dhitë e egra të bjeshkëve.
10 Ezeri, prijës, Obdia, i dyti, Eliabi, i treti,
11 Masmana i katërti, Jeremia, i pesti,
12 Etthiu, i gjashti, Elieli, i shtati,
13 Johanani, i teti, Elzebadi, i nënti,
14 Jeremia, i dhjeti, Makbanaji, i njëmbëdhjeti.
15 Këta ishin prej bijve të Gadit, prijës ushtarakë: më i vogli ngadhënjente mbi njëqind e më i madhi mbi një mijë.
16 Këta janë ata që e kaluan Jordanin në muajin e parë, kur e kishte zakon të vërshonte mbi brigjet e veta, dhe i dëbuan të gjithë banuesit e luginave në lindje e në perëndim.
17 Erdhën edhe prej djemve të Beniaminit e të Judës në qytezën ku qëndronte Davidi.
18 Davidi u doli përpara dhe u tha: “Nëse vini tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me ju; por, nëse vini për të më tradhtuar e për të më vënë pritë në vend të kundërshtarëve të mi, pasi unë jam i pafajshëm, paftë Hyji i etërve tanë e gjykoftë”!
19 Atëherë Shpirti i frymëzoi Amasajin prijësin ndër të Tridhjetëve, e tha:
“Të tutë jemi, o David,
e me ty, o biri i Isait!
Paqja, paqja me ty
e paqja me ndihmësit e tu:
sepse ty të ndihmon Hyji yt”!
20 Në anën e Davidit kaluan edhe disa prej fisit të Manaseut, kur Davidi po shkonte në luftë kundër Saulit me filistenj, por nuk luftoi bashkë me ta, sepse e kthyen prijësit e filistenjve pasi u këshilluan, me këto fjalë: “Në dëm të kokës sonë ky do të kthehet te zotëria i tij Sauli”.
21 Kështu, kur u kthye në Siceleg, prej Manaseut tek ai kaluan: Ednasi, Jozabadi, Jediheli, Mikaeli, Jozabadi, Eliu e Salatiu që ishin prijës të mijërave të Manaseut.
22 Këta iu bënë ndihmë Davidit kundër cubave. Njëmend të gjithë ishin burra të fortë dhe u bënë prijës në ushtri.
23 Por edhe dita‑ditës vinin tek Davidi për t’i ndihmuar derisa u bë në numër aq i madh gadi si ushtria e Hyjit.
24 Ky është numri i prijësve të ushtrisë që erdhën te Davidi kur ishte në Hebron për t’ia kaluar atij mbretërinë e Saulit sipas urdhrit të Zotit:
25 Prej bijve të Judës që mbanin shqyt e heshtë: gjashtë mijë e tetëqind të armatosur për luftë.
26 Prej bijve të Simonit, shtatë mijë e njëqind burra të fortë për luftë.
27 Prej bijve të Levit katër mijë e gjashtëqind;
28 po kështu edhe prijësi Jojada, prej barkut të Aronit, e bashkë me të tri mijë e shtatëqind vetë.
29 Gjithashtu edhe prijësi i ri Sadoku trim i trimave dhe familja e tij, njëzet e dy prijës.
30 Prej fisit të Beniaminit, vëllezërve të Saulit, tri mijë; shumica e të cilëve deri atëherë kishte qenë në shërbim të shtëpisë së Saulit.
31 Kurse prej bijve të Efraimit njëzet mijë e tetëqind, trima të fortë, njerëz të zgjedhur të familjes së tyre.
32 Prej gjysmës së fisit të Manaseut, tetëmbëdhjetë mijë, të caktuar me emër, për ta shpallur mbret Davidin.
33 Po ashtu edhe prej bijve të Isaharit, njerëz të ditur, që ishin të aftë për ta njohur kohën e për të mësuar se çfarë duhej të bënte Izraeli; dyqind prijës dhe të gjithë vëllezërit e tyre nën urdhrat e atyre.
34 Kurse prej Zabulonit, të aftë për luftë dhe të armatosur me të gjitha armët luftarake, erdhën pesëdhjetë mijë, për t’u bashkuar në ndihmë jo me zemër me zhibla.
35 Prej Neftaliut një mijë prijës dhe bashkë me ta të armatosur me shqyta e me heshta tridhjetë e shtatë mijë luftëtarë.
36 Prej Danit, të gatshëm për luftë, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind.
37 Kurse prej Aserit dyzet mijë të aftë për luftë e të gatshëm për luftim.
38 Prej Transjordanit njëqind e njëzet mijë vetë, prej Rubenit, prej Gadit e prej gjysmës së fisit të Manaseut, burra të armatosur me çdo lloj armësh lufte.
39 Të gjithë këta burra luftëtarë të aftë për të luftuar, me zemër të çiltër erdhën në Hebron për ta bërë Davidin mbret mbi mbarë Izraelin; por edhe të gjithë izraelitët e tjerë ishin të mendimit që Davidi të bëhej mbret.
40 Qëndruan te Davidi tri ditë. Hëngrën e pinë sepse vëllezërit u kishin përgatitur gjithçka.
41 Por edhe ata, fqinjët e tyre më të afërt, që ishin përreth, prej Isaharit, Zabulonit e Neftaliut, kishin sjellë ushqime në gomarë, deve, mushka dhe qe: miell, bukëfike, rrush të thatë, verë, vaj, bagëti të trasha e të imëta me shumicë, sepse ishte gëzim në Izrael.