< 1Sam 9 1Sam 11 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 10)
10

1 Samueli mori enën me vaj, e zbrazi mbi kokë të tij dhe e puthi. I tha: “Ja, Zoti të shuguroi për prijës mbi popullin e vet, mbi Izrael. Ti do ta sundosh popullin e Zotit dhe do ta çlirosh prej dorës së armiqve të tij që janë përreth. Dhe, ja, shenja se Hyji të ka shuguruar për prijës mbi trashëgimin e vet:

2 pasi të largohesh sot prej meje, do t’i takosh dy njerëz te varri i Rakelës në kufirin e tokës së Beniaminit. Ata do të thonë: “Gomaricat që kishe dalë t’i kërkoje, u gjetën; yt atë i ka harruar gomaricat e është bërë shumë marak për ju e thotë: ‘Çka të bëj tani për djalë’?

3 E kur të shkosh prej andej përtej e të mbërrish te Qarri i Taborrit, aty do të të takojnë tre burra që janë nisur të shkojnë tek Hyji në Betel: njëri do të mbartë tre edha, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i treti një rrëshiq me verë.

4 Pasi të të kenë përshëndetur, ata do të t’i japin dy bukë dhe ti merri prej dorës së tyre.

5 Pastaj do të arrish te Gabaa e Hyjit, ku është roja filistine. Kur të kesh hyrë në qytet, aty do të takosh një turmë profetësh që zbresin prej lartësisë e para tyre harpa, daulle, fyej e cetra e ata duke profetizuar.

6 Edhe ty do të të sulmojë shpirti i Zotit e edhe ti do të kalosh në kllapi profetike dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.

7 Kur të shohësh se u përmbushën këto shenja, bëj si të duash, sepse Zoti është me ty.

8 Atëherë zbrit para meje në Galgalë. Sepse edhe vetë do të zbres tek ti për të paraqitur kushtin dhe për të flijuar flitë e pajtimit. Prit shtatë ditë derisa të vij tek ti e të të kallëzoj se çfarë duhet të bësh”.

9 Kështu, pra, sa i ktheu shpinën Sauli Samuelit për t’u larguar, Hyji ia shndërroi zemrën e të gjitha shenjat iu vërtetuan po atë ditë.

10 Prej andej arritën në Gabaa, kur ja, turma e profetëve i doli përpara. Shpirti i Hyjit e pushtoi atë, dhe edhe ai nisi të profetizonte mes tyre.

11 Kur panë ata që e kishin njohur më parë, se si edhe ai papritmas u përzie me profetë e po profetizonte, e pyesnin njëri‑tjetrin: “Ç’i ndodhi djalit të Cisit? Po a mos është edhe Sauli profet”?

12 Një njeri vendës pyeti: “Kush është babai i tyre”? Këndej edhe u bë thënia e popullit: “Pse, edhe Sauli është një ndër profetët”?

13 Por Sauli pushoi së profetizuari e erdhi në Gabaa.

14 Ungji i Saulit i pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: “Ku keni qenë”? Ai iu përgjigj: “Për të kërkuar gomaricat e, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli”.

15 Atëherë i tha ungji i tij: “Më trego ç’të ka thënë Samueli”?

16 Sauli i tha të ungjit: “Na tregoi se ishin gjetur gomaricat”. Por nuk i tregoi asnjë fjalë lidhur me ç’i tha Samueli për mbretëri.

17 Samueli e thirri popullin te Zoti në Masfë

18 dhe u tha bijve të Izraelit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Unë i nxora bijtë e Izraelit prej Egjiptit dhe ju shpëtova prej dorës së egjiptianëve e prej dorës së të gjitha mbretërive që ju mundonin.

19 E ju sot e përbuzët Hyjin tuaj që i vetmi ju shpëtoi prej të gjitha të këqijave dhe vështirësive tuaja e thatë: ‘Assesi, por na cakto një mbret!’ Tani, vëruni në rresht sipas fiseve e sipas barqeve tuaja”!

20 Samueli i bëri të afroheshin të gjitha fiset e Izraelit. Shorti ra mbi fisin e Beniaminit.

21 Bëri të afrohej fisi i Beniaminit e vëllazëritë e tija. Shorti ra në vëllazërinë e Metriut. Shorti i ra Saulit, birit të Cisit. E kërkuan Saulin, por nuk e gjetën.

22 Atëherë u këshilluan me Zotin nëse a do të ketë ardhur ai njeri aty ndopak. Zoti u përgjigj: “Ja, është fshehur ndër rrobat”!

23 U lëshuan vrap dhe e morën prej andej. Qëndroi në mes të popullit dhe ngalliste përmbi mbarë popullin që prej krahëve e lart.

24 Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: “A po shihni kë ka zgjedhur Zoti? S’ka shoq në mbarë popullin”!

Mbarë populli brohoriti: “Rroftë mbreti”!

25 Atëherë Samueli i kumtoi popullit të drejtat e mbretit, i shkroi në libër dhe e vendosi para Zotit. Pastaj Samueli nisi popullin, secilin në shtëpinë e vetë.

26 Po ashtu edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij në Gaba. Me të shkuan edhe trimat e fortë, të cilëve Zoti ua preku zemrën.

27 Por disa njerëz të pavlerë, thanë: “A thua ky do të mund të na shpëtojë”? E përbuzën dhe nuk i çuan dhurata. Ai bëri sikur s’dëgjoi.



Fjala e Zotit