< 1Sam 10 1Sam 12 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 11)
11

1 Kur ja, u ngrit Naas Amoniti për të luftuar kundër Jabesit të Galaadit. Të gjithë njerëzit e Jabesit i çuan fjalë Naasit: “Na prano për aleatë e do të të shërbejmë”.

2 Naasi Amonit u përgjigj: “Kështu do të bëj besëlidhje me ju: secilit prej jush do t’ia nxjerr syrin e djathtë e kështu do ta turpërojë mbarë Izraelin”.

3 Por krerët e Jabesit i thanë: “Na jep shtatë ditë afat që të dërgojmë lajmëtarë në të gjitha skajet e Izraelit e, në mos u gjettë kush që na mbron, do të dalim e do të të dorëzohemi ty”.

4 Erdhën, pra, kasnecët në Gaba të Saulit dhe i treguan të gjitha fjalët para popullit. Mbarë populli plasi në vaj me zë.

5 Kur ja, po vjen Sauli pas qeve prej fushës dhe pyeti: “Ç’ka populli që po qan”? Ata i treguan fjalët e burrave të Jabesit.

6 Kur i dëgjoi Sauli këto fjalë, e pushtoi shpirti i Zotit dhe zemërimi i tij u ndez flakë.

7 Mori një pendë qe, i preu copa‑copa dhe me dorë të lajmëtarëve i dërgoi në çdo vend të Izraelit me këtë porosi: “Kush të mos dalë në luftë dhe të mos ndjekë Saulin e Samuelin, qetë e tij do t’ia gjejë ky nder”. Popullin e kapi frika e Zotit dhe dolën në luftë si të ishin një njeri i vetëm.

8 Në Bezek i numëroi: ishin izraelitë treqind mijë, kurse prej Judës tridhjetë mijë.

9 Pastaj Sauli u tha kasnecëve: “Kështu thoniu trimave që janë në Jabes të Galaadit: Nesër, kur të nxejë dielli, do t’ju vijë shpëtimi”.

Lajmëtarët shkuan dhe u lajmëruan njerëzve të Jabesit. Ata u gëzuan

10 e i çuan fjalë Naasit: “Nesër në mëngjes do të dalim tek ju dhe bëni me ne si t’ju pëlqejë juve”.

11 Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tri njësi dhe, në të zbardhur të agimit, u sul në mes të fushimit dhe i vrau amonitët derisa nisi të nxejë dielli. Të tjerët u shpërndanë, kështu që s’mbetën as dy vetë së bashku.

12 Atëherë populli i tha Samuelit: “Kush është ai që tha:’A thua Sauli do të mbretërojë mbi ne’? Sillni këtu ata njerëz e do t’i vrasim”!

13 Atëherë tha Sauli: “Ditën e sotme të mos vritet askush, sepse sot Zoti e shpëtoi Izraelin”!

14 Pastaj Samueli i tha popullit: “Ejani të shkojmë në Galgalë e ta ripërtërijmë mbretërinë”.

15 Mbarë populli shkoi në Galgalë dhe, ata, para Zotit, e bënë mbret Saulin në Galgalë. Aty kushtuan flitë e pajtimit para Zotit. Aty Sauli, bashkë me mbarë Izraelin, bëri festë të madhe fort.



Fjala e Zotit