< 1Sam 17 1Sam 19 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 18)
18

1 Tashti, posa kreu Davidi bisedën me Saulin, zemra e Jonatanit u lidh ngushtë me zemrën e Davidit dhe Jonatani e deshi Davidin si vetveten.

2 Po atë ditë Sauli e ndali Davidin tek ai e nuk i dha leje të kthehej në shtëpinë e t’et.

3 Jonatani e Davidi lidhën miqësi të ngushtë: Jonatani e donte si vetveten.

4 Jonatani e zhveshi këmishën e vet që kishte veshur, e ia dha Davidit. Ia dha edhe petkat e veta të tjera, deri edhe shpatën, harkun dhe brezin e vet.

5 Në të gjitha detyrat e veta, kudo e dërgonte Sauli, Davidi shkonte e dilte faqebardhë. Sauli e vuri prijës të ushtrisë. I pëlqeu mbarë popullit edhe oborrtarëve të Saulit.

6 Porse, në kthim, kur Davidi po kthehej pasi vrau filisteun, u dolën përpara gra prej të gjitha qyteteve të Izraelit, duke kënduar e vallëzuar para Saulit mbret me daulle, me këngë hareje e me cetra.

7 Gratë këndonin, kërcenin e thoshin:

“Vrau Sauli me mijëra,

vrau Davidi me dhjetëra mijëra”!

8 Saulit i erdhi shumë keq dhe nuk i pëlqeu aspak kjo fjalë. Tha: “I dhanë Davidit me dhjetëra mijëra, kurse mua me mijëra! Çka i mungon atij përveç mbretërisë”?!

9 Që prej asaj dite Sauli nuk e shikonte më Davidin me sy të mirë.

10 Të nesërmen, shpirti i keq i dërguar prej Hyjit, e pushtoi Saulin dhe ai filloi të tërbohej nëpër shtëpi. Davidi i binte harpës si në të gjitha ditët e tjera e Sauli mbante në dorë heshtën.

11 Qiti me të me qëllim që ta mbërthente Davidin për mur. Por Davidi iu shmang dy herë.

12 Sauli e dronte Davidin sepse Zoti ishte me të, kurse prej tij ishte larguar.

13 Prandaj Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri mijëtar ‑ prijës mbi një mijë ushtarë. Davidi shkonte e vinte në krye të popullit.

14 Çdo punë që merrte Davidi, i shkonte mbarë e Zoti ishte me të.

15 Vuri re Sauli se si gjithçka po i shkonte shumë mbarë e filloi t’ia kishte frikën.

16 Po edhe mbarë Izraeli e Juda e donin Davidin, sepse ai u printe në të gjitha udhët e tyre.

17 Sauli i tha Davidit: “Jaijën time të madhe, Merobën, do të ta jap për grua, porse ji burrë i fortë e luftoji luftërat e Zotit”! Sauli mendonte me vete: “Të mos e vrasë dora ime, por le ta vrasin filistenjtë”!

18 Por Davidi iu përgjigj Saulit: “Po kush jam unë, o sa vlen jeta ime, o ç’rëndësi ka barku i tim eti në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit”?

19 E njëmend, kur erdhi koha që Meroba, bija e Saulit të martohej me Davidin, ajo i qe dhënë për grua Hadrielit prej Molatit.

20 Por Davidin e donte vajza e dytë e Saulit, Mikola. I treguan Saulit dhe atij i ra mirë.

21 Sauli tha: “Do t’ia jap me qëllim që ajo t’i bëhet kurth e ta godasë dora e filistenjve.” Prandaj Sauli i tha për të dytën herë Davidit: “Sot do të bëhesh dhëndri im!”

22 Sauli u urdhëroi oborrtarëve të vet: “Flisni, në besë me Davidin e thoni: ‘Ja, ti i ke pëlqyer mbretit dhe të gjithë oborrtarët e tij të duan; bëju, pra, dhëndri i mbretit!’”

23 Oborrtarët e Saulit ia treguan në vesh të gjitha këto fjalë Davidit e Davidi u tha: “Pse, a ju duket punë e vogël të jesh dhëndër i mbretit? Kurse unë jam njeri skamnor e i hollë”?

24 Zyrtarët e Saulit i lajmëruan: “Kështu ka folur Davidi”.

25 E Sauli u tha: “Kështu thuajini Davidit: ‘Mbreti s’kërkon gjë për fejesë. Kërkon vetëm njëqind zhanga filistenjsh, që të bëhet hakmarrja e mbretit’”. Me këtë Sauli mendonte t’ua lëshonte Davidin në duar filistenjve.

26 Kur ia treguan shërbëtorët Davidit fjalët që i kishte thënë Sauli, Davidit iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit.

27 Ende pa kaluar ditët, Davidi u çua e shkoi me njerëzit që i kishte nën sundim, vrau dyqind filistenj, ua mori zhangat dhe ia numëruan mbretit për t’u bërë dhëndri i tij.

Kështu, pra, Sauli ia dha Mikolën, vajzën e vet, për grua.

28 E pa Sauli dhe mirë e mori vesh se Zoti ishte me Davidin. E Mikola, bija e Saulit, e donte Davidin.

29 Sauli filloi ta druajë edhe më tepër Davidin. U bë armik i Davidit për tërë jetën.

30 Prijësit e filistenjve dilnin të luftonin, por, sa herë që dilnin, Davidit i shkonte puna mbarë, më tepër se të gjithë prijësve të tjerë të Saulit dhe emri i tij erdhi e u bë shumë i përmendur.



Fjala e Zotit