< 1Mbr 10 1Mbr 12 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 11)
11

1 Mbreti Salomon dashuroi shumë gra të huaja: përveç bijës së faraonit, edhe moabite, amonite, idumease, sidonite dhe hetease;

2 bija popujsh për të cilat u tha Zoti bijve të Izraelit: “Mos hyni tek ato as prej tyre të mos hyjnë te bijat tuaja, sepse s’ka dyshim që do t’i kthejnë zemrat tuaja t’i ndiqni zotat e tyre”. Me të tilla u lidh Salomoni me dashuri.

3 Kishte shtatëqind gra pothuajse mbretëresha e treqind shemra. Gratë ia prishën zemrën.

4 Dhe kur Salomoni u plak, gratë e tija ia prishën zemrën e i ndoqi hyjnitë e huaja dhe zemra e tij nuk i përkiste më plotësisht Zotit, Hyjit të tij, sikurse zemra e Davidit, babait të tij.

5 Salomoni ndiqte Astartën, hyjneshën e sidonëve e Melkomin, idhullin e amonëve.

6 Kështu Salomoni bëri çka nuk i pëlqente Zotit dhe nuk i qe besnik Zotit, sikurse qe Davidi, baba i tij.

7 Atëherë Salomoni i ndërtoi një lartësirë Kamosit, idhullit të moabitëve, në malin që është përballë Jerusalemit, dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit.

8 Kështu bëri edhe për të gjitha gratë e veta të huaja, të cilat u kushtonin kem dhe fli hyjnive të veta.

9 Prandaj edhe Zoti iu hidhërua Salomonit, sepse e largoi mendjen e vet prej Zotit, Hyjit të Izraelit, i cili iu dëftua dy herë

10 dhe i kishte urdhëruar mu këtë: të mos i ndiqte hyjnitë e huaja. Por ai nuk zbatoi çka i kishte urdhëruar Zoti.

11 Kështu që edhe Zoti i tha Salomonit: “Pasi bëre kështu e nuk e mbajte Besëlidhjen time as urdhërimet e mia që t’i dhashë, unë do ta marr prej teje mbretërinë tënde e do t’ia jap një shërbëtori tënd.

12 Megjithatë këtë s’do ta bëj për të gjallë tënd, për dashuri të Davidit, babait tënd; do ta marr prej duarve të djalit tënd.

13 Por as prej tij s’do ta marr tërë mbretërinë, birit tënd do t’i jap vetëm një fis për shkak të shërbëtorit tim Davidit e për shkak të Jerusalemit që e kam zgjedhur”.

14 Por Zoti i ngriti Salomonit një kundër‑ shtar: Adadin idumeas, që ishte nga familja mbretërore e Edomit.

15 Kur i kishte mundur Davidi edomasit dhe, kur Joabi, prijësi i ushtrisë, shkoi për t’i varrosur të vrarët, dhe pasi i vrau të gjithë meshkujt në Idume,

16 ‑ sepse atje qëndroi për gjashtë muaj Joabi dhe mbarë Izraeli derisa ua humbën farën të gjithë meshkujve në Idume ‑

17 Adadi me njerëzit e vet, idumeas, shërbëtorët e t’et, iku për të shkuar në Egjipt. Adadi asohere ishte djalosh shumë i vogël.

18 U nisën prej Madianit e arritën në Faran. I morën me vete disa njerëz prej Faranit e shkuan në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit, që i dha banesën, i siguroi ushqimin e i dha toka.

19 Adadi gjeti përkrahje të madhe te faraoni, aq sa ia dha për grua të motrën e gruas së vet, motrën e Tafnesës, mbretëreshës.

20 Motra e Tafnesës i lindi djalë, Genubatin, dhe Tafnesa e rriti djalin në shtëpinë e faraonit. Genubati qëndroi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij.

21 Kur dëgjoi Adadi se Davidi kishte pushuar pranë të parëve të tij dhe se Joabi, prijësi i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: “Më lejo të shkoj në vendin tim”.

22 Faraoni i tha: “Çfarë po të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?” Ai iu përgjigj: “Asgjë; por, po të lutem, më lër të shkoj”.

23 Hyji i ngriti Salomonit edhe një kundërshtar tjetër: Razonin, birin e Eliadës, që kishte ikur prej Adadezerit, mbretit të Sobës, zotërisë së vet.

24 Ky i bashkoi rreth vetes disa trima dhe u bë kapedan i çetës. Por, meqenëse Davidi i vriste, kishin shkuar në Damask, ngulën aty dhe sunduan Damaskun.

25 Ky ishte kundërshtar i Izraelit gjatë tërë jetës së Salomonit; pos kësaj edhe e keqja që ishte Adadi. E urreu Izraelin e mbretëroi në Siri.

26 Po edhe Jeroboami, biri i Nabatit, një efratas nga Sareda, nëpunës i Salomonit, nëna e të cilit quhej Sarvë e ishte grua e ve, çoi kokë kundër mbretit.

27 Dhe ja, shkaku i kryengritjes kundër mbretit:

Salomoni po ndërtonte Melon e po rrafshonte humnerën e Qytetit të Davidit, t’et.

28 E Jeroboami ishte burrë i fortë e i vyeshëm. Salomoni, duke e parë djaloshin se si punonte, e emëroi mbikëqyrës të të gjithë punonjësve të shtëpisë së Jozefit.

29 E ndodhi që asohere Jeroboamin, dalë nga Jerusalemi, ta takojë në rrugë Ahia profet, prej Silos. Ahia ishte mbështjellë me mantel të ri. Ishin quk vetëm në fushë.

30 Ahia mori leshnikun e vet të ri, me të cilin ishte i mbështjellë, e shqeu në dymbëdhjetë pjesë

31 e i tha Jeroboamit:

“Merri dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit’: Ja, unë do ta heq prej dorës së Salomonit mbretërinë e do të t’i jap ty dhjetë fise.

32 Atij do t’i lë vetëm një fis për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, e për shkak të qytetit të Jerusalemit që, prej të gjitha fiseve të Izraelit e zgjodha për vete.

33 Arsyeja është se më lanë mua e adhuruan Astartën, hyjneshën e sidonëve, Kamosin, hyjin e moabitëve, Melkomin, hyjin e bijve të Amonit dhe nuk ecën udhëve të mia; nuk bëjnë çka është e drejtë para syve të mi, as s’i zbatojnë urdhërimet e ligjet e mia porsi Davidi, baba i tij.

34 Nuk do t’ia heq dore mbarë mbretërinë, por do ta lë prijës për të gjithë jetën e tij për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, që e kam zgjedhur, dhe i cili i mbajti urdhërimet e ligjet e mia.

35 Mbretërinë do ta marr prej dorës së djalit të tij e ty do të t’i jap dhjetë fise,

36 kurse djalit të tij do t’i jap vetëm një fis që t’i mbesë shërbëtorit tim Davidit një llambë e ndezur para meje në Jerusalem, qytet që e zgjodha vetë për të banuar aty Emri im.

37 Ty do të të marr që të mbretërosh mbi gjithçka të dëshirosh e të jesh mbret mbi Izraelin.

38 Nëse do të dëgjosh gjithçka të të urdhëroj, nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do të bësh çka është e drejtë para syve të mi, duke mbajtur urdhërimet e mia e ligjet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do ta ndërtoj një brez mbretëror të qëndrueshëm, siç ia ndërtova Davidit, e ty do të ta jap Izraelin.

39 Me këtë gjë do ta përul farën e Davidit, megjithëse jo për përgjithmonë’”.

40 Salomoni kërkoi ta vrasë Jeroboamin, por ky u çua e iku në Egjipt të Sesaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt deri në vdekjen e Salomonit.

41 Veprat e tjera të Salomonit, gjithçka bëri, dhe urtësia e tij, ja të gjitha janë të shkruara në Librin e Veprave të Salomonit.

42 Mbretërimi i Salomonit në Jerusalem mbi mbarë Izraelin zgjati dyzet vjet.

43 Salomoni fjeti me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit, babait të tij.

Në vend të tij mbretëroi Roboami, i biri.



Fjala e Zotit