1 Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin ta numërojë Izraelin.
2 Dhe Davidi i tha Joabit e prijësve të Izraelit: “Dilni e regjistrojeni Izraelin prej Bersabesë e deri në Dan dhe ma sillni numrin që ta di”.
3 Joabi iu përgjigj: “Zoti e shtoftë popullin e vet edhe njëqindfish më shumë se ç’është! Vallë, o Imzot mbret, a nuk janë të gjithë shërbëtorët e tu? Pse po e kërkon këtë gjë Zotëria im që t’i numërohet si mëkat Izraelit?”.
4 Por fjala e mbretit ishte më e fortë se e Joabit. Doli pra, Joabi dhe e qarkulloi mbarë Izraelin dhe u kthye në Jerusalem.
5 Joabi ia dha Davidit numrin e regjistrimit dhe doli numri i gjithmbarshëm i Izraelit një milion e njëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës dolën katërqind e shtatëdhjetë mijë vetë të aftë për shpatë.
6 Joabit nuk i pëlqeu urdhëri i mbretit këndej edhe nuk e regjistroi fisin e Levit as të Beniaminit.
7 Ky urdhër nuk i pëlqeu Hyjit, prandaj edhe e goditi Izraelin.
8 Atëherë Davidi i tha Hyjit: “Mëkatova shumë që e bëra këtë gjë. Të lutem, shlyeja fajin shërbëtorit tënd, sepse veprova tepër marrëzisht”.
9 Zoti i tha Gadit, vëguesit të Davidit:
10 “Shko, fol me Davidin e thuaj: Kështu thotë Zoti: Tri gjëra i vë para teje: zgjidhe njërën, cilën të duash. Do të bëj atë që ta zgjedhësh”.
11 Gadi erdhi te Davidi e i tha: “Kështu thotë Zoti: Zgjidh çfarë të duash:
12 ose tri vjet urie, ose tre muaj të ikësh para armiqve të tu e të mos mundesh t’u ikësh shpatave të tyre, ose tri ditë shpatën e Zotit e murtaja ta përshkojë vendin dhe engjëlli i Zotit të shfarosë brenda mbarë kufijve të Izraelit. Vendos, pra, tani se çfarë duhet t’i përgjigj Atij që më ka dërguar”.
13 Davidi i pëgjigji Gadit: “Nga çdo anë qenkam ngusht! Por më mirë le të bie në duar të Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, e të mos bie në duar të njerëzve”!
14 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën prej izraelitëve shtatëdhjetë mijë burra.
15 Gjithashtu Zoti e dërgoi engjëllin edhe në Jerusalem për ta goditur edhe atë. Kur filloi ta godasë, e pa Zoti, i erdhi dhimbje për këtë të keqe dhe i urdhëroi engjëllit shfarues: “Mjaft! Ndale dorën tënde”!
Atëherë engjëlli po qëndronte pranë lëmës së Ornan Jebuseut.
16 Davidi i lartësoi sytë dhe e pa engjëllin e Zotit duke qëndruar ndërmjet qiellit e tokës. E kishte nxjerrë shpatën prej millit dhe e kishte drejtuar dorën kundër Jerusalemit. Davidi dhe paria të veshur me grathore ranë me fytyrë përdhe.
17 Atëherë Davidi iu lut Hyjit: “Po a nuk jam unë ai që dha urdhër të regjistrohet populli? Unë jam ai që mëkatova, unë e bëra të keqen: po ç’faj ka kjo grigjë? O Zot, Hyji im, le të sillet dora jote, po të lutem, kundër meje e kundër familjes së tim eti, deh të mos goditet populli yt”!
18 Atëherë engjëlli i Zotit i urdhëroi Gadit t’i thotë Davidit të ngritet e ta ndërtojë një lter në nder të Zotit në lëmën e Ornan Jebuseut.
19 Kështu, pra, Davidi veproi sipas urdhërit të Gadit që ia tha në emër të Zotit.
20 Ornani, kur u soll dhe e pa engjëllin, u fsheh ai dhe katër djemtë e tij sepse: në atë kohë po fshinte grurin në lëmë.
21 Kështu, pra, kur Davidi erdhi tek Ornani, po sa e pa Ornani, u nis e i doli përpara prej lëmës dhe u përkul para tij në nderim me fytyrë përdhe.
22 Davidi i tha: “Ma jep lëmën tënde që ta ndërtoj në të një lter në nder të Zotit. Ma jep për aq argjend sa vlen e të pushojë shuplaka në popull”.
23 Ornani iu përgjigj Davidit: “Merre lirisht e Imzot mbreti të bëjë me të çfarë të dojë. Unë i jap edhe kafshët për fli shkrumbimi dhe shqupitë për dru dhe grurin për fli kushtimore: të gjitha këto i jap falas me gjithë ëndje.”
24 Davidi mbret i tha Ornanit: “Jo, kështu assesi! Por do t’i paguaj me argjend sa të vlejnë. Sepse nuk dua t’ia kushtoj Zotit gjënë tënde, t’ia kushtoj Zotit fli shkrumbimi gjënë e falur”.
25 Davidi i dha Ornanit për atë vend gjashtëqind sikla të artë me peshë të saktë
26 dhe e ndërtoi aty lterin në nder të Zotit, i kushtoi flitë e shkrumbimit, të pajtimit dhe e thirri në ndihmë Zotin.
27 Atëherë Zoti i urdhëroi engjëllit dhe ky e ktheu shpatën në mill.
28 Po në këtë kohë, pasi Davidi pa se Zoti ia kishte dëgjuar lutjen në lëmën e Ornan Jebuseut, Davidi zuri të kushtojë aty fli.
29 Banesa e Zotit, e ndërtuar prej Moisiut në shkretëtirë, si dhe lteri i flive të shkrumbimit aso kohe ishin në kodrinën në Gabaon;
30 por Davidi nuk mundi të shkonte ta këshillonte Zotin atje, sepse e kishte kapluar një frikë e madhe duke e parë shpatën e engjëllit të Zotit.