< 1Mbr 6 1Mbr 8 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 7)
7

1 Salomoni e ndërtoi edhe pallatin mbretëror dhe e kreu plotësisht për trembëdhjetë vjet.

2 E ndërtoi pallatin që quhej “Pylli i Libanit”. Ishte i gjatë njëqind kute, i gjerë pesëdhjetë kute e i lartë tridhjetë kute mbi katër rreshta shtyllash cedri e mbi shtylla trarë cedri.

3 Ishte i mbuluar mbi dhoma me lëndë cedri, lart pushonte mbi shtylla, që ishin dyzet e pesë, nga pesëmbëdhjetë për çdo rresht.

4 Ishin tre rreshta dritaresh nga tri dritare, njëra përballë tjetrës, tri herë.

5 Dyert e shtatkat e tyre ishin katërkëndëshe.

6 E ndërtoi edhe tremen e shtyllave pesëdhjetë kute të gjatë e tridhjetë kute të gjerë. Përpara tremes së madhe ndërtoi edhe një tjetër me shtylla e me kangjella përpara tyre.

7 Ndërtoi edhe sallonin e fronit, ku mbahet gjyqi; ai ishte i veshur me dërrasë cedri prej truallit e deri në trarë.

8 Shtëpia në të cilën banonte ai, ishte në një oborr tjetër brenda, përballë tremes, po me të njëjtin stil. Po në këtë stil ndërtoi edhe një shtëpi tjetër për bijën e faraonit, që kishte marrë Salomoni për grua.

9 Të gjitha këto ndërtesa ishin prej gurit të zgjedhur, të prerë me masë, të latuar përjashta e përbrenda, prej themelesh e deri në majë të mureve po edhe përjashta deri në tremen e madhe.

10 Themelet ishin prej gurësh të zgjedhur e të mëdhenj dhjetë ose tetëkutesh.

11 Përmbi ta, gurë të zgjedhur e të prerë me masë dhe lëndë cedri.

12 Tremja e madhe kishte tre rreshta gurësh të zgjedhur, të prerë me masë dhe një rresht trarësh cedri. Ishte i ngjashëm me tremen e Shtëpisë së Zotit përbrenda dhe me paraderën e Shtëpisë së Zotit.

13 Salomoni çoi dhe e mori Hiramin nga Tiri.

14 Ishte biri i një vejushe prej fisit të Neftaliut dhe për babë kishte një tiras. Ishte mjeshtër bronzi. Ishte i pajisur me një aftësi të madhe tekinike, me dije e zotësi të madhe dhe mjeshtër i spikatur për të kryer me mjeshtëri çdo vepër në bronz. Ky erdhi te Salomoni dhe i punoi gjithçka i kërkoi.

15 I shkriu dy shtylla bronzi. Secila ishte e lartë tetëmbëdhjetë kute dhe duhej një pe dymbëdhjetëkutësh për ta pushtuar, kurse trashësia ishte katër gishtash dhe përbrenda ishte e zbrazët; kështu ishte edhe shtylla e dytë.

16 I punoi edhe dy kapitele me bronz të shkrirë për t’i vënë në majë të shtyllave. Njëri kapitel ishte i lartë pesë kute dhe kapiteli tjetër ishte po ashtu pesë kute i lartë.

17 Punoi gërshetime në trajtë të gërshetit në trajtën e vargjeve të gërshetuara me mjeshtëri të madhe mbi kapitelet që ishin në krye të shtyllave: shtatë në njërin kapitel e shtatë në tjetrin.

18 Rreth e rreth mbi njërin gërshet i punoi dy rreshta shegash për t’i mbuluar kapitelet që ishin mbi majën e shtyllave; po ashtu bëri edhe për kapitelin e dytë.

19 Kurse kapitelet që ishin mbi majën e shtyllave para tremes, ishin në trajtën e zambakut dhe ishin katërkutesh.

20 Punoi edhe kapitele të tjera në majë të dy shtyllave, përsipër gungës që ishte nën gërshet. Ishin dyqind shega të punuara në dy rreshta rreth e rreth njërit kapitel e po aq edhe në kapitelin tjetër.

21 Dy shtyllat i vendosi në treme të Tempullit. Kur e vendosi shtyllën e djathtë, e quajti Jakin, po ashtu e vendosi edhe shtyllën e majtë dhe e quajti Booz.

22 Maja e shtyllës kishte trajtën e zambakut. Kështu u krye puna me shtyllat.

23 E punoi edhe një det prej metali të shkrirë, prej buze në buzë dhjetë kute të gjerë, të rrumbullakët. Thellësia e tij ishte pesë kute, kurse e matur rreth e rrotull gryka ishte tridhjetë kutesh.

