1 Dhe, ja, një njeri i Hyjit prej Judës, me urdhër të Zotit, erdhi në Betel mu atëherë kur Jeroboami kishte hipur në lter për ta djegur kemin.
2 Ai, me urdhër të Zotit bërtiti kundër lterit e tha: “Lter, o lter! Kështu thotë Zoti: ‘Ja, do të lind një djalë në shtëpinë e Davidit me emrin Jozi! Ai do t’i flijojë mbi ty priftërinjtë e lartësive, që kanë flijuar mbi ty kemin dhe do të djegë mbi ty eshtra njerëzish”!
3 Njëkohësisht dha këtë shenjë duke thënë: “Dhe, ja, shenja se janë fjalët e Zotit: Ja, lteri do të çahet e hiri, që është mbi të, do të derdhe”!
4 Mbreti, posa dëgjoi fjalën e njeriut të Hyjit, që bërtiti kundër lterit në Betel, e shtriu dorën e vet që kishte mbi lter e tha: “Kapeni”! Porse dora e tij që e shtriu kundër atij njeriu, iu ngri dhe s’mundi ta mbledhë më.
5 Po edhe lteri u ça dhe u derdh hiri që ishte mbi të, sipas shenjës që njeriu i Hyjit e kishte dhënë me urdhër të Zotit.
6 Atëherë mbreti mori fjalën e i tha njeriut të Hyjit: “Lute Zotin, Hyjin tënd, e ndërmjetëso për mua që të mund ta mbledh dorën time”. Njeriu i Hyjit iu lut Zotit dhe dora e mbretit u kthye dhe u bë siç ishte më parë.
7 Atëherë mbreti i tha njeriut të Hyjit: “Eja me mua në shtëpi për bukë e do të të jap edhe dhurata”.
8 Por njeriu i Hyjit iu përgjigj mbretit: “Po të më jepje edhe gjysmën e shtëpisë sate, nuk do të vija me ty as s’do të haja bukë, as s’do të pija ujë në këtë vend,
9 sepse kështu më qe urdhëruar me fjalën e Zotit: ‘As mos ha, as mos pi ujë, as mos u kthe rrugës nëpër të cilën ke shkuar’”!
10 Shkoi, pra, një rruge tjetër e nuk u kthye nëpër atë rrugë, nëpër të cilën kishte shkuar në Betel.
11 Në Betel jetonte një profet i moçëm. Bijtë e tij erdhën dhe i treguan gjithçka kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Hyjit. Ia treguan t’et edhe fjalët që ia kishte thënë mbretit.
12 I ati i pyeti: “Nga ia mbajti”? Të bijtë ia treguan udhën së cilës shkoi njeriu i Hyjit që kishte ardhur nga Juda.
13 U tha ky të bijve: “Ma shiloni gomarin”! Pasi ia shiluan, hipi në gomar,
14 u nis pas njeriut të Hyjit dhe e gjeti duke ndenjur nën një terebentinë. I tha: “A mos je ti ai njeriu i Hyjit që erdhi nga Juda”? Ai iu përgjigj: “ Unë jam”.
15 Ai i tha: “Eja me mua në shtëpi për të ngrënë bukë. ”.
16 Ai iu përgjigj: “Nuk mund të kthehem as të vij me ty. Nuk do të ha bukë, as nuk do të pi ujë në këtë vend,
17 sepse kështu më është thënë me anë të fjalës së Zotit: ‘As mos ha bukë, as mos pi ujë aty; madje as mos u kthe rrugës, nëpër të cilën të kesh shkuar’”.
18 Por ai i tha: “Edhe unë jam profet si ti; tashti edhe mua një engjëll me urdhër të Zotit më tha : ‘Bëje të kthejë ai njeri në shtëpinë tënde për të ngrënë bukë e për të pirë ujë’”.
19 E gënjeu dhe e bëri të kthehej me të. Kështu hëngri bukë në shtëpinë e tij dhe piu ujë.
20 Ndërsa ishin në tryezë, profetit që e bëri të kthehej, i erdhi fjala e Zotit
21 e profeti i bërtiti njeriut të Hyjit, që kishte ardhur nga Juda e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Pasi nuk e dëgjove fjalën e Zotit e nuk e zbatove urdhrin që ta dha Zoti, Hyji yt,
22 dhe ktheve, hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të kishte urdhëruar të mos haje bukë as të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu’”.
23 Pasi njeriu i Hyjit hëngri bukë e piu, e shiloi për vete gomarin e profetit që e ktheu,
24 u nis e shkoi. Rrugës e takoi një luan, i cili e mbyti. Kështu kufoma e tij rrinte shtrirë në rrugë. Pranë tij qëndronte gomari, po edhe luani qëndronte përskaj kufomës.
25 Njerëzit që kalonin, e panë kufomën e shtrirë në udhë edhe luanin që rrinte pranë kufomës. Ata erdhën dhe e përhapën lajmin në qytet ku jetonte profeti i moshuar.
26 Kur dëgjoi profeti që e kishte bërë të kthehej nga udha, tha: “Është ai njeriu i Hyjit që nuk e dëgjoi fjalën e Zotit dhe Zoti e la ndër kthetra të luanit. Luani e copëtoi dhe e mbyti, sipas fjalës së Zotit që e ka thënë për të”.
27 Dhe u tha bijve të vet: “Shilomani gomarin!” Ata ia shiluan.
28 Ai shkoi dhe e gjeti kufomën e tij të hedhur mes rrugës dhe gomarin e luanin që po rrinin përbri kufomës. Luani s’kishte ngrënë gjë prej kufomës as s’e kishte lënduar gomarin.
29 Profeti e mori kufomën e njeriut të Hyjit, e vuri në gomar. Profeti i moshuar u kthye në qytetin ku banonte për t’i bërë gjëmën dhe për ta varrosur.
30 Kufomën e tij e varrosi në varrin e vet dhe e vajtuan: “I mjeri unë, vëlla”!
31 Kur e varrosën, u tha bijve të vet: “ Kur të vdes unë, më varrosni edhe mua në varrin ku u varros njeriu i Hyjit: përbri eshtrave të tij vini edhe eshtrat e mi.
32 Pa farë dyshimi do të plotësohet fjala që e parafoli me urdhër të Zotit kundër lterit që është në Betel dhe kundër të gjithë tempujve të lartësirave që janë në Samari”.
33 As pas këtyre ngjarjeve Jeroboami nuk u kthye nga rruga e vet tepër e keqe, por gjithnjë vazhdoi të bëjë priftërinj për tempujt e lartësirave njerëz të marrë thjesht prej popullit: kushdo që donte, Jeroboami i jepte pushtetin e priftërisë dhe e bënte prift lartësirash.
34 Kjo gjë e bëri shtëpinë e Jeroboamit të bjerë në mëkat dhe i shkaktoi rrënimin e plotë dhe e zhduki nga faqja e dheut.