1 Filistenjtë i bashkuan togat e veta për luftë. U mblodhën në Soko të Judës dhe fushimin e ngulën ndërmjet Sokos e Azekës në Efesdomim.
2 Po edhe Sauli dhe trimat e Izraelit u mblodhën e erdhën në luginën e Terebintit dhe u vunë në rreshta për të luftuar kundër filistinëve.
3 Filistinët qëndronin në njërën anë të malit e izraelitët në anën tjetër të malit, ndërmjet kishin luginën.
4 Doli një dyluftues prej aradheve të filistenjve, me emrin Goliati prej Getit. Ishte i lartë gjashtë kute e një pëllëmbë.
5 Mbi kokë kishte përkrenaren e bronztë, vishej me pancir me luspa; vetëm panciri i peshonte pesë mijë sikla bronzi.
6 Ishte i mbathur me bronz deri në ijë e krahaqafë mbante një heshtëz bronzi.
7 Shtiza e heshtës së tij ishte si shul tezgjahu, kurse vetë hekuri i heshtës së tij peshonte gjashtëqind sikla hekuri. Përpara i shkonte shqytari i tij.
8 Qëndronte përballë togave të Izraelit e u thoshte: “Pse keni ardhur e rreshtoheni për të luftuar? Pse, a nuk jam unë filisteas e ju shërbëtorët e Saulit? Zgjidhni ju një njeri prej jush dhe le të më dalë në dyluftim!
9 Nëse guxon të luftojë me mua dhe nëse më fiton, do të jemi skllevërit tuaj; e nëse do ta mund unë, ju do të jeni skllevërit tanë e do të na shërbeni”.
10 Filisteu shtonte: “Unë sot po i hedh mollën e dyluftimit aradhes së Izraelit: Nxirreni njeriun që do të hyjë në dyluftim me mua”.
11 Kur Sauli e të gjithë izraelitët i dëgjuan fjalët e filisteut, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe.
12 Davidi ishte djali i një efratasi, për të cilin u fol më lart, nga Betlehemi i Judës, që quhej Isai. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ky ishte burrë i vjetër e i shtyrë në moshë.
13 Tre djemtë e tij të mëdhenj kishin shkuar në luftë pas Saulit. Emrat e tre djemve të tij që kishin shkuar në luftë, ishin: Eliabi, djali i madh, i dyti Abinadabi e i treti Sama.
14 Davidi ishte më i vogli. Pasi tre vëllezërit e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit ‑
15 Davidi shkonte e kthehej prej shërbesës së Saulit për të ruajtur grigjën e t’et në Betlehem.
16 Filisteu dilte në mëngjes e në mbrëmje dhe paraqitej kështu për dyzet ditë.
17 Isai i tha Davidit, djalit të vet: “Merr për vëllezërit e tu një ef grurë të pjekur dhe këto shtatë bukë e shko me vrap te vëllezërit e tu.
18 Këto dhjetë duar djathë çoja mijëtarit të tyre; shihi vëllezërit e tu a janë mirë dhe ma sill shenjën e tyre”.
19 Sauli, vëllezërit e tij dhe të gjithë bijtë e Izraelit luftonin kundër filistenjve në luginën e Terebintit.
20 Kështu, pra, Davidi u ngrit në mëngjes, grigjën ia la në kujdes një bariu, mori ç’i kishte thënë Isai dhe shkoi. Arriti në llogor, kur ushtria po dilte në rresht beteje e po lëshonte kushtrimin e luftës.
21 Izraelët e filistenjtë i vendosën ushtritë në rresht lufte njëri kundër tjetrit.
22 Davidi i la gjërat që kishte me vete te rojtari i pajisjeve, vrapoi në vendin e rreshtimit për luftë dhe pyeti për shëndetin e vëllezërve.
23 Ndërsa ky ende po fliste me ta, doli ai dyluftuesi, që quhej Goliat, filisteu prej Getit, prej aradheve të filistenjve. Ai tha po ato fjalë. E dëgjoi Davidi.
24 E të gjithë izraelitët, kur e panë atë burrë, ikën prej tij, sepse e druanin për së tepërmi.
25 Një izraelas tha: “A e patë atë njeri që doli? Del për ta ngacmuar Izraelin. Atij burrë që ta vrasë atë, mbreti do t’i japë pasuri të madhe e i jep edhe vajzën e vet për grua, kurse shtëpinë e atit të tij e liron nga tatimet në Izrael”.
26 Atëherë Davidi i pyeti njerëzit që ishin me të: “Çka do t’i jepet atij njeriu që do ta vrasë këtë filisteas dhe do t’i zbardhë faqen Izraelit? Po, e kush është ky filiste i parrethprerë, që i poshtëron aradhet e Hyjit të gjallë?”
27 Populli i dha të njëjtën përgjigje. I thanë: “Këto e këto do t’i jepen atij që ta vrasë”.
28 Kur e dëgjoi i vëllai i tij i madhi, Eliabi, se po fliste me të tjerë, u hidhërua në Davidin e i tha: “Pse erdhe dhe kujt ia le ato dy‑tri kokë dele në mal? Unë e njoh madhështinë tënde dhe zemrën tënde të keqe! Zbrite për të parë luftën”.
29 Davidi iu përgjigj: “Ç’të keqe bëra? Pse a nuk bën as të flas”?
30 U largua pak prej tij te një tjetër, e pyeti edhe atë të njëjtën gjë dhe populli iu përgjigj po me ato fjalë, si më parë.
31 Duke dëgjuar pyetjet që bënte Davidi, menduan t’ia tregonin Saulit.
32 Kur e sollën te Sauli, i tha: “Askënd të mos e lëshojë zemra për shkak të atij filisteu! Unë, shërbëtori yt, do të shkoj të luftoj me atë filiste”!
33 Sauli i tha Davidit: “Ti nuk je i zoti t’i qëndrosh përballë këtij filisteu as të luftosh kundër tij, sepse ti je ende fëmijë, kurse ky është luftëtar i stërvitur që prej rinisë së tij”.
34 Por Davidi i tha Saulit: “Shërbëtori yt ruante grigjën e të atit dhe ndërkohë vinte luani ose ariu e prej grigjës merrte dashin.
35 Unë i ndiqja, i rrahja dhe ua nxirrja nga goja. Ata suleshin mbi mua e unë i kapja për turinjsh, ua përdridhja arrçin e i mbytja.
36 Me të vërtetë shërbëtori yt mbyti luan e ari. Le të jetë pra, edhe ky filiste i parrethprerë si një ndër ta, pasi ka pasur guxim të poshtërojë aradhet e ushtrisë së Hyjit të gjallë”.
37 Davidi shtoi: “Zoti që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, ai do të më shpëtojë prej duarve të këtij filisteu”. E Sauli i tha: “Shko e Zoti qoftë me ty”.
38 Sauli e veshi Davidin me petkat e veta, i vuri në kokë përkrenaren e bronztë dhe e ngjeshi me pancir.
39 I ngjeshur kështu Davidi me shpatën e tij përmbi petkat e tija, provoi të lëvizë nëse i armatosur kështu do të mund të ecte, sepse nuk ishte i mësuar. Prandaj Davidi i tha Saulit: “Nuk mund të eci kështu, sepse nuk jam i stërvitur”. Dhe i hoqi.
40 Atëherë mori kërrabën e vet në dorë, i zgjodhi pesë gurë të lehtë nga përroi, i hodhi në çantën e bariut, të cilën e përdorte si çantë gurësh, mori në dorë bahen dhe u nis drejt filisteut.
41 Pash e më pash po afrohej edhe filisteu kundër Davidit dhe po i printe armëmbajtësi i tij.
42 Filisteu, kur e pa Davidin, e përbuzi. Vërtet ishte një djalosh kuqalosh e i bukur nga pamja.
43 Filisteu i tha Davidit: “A mendon se jam unë qen që po vjen kundër meje me shkop?”, dhe shau filisteu Davidin e zotat e tij,
44 dhe i tha Davidit: “Eja tek unë e do t’ua jap mishin tënd shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit”.
45 E Davidi i ktheu përgjigje filisteut: “Ti po më sulmon me shpatë, me heshtë e me patërshanë, kurse unë sulem kundër teje në emër të Zotit të Ushtrive, Hyjit të aradheve të Izraelit, të cilët i ngacmove ti.
46 Ty sot Zoti të lëshoi në dorën time: do të të vras e do të ta këpus kokën tënde e do ta marr, kurse kufomën tënde dhe kufomat e taborreve të filistenjve do t’ua jap sot shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit, që ta dijë mbarë bota se ka Hyj në Izrael.
47 Le ta dijë mbarë kjo bashkësi se Zoti nuk shpëton as me shpatë as me heshtë: zotërues i luftës është ai! Ai do t’ju lëshojë në duar tona”!
48 Kur u ngrit pra, filisteu e po ecte duke iu afruar Davidit, Davidi këmbështoi e, vrap, u sul në luftim kundër filisteut.
49 Futi dorën në çantë, nxori gurin dhe e gjuajti me bahe. E qëlloi filisteun në lule të ballit dhe pesha iu ngul në ballë. Ra filisteu me fytyrë përdhe!
50 E mundi Davidi filisteun me bahe e me një gur kokërrdhak: e goditi dhe e vrau filisteun! E, pasi nuk kishte shpatë në dorë, Davidi
51 vrapoi dhe kërceu mbi filisteun, kapi shpatën e tij, e nxori nga milli i saj, e vrau dhe ia shkurtoi kokën.
Kur panë filistenjtë se e pat vigani i tyre, ua dhanë këmbëve.
52 Atëherë u çuan trimat e Izraelit e të Judës, lëshuan kushtrimin e luftës, i ndoqën filistenjtë derisa arritën në Get e përtej deri te dyert e Akaronit. U mbulua rruga me filistenj të vrarë prej Saraimit e në Get e deri në Akaron.
53 Bijtë e Izraelit u kthyen pasi i ndoqën filistenjtë dhe u ranë pre llogoreve të filistenjve.
54 Davidi mori kokën e filisteut dhe e çoi në Jerusalem. Armët e tija i vendosi në tendë.
55 Kur e pa Sauli Davidin tek po dilte në dyluftim kundër filisteut, pyeti Abnerin, prijësin e ushtrisë: “Abner, prej cilit fis rrjedh ky djalosh”? Abneri iu përgjigj: “Pasha jetën tënde, mbret, nuk e di”.
56 Mbreti vazhdoi: “Mos harro e pyet se djali i kujt është”!
57 Kur u kthye Davidi pasi kishte vrarë filisteun, Abneri e mori dhe e paraqiti te Sauli ndërsa Davidi e kishte në dorë ende kokën e filisteut.
58 Sauli e pyeti: “I biri i kujt je, o djalosh”? Davidi iu përgjigj: “Jam biri i shërbëtorit tënd, Isait të Betlehemit”.