24 Nën buzë kishte boça lulesh të skalitura rreth e rreth në dy rreshta të ngjitura në një me detin.

25 Peshonte mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin në veri, tre në perëndim, tre në jug e tre në lindje, kurse deti rrinte mbi ta. Pjesën e sprasme qetë e kishin të fshehur përbrenda.

26 Trashësinë e kishte një shuplakë, grykën e kishte si grykëgote, porsi lulja e zambakut. Zinte dy mijë batë.

27 I punoi dhjetë baza bronzi, të gjata katër kute, të gjera katër kute e të thella tre kute secila.

28 Bazat ishin të punuara kështu: me degë të mbërthyera me tërthorce përsipër.

29 Mbi degë, ndërmjet tërthorcave, kishte luanë, qe, kerubinë. Po ashtu edhe mbi terthorca, kurse mbi luanë e mbi qe kishte stoli kurorash, vepër e mjeshtrit farkues.

30 Secila bazë kishte katër rrotë bronzi me boshta e katër këmbë me mbajtës; në legen ishin mbajtësit të ngrirë me stolisje.

31 Lart, gryka ishte e rrumbullakët, pjesë e bazës, një kut e gjysmë; ishte në trajtë të një ene të stolisur, kurse në të kishte stolisje të gdhendura. Degët e saja ishin katrore e jo të rrumbullakëta.

32 Katër rrotat ishin nën degë e terthorca dhe të lidhura me bazën me anë të shufrave bronzi. Një rrotë ishte e lartë një kut e gjysmë.

33 Rrotat ishin siç janë ato të karrocave të rëndomta: boshtat e tyre, gavenjtë, rreskët dhe bucelat, të gjitha ishin prej metali të shkrirë.

34 Po edhe katër krahësit, në katër këndët e bazës ishin të shkrirë në një me bazën.

35 Në majë të bazës ishte gjithkah rrotull një rreth i lartë gjysmë kuti. Në majë shufrat dhe degët bënin një trup të vetëm me bazën.

36 Gdhendi me pllakat e terthorcave dhe të degëve kerubinë, luanë e palma, sipas sipërfaqes së atyre pllakave dhe të kezave përreth.

37 Kështu i punoi dhjetë baza: ishin të shkrira në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën masë e me të njëjtat gdhendje.

38 Punoi gjithashtu edhe dhjetë legenë bronzi. Secili legen nxinte dyzet batë dhe ishte katër kutësh. Në secilën nga dhjetë bazat u vu nga një legen.

39 Pesë baza i vendosi në krahun e djathtë të Tempullit, e pesë të tjerat në krahun e majtë. Detin e vendosi në të djathtë të Tempullit, në juglindje.

40 Hirami i punoi kusi, lugore e kupa dhe i kreu gjithçka që i lypeshin mbretit Salomon për Tempullin e Zotit:

41 dy shtylla, dy gungat e rrumbullakëta, mbi të cilat u vunë kapitelet mbi maja të shtyllave;

42 katërqind shegat për të dy gërshetat: nga dy rreshta shegash në secilin gërshet për t’i mbuluar gungat e kapiteleve që ishin mbi shtyllat.

43 I punoi edhe dhjetë bazat me dhjetë legenët mbi bazat,

44 vetëm një det dhe dymbëdhjetë qetë nën det;

45 pastaj kusi, lugore e kupa. Të gjitha enët që ia punoi Hirami mbretit Salomon për Tempullin e Zotit, ishin prej bronzi të kulluar.

46 Mbreti urdhëroi që të gjitha këto të ngrihen në kallëpe argjile në bregun e Jordanit, ndërmjet Sukotit e Sartanit.

47 Pastaj Salomoni i vendosi të gjitha orenditë në vendin e caktuar, por prej shumicës së madhe nuk dihej pesha e bronzit.

48 Salomoni i punoi të gjitha enët në Shtëpinë e Zotit: lterin e artë, tryezën e artë, mbi të cilën vihen bukët e kushtimit;

49 shandana pesë në anën e djathtë dhe pesë në anën e majtë para Dabirit, prej ari të kulluar; lulet, dritëzat dhe preset për to, të arit. I punoi edhe gërshërët të arta,

50 vegëshat, thikat, kusitë, çinitë dhe kemoret prej ari të pastër; shtatkat e dyerve të pjesës së fshehtë të Shenjtërores së shenjtë‑ roreve si dhe të sallës së Tempullit, prej arit.

51 Kështu u krye mbarë puna që kishte ndër‑ marrë mbreti Salomon në ndërtimin e Tempullit të Zotit. Salomoni i futi të gjitha dhuratat e shenjta t’et, Davidit ‑ argjend, ar dhe enë ‑ dhe i vendosi në thesarin e Shtëpisë së Zotit.



Fjala e Zotit