1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi njezet vjet mbi Izraelin.
2 Sauli zgjodhi për vete tre mijë izraelitë: me Saulin qëndronin dy mijë vetë në Makmas e në malin Betel, kurse një mijë vetë ishin me Jonatanin në Gabà të Beniaminit. Mbarë popullin tjetër e lëshoi të shkonte secili në shtëpinë e vet.
3 Jonatani e vrau rojën e filistenjve që ishte në Gabà. Filistenjtë e morën vesh. Sauli i ra borisë në mbarë Izraelin duke kumtuar: “Le ta dinë hebrenjtë”!
4 Në mbarë Izraelin u hap zëri: “Sauli e vrau rojën e filistenjve! Izraeli ka rënë në armiqësi me filistenj”. Prandaj populli u mblodh në Galgalë pas Saulit.
5 Edhe filistenjtë u bashkuan për të luftuar kundër Izraelit. Ishin tri mijë karroca lufte, gjashtë mijë kalorës, kurse populli tjetër i shumtë si rëra që është në bregun e detit. U ngjitën dhe ngulën fushimin në Makmas, në krahun e lindjes të Betavenit.
6 Kur e panë bijtë e Izraelit se e kishin punën pisk ‑ sepse populli u ligështua për së tepërmi, disa u fshehën nëpër shpella e nëpër pyje, nëpër qeta e nëpër gërdhata e nëpër cisterna.
7
Sauli ishte ende në Galgalë dhe popullin që ishte me të, e kishte kapluar një tmerr i madh.
8 Ai priti shtatë ditë, si kishte caktuar Samueli të vinte në takim, por Samueli nuk erdhi në Galgalë. Populli filloi të shpërndahet prej tij.
9 Prandaj Sauli tha: “M’i sillni këtu flitë e shkrumbimit e të pajtimit”! Dhe ai kushtoi flinë e shkrumbimit.
10 Dhe, ndërsa po i jepte fund flisë së shkrumbimit, ja, po vinte Samueli. Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.
11 Samueli i tha: “Ç’ke bërë”? Sauli iu përgjigj: “Kur pashë se populli po shpërndahej prej meje e kur pashë se edhe ti nuk po vije brenda ditëve që ke caktuar ti vetë e, pastaj, kur pashë se filistenjtë janë bashkuar në Makmas,
12 thashë: Tani do të zbresin kundër meje filistenjtë në Galgalë dhe unë ende nuk e kam kryer lutjen ndaj Zotit, i shtrënguar nga nevoja, kushtova flinë e shkrumbimit”.
13 Samueli i tha Saulit: “Ke vepruar marrëzisht! Oh, sikur t’u ishe përmbajtur urdhërimeve të Zotit, Hyjit tënd, që t’i dha! Me siguri tani Zoti do ta kishte përforcuar mbretërinë tënde për amshim mbi Izraelin.
14 Por mjerisht mbretëria jote nuk do të qëndrojë assesi! Zoti kërkoi një tjetër njeri sipas zemrës së vet. Zoti atë edhe e vuri prijës mbi popullin e vet. Shkaku është pse ti nuk i kreve ç’të ka urdhëruar Zoti”.
15 Samueli u ngrit, e la Galgalën dhe shkoi në punë të vet. Populli tjetër shkoi pas Saulit për t’u ndeshur me ushtrinë në luftë. Prej Galgalës shkuan në Gabà të Beniaminit. Sauli numëroi popullin që ishte me të: ishin diku gjashtëqind burra.
16 Sauli e Jonatani, djali i tij, si dhe populli që ishte me të, ishin në Gabà të Beniaminit, kurse filistenjtë kishin ngulur fushimin në Makmas.
17 Prej fushimit të filistenjve dolën për të plaçkitur tri çeta: njëra çetë shkonte drejt Efrës në tokën Sual,
18 tjetra drejt Betoronit, ndërsa çeta e tretë kishte marrë drejtimin nga lugina Seboim përballë shkretëtirës.
19 E në mbarë dheun e Izraelit nuk kishte farkëtarë, sepse filistinët ishin kujdesur që hebrenjtë të mos punonin shpata e heshta.
20 Kështu mbarë Izraelit i duhej të shkonte te filistenjtë për të mprehur pallën, o capën, sakicën ose draprin.
21 E çmimi i mprehjes ishte: për pallë e për capë dy pjesë të siklit, kurse për të mprehur sakicën e për të ndrequr strumbullarin e treta pjesë e siklit.
22 Kështu, kur erdhi dita e luftës së Makmasit, në dorë të mbarë popullit nuk u gjet as shpatë as heshtë, të popullit që ishte me Saulin e me Jonatanin, me përjashtim të Saulit e të Jonatanit.
23 Ndërkaq një njësit e filistenjve kishte dalë drejt grykës së Makmasit.