< 1Sam 14 1Sam 16 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 15)
15

1 Samueli i tha Saulit: “Zoti më dërgoi që të të lyej për mbret mbi Izraelin, popullin e vet. Pra, tani, dëgjoje zërin e Zotit.

2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kam para sysh gjithçka i ka bërë Amaleku Izraelit: si e pengoi në udhëtim kur po ngjitej nga Egjipti.

3 Tani shko e shpartalloje Amalekun dhe dëno me shfarosje gjithçka ka. Mos ki mëshirë për të: as për trim, as për grua, as për fëmijë, as për foshnjë, por vritii deri edhe lopë e dele, deve e gomar’”.

4 Atëherë Sauli e bashkoi popullin dhe në Telem i numëroi: dyqind mijë këmbësorë e dhjetë mijë burra nga Juda.

5 Kur erdhi Sauli te qyteti i Amalekut, vuri pritat në përrua

6 e Sauli i çoi fjalë Cineut: “Largohuni, ndahuni dhe ikni prej Amalekut, që të mos ju vras edhe ju bashkë me amalekas, sepse ju u dëftuat të dhimbshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur dolën prej Egjiptit”.

Cineasit u ndanë prej amalekasve.

7 Sauli e goditi Amalekun prej Hevilës e deri në Sur që është përballë Egjiptit.

8 E kapi gjallë Agagun, mbretin e Amalekut, kurse mbarë popullin e kaloi nën teh të shpatës.

9 Por Sauli kurseu Agagun dhe grigjat e mira të deleve e të gjedhit, d. m. th. bagëtitë e majme e qengjat dhe të gjitha ato që ishin të bukura dhe nuk deshën t’i shuajnë, kurse gjithçka ishte e ligshtë dhe e dobët, e shfarosën.

10 Atëherë i qe drejtuar Samuelit kjo fjalë e Zotit:

11 “Jam penduar që e bëra Saulin mbret, sepse ai më la mua dhe nuk i bëri vepër fjalët e mia”.

Samuelit i erdhi shumë keq dhe iu lut Zotit gjithë natën.

12 Samueli u ngrit menatë që të shkonte të takohej me Saulin në mëngjes. Samuelin e njoftuan se Sauli kishte shkuar në Karmel dhe atje kishte ngritur për vete një përmendore dhe se pastaj kishte vazhduar e kishte zbritur në Galgalë.

13 Kur Samueli shkoi te Sauli, Sauli e përshëndeti: “Qofsh bekuar prej Zotit! Kam zbatuar fjalën e Zotit”.

14 Por Samueli i tha: “E çka është kjo blegërimë grigjash që po më ushton në veshë dhe ajo pallje gjedhi që po dëgjoj”?

15 Sauli ia ktheu: “I sollën prej Amalekut. Populli i kurseu delet e mira dhe lorinë për t’ia kushtuar Zotit, Hyjit tënd: të tjerat i premë”.

16 Por Samueli i tha Saulit: “Prit të të tregoj se ç’më ka thënë Zoti sonte”. Ia priti: “Fol”!

17 E Samueli vazhdoi: “A s’ është e vërtetë se, kur ishe i vogël, në sytë e tu, qe bërë krye në fiset e Izraelit? Zoti të leu mbret mbi Izraelin

18 dhe Zoti të nisi në rrugë e të tha: ‘Shko e vriti mëkatarët amalekas dhe lufto kundër tyre deri në shfarosje të tyre’?

19 Pse atëherë nuk e dëgjove fjalën e Zotit, por të pëlqeu preja dhe bëre ç’është e keqe para syve të Zotit”?

20 Sauli iu përgjigj Samuelit: “Po si s’e kam dëgjuar zërin e Zotit? Unë shkova atje ku më dërgoi Zoti. E solla Agagun, mbretin e Amalekut dhe amalekasit i shfarosa.

21 Populli prej presë mori dele e lopë, ato më të mirat, dhe u prenë për t’ia flijuar Zotit, Hyjit tënd, në Galgalë”.

22 E Samueli iu përgjij:

“Pse a ndoshta Zoti i parapëlqen flitë e shkrumbimit e theroret

më fort se të dëgjohet fjala e tij?

Më e mirë është dëgjesa se therorja,

më mirë të dëgjosh se dhjami i deshëve.

23 Për të vërtetë kundërshtimi është i keq si magjia,

e të tekurit kobësi idhujtarie:

për arsye se e përbuze fjalën e Zotit,

Zoti të përbuzi ty: më s’do të jesh mbret”!

24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: “Mëkatova se iu shmanga fjalës së Zotit e fjalëve të tua. E druajta popullin dhe dëgjova zërin e tij.

25 Por tani, po të lutem, shlyeje mëkatin tim dhe kthehu me mua t’i jap adhurim Zotit”.

26 Por Samueli iu përgjigj Saulit: “S’do të kthehem me ty, sepse e përbuze fjalën e Zotit dhe sepse Zoti të përbuzi ty që të mos jesh më mbret mbi Izraelin”.

27 E Samueli bëri të largohej, sepse Sauli ia kapi kindin e zhgunit që iu shqye.

28 Samueli i tha: “Sot edhe Zoti shqeu prej teje mbretërinë e Izraelit dhe ia dhuroi të afërmit tënd që është më i mirë se ti.

29 Por Lavdia e Izraelit nuk gënjen dhe nuk pendohet, sepse Ai nuk është njeri që do të pendohej”.

30 Sauli iu lut: “Mëkatova. Por tani më ndero ndër sy të prijësve të popullit tim e të Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj Zotin, Hyjin tënd”.

31 Samueli u kthye me Saulin e Sauli adhuroi Zotin.

32 Samueli tha: “Silleni tek unë Agagun, mbretin e Amalekut”. Ia sollën Agagun që e kishin kapur të dridhurat. Agagu tha: “Me siguri kaloi hidhërimi i vdekjes”!

33 Samueli i tha: “Sikurse shpata jote i la nënat pa fëmijë, po ashtu edhe nëna jote ndër gra le të mbesë pa fëmijë”! Samueli e copëtoi Agagun në Galgalë para Zotit.

34 Atëherë Samueli shkoi në Ramë, kurse Sauli u ngjit në shtëpinë e vet në Gabanë e Saulit.

35 Samueli nuk e pa më Saulin deri ditën e vdekjes së vet. Samueli e qante shumë Saulin, sepse Zoti ishte penduar që e kishte bërë mbret mbi Izrael.



Fjala e Zotit