< 1Kro 12 1Kro 14 >
Lexim prej librit të parë të Kronikave(1Kro 13)
13

1 Davidi e mbajti një këshillim me mijëtarët, me urdhraqindës dhe me tërë parinë.

2 Dhe i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: “Nëse ju duket edhe juve dhe nëse Zoti, Hyji ynë e vendos ashtu siç po them unë, po u çojmë fjalë vëllezërve tanë të tjerë në mbarë krahinat e Izraelit si dhe priftërinjve dhe levitëve që banojnë në qytete e kullota të tyre, të bashkohen me ne,

3 që ta sjellim Arkën e Hyjit tonë te ne: sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit”.

4 Mbarë populli u përgjigj që të bëhej ashtu: e njëmend mbarë popullit i pëlqeu parashtrimi.

5 Kështu, pra, Davidi e bashkoi mbarë Izraelin prej Sihorit të Egjiptit deri në hyrje të Ematit për ta sjellë Arkën e Hyjit nga Kariatiarimi.

6 Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Baalë, në Kariatiarim, që është në Judë për ta marrë prej andej Arkën e Hyjit, të Zotit që rri mbi kerubinë, ku u thirr emri i tij.

7 E ngarkuan Arkën e Hyjit mbi një qerre të re prej shtëpisë së Abinadabit. Oza e Ahioja e drejtonin qerren.

8 Ndërsa Davidi dhe mbarë Izraeli vallëzonin sa mundnin para Hyjit me këngë, me citara, me cetra, me tupana, me cimbale dhe bori.

9 Kur arritën te lëma e Kidonit, Oza e shtriu dorën e vet për ta mbajtur Arkën, sepse qetë përpak që nuk e kapërdinë.

10 Atëherë Zoti u hidhërua kundër Ozës dhe e goditi pse e preku Arkën dhe vdiq po aty në praninë e Hyjit.

11 Davidit i erdhi keq që Zoti e goditi ashtu Ozën dhe ai vend u quajt Faresoza /d. m. th. Plasja e Ozës/ deri në ditën e sotme.

12 Davidin atëherë e kapi frika e Hyjit dhe tha: “Si do të mundem ta shtie Arkën e Hyjit tek unë”?

13 Dhe për këtë arsye nuk e çoi te vetja, d. m. th. në Qytetin e Davidit, por e ktheu në shtëpinë e Obededomit Geteaj.

14 Kështu, pra, Arka e Hyjit qëndroi në shtëpinë e Obededomit për tre muaj.

Zoti e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka kishte.



Fjala e Zotit