1 Sauli i tregoi Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë nëpunësve të vet se mendonte ta vriste Davidin. Jonatani tashmë e donte Davidin pa masë.
2 Jonatani i dëftoi Davidit e i tha: “Sauli, im atë, kërkon të të vrasë. Prandaj, ruaju, po të lutem, nesër në mëngjes: rri fshehur e struku.
3 Unë do të dal e do të qëndroj përbri babait kudo të jesh në arë. Unë do të flas me tim atë për punë tënde, e, gjithçka të hetoj, do të ta tregoj ty”.
4 Jonatani foli mirë për Davidin me babain e vet, Saulin, e i tha: “Mos të mëkatojë mbreti kundër shërbëtorit të vet Davidit, sepse nuk të ka bërë farë faji, përkundrazi veprat e tija të kanë sjellë shumë dobi.
5 Jetën e vet e ka vënë ndër gërshërë: e vrau filisteun dhe Zoti i dha fitore të madhe mbarë Izraelit: e pe dhe u gëzove. Pse atëherë mëkaton kundër gjakut të pafajshëm, e mendon ta vrasësh Davidin që s’ka faj”?
6 Sauli, kur i dëgjoi këto fjalë, u qetësua nga fjala e Jonatanit, dhe u përbetua: “Pasha Zotin ai nuk do të vritet”!
7 Atëherë Jonatani e thirri Davidin dhe ia tregoi të gjitha këto fjalë. Jonatani e paraqiti Davidin te Sauli dhe qëndroi tek ai, siç kishte qëndruar më parë.
8 Plasi lufta përsëri e Davidi doli në luftë kundër filistenjve dhe i shpartalloi aq rreptë, saqë ikën para tij.
9 Atëherë shpirti i keq i dërguar prej Zotit e pushtoi Saulin. Sauli rrinte në shtëpi të vet me heshtë në dorë, kurse Davidi i binte harpës.
10 Sauli u mundua ta mbërthejë Davidin me heshtë për muri, por Davidi iu shmang gjuajtjes së Saulit, e heshta u ngul në mur. Po atë natë Davidi iku dhe e shpëtoi kokën.
11 Sauli dërgoi njerëzit e vet te shtëpia e Davidit për ta ruajtur e për ta vrarë në mëngjes.
Për këtë gjë e njoftoi Davidin Mikola, gruaja e tij, e i tha: “Nëse nuk i gjen rrugë shpëtimi vetvetes sonte, nesër në mëngjes do të vritesh, ”
12 dhe e lëshoi nëpër dritare. Davidi u arratis dhe shpëtoi duke ikur.
13 Mikola mori një idhull, e vuri në shtrat, në kokë i vuri lëkurë dhie me lesh dhe e mbuloi me mbulesë.
14 Sauli dërgoi lajmëtarët për ta grabitur Davidin dhe ata morën përgjigje se ishte i sëmurë.
15 Sauli përsëri i dërgoi lajmëtarët për ta parë Davidin, e u tha: “Silleni tek unë në shtrat që ta vras”!
16 Kur erdhën kasnecët, u gjet idhulli mbi shtrat dhe lëkura e dhisë rreth kokës së tij.
17 Sauli i tha Mikolës: “Përse më gënjeve kështu dhe e lejove armikun tim që të ikë”? Mikola iu përgjigj Saulit: “Sepse ai më tha: ‘Më lësho të shkoj, se, përndryshe, të vrava’”!
18 Kështu Davidi, duke ikur, shpëtoi. Shkoi në Ramë te Samueli dhe i tregoi gjithçka i kishte bërë Sauli. Atëherë u çuan ai dhe Samueli e shkuan për të jetuar në Najot.
19 I çuan fjalë Saulit e i thanë: “Davidi është në Najot, në Ramë”.
20 Atëherë Sauli dërgoi kasnecët për ta rrëmbyer Davidin. Por këta, kur e panë çetën e profetëve duke kaluar në vëgime profetike me Samuelin në krye, i rrëmbeu edhe ata shpirti i Hyjit, e kaluan edhe ata në trans profetik.
21 Kur e lajmëruan Saulin për këtë, ai dërgoi të tjerë kasnecë, por edhe ata profetizