1 Pas kësaj Davidi i goditi filistenjtë, i mposhti dhe prej duarve të filistenjve e mori Getin me pjesët përkatëse të tija,
2 i goditi edhe moabët dhe kështu edhe moabët u bënë skllevër të Davidit dhe i paguanin tatimet.
3 Davidi e mundi edhe Adadezerin, mbretin e Sobës, në Emat, atëherë kur doli ta shtrijë sundimin e vet deri në lumin Eufrat.
4 Kështu Davidi zuri rob një mijë karroca lufte, shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ua preu leqet e këmbëve të gjithë kuajve të karrocave, me përjashtim të njëqind karrocave, të cilat i la për vete.
5 Arriti edhe Siri i Damaskut për t’i sjellë ndihmë Adadezerit, mbretit të Sobës; por edhe këtij Davidi ia goditi njëzet e dy mijë ushtarë
6 kështu Davidi vendosi një garnizon në Siri të Damaskut që edhe Siria t’i shërbente e t’i paguante tatime. Zoti i ndihmonte Davidit në gjithçka ndërmerrte.
7 Davidi i mori si pre lufte armët e arta të oficerëve të Adadezerit dhe i solli në Jerusalem.
8 Gjithashtu mori prej qyteteve të Adadezerit Tebahit e Hunit shumë bronz, me të cilin Salomoni e punoi detin e bronztë, shtyllat dhe enët e bronzta.
9 Kur Toui, mbreti i Ematit, mori vesh se Davidi e kishte mundur mbarë ushtrinë e Adadezerit, mbretit të Sobës,
10 e dërgoi Adoramin, djalin e vet te Davidi për ta përshëndetur e për t’i uruar se kishte luftuar dhe e kishte mundur Adadezerin, sepse Adadezeri kishte qenë armik i Touit.
11 Pastaj mbreti David të gjitha enët e arta, të argjendta e të bronzta ia kushtoi Zotit bashkë me argjendin dhe arin që i kishte rrëmbyer prej të gjithë popujve, si atë prej Idumesë, Moabit, bijve të Amonit si edhe atë prej filistenjve e amalekëve.
12 Abisaji, biri i Sarvisë, e mundi Edomin në Luginën e Kripës: vrau tetëmbëdhjetë mijë vetë
13 dhe e vendosi në Edom një garnizon që Idumeja t’i shërbente Davidit. Ngado që Davidi shkonte. Zoti e qiste fitues.
14 Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin, vepronte me drejtësi dhe ia jepte të drejtat mbarë popullit të vet.
15 Joabi, biri i Sarvisë, ishte në krye të ushtrisë; Jozafati, biri i Ahiludit, ishte këshilltar.
16 Sadoku, biri i Ahitobit, dhe Akimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj e Suza ishte shkruesi.
17 Kurse Banaja, biri i Jojadës, ishte në krye të keretëve e të peletëve. Bijtë e Davidit, të parët afër mbretit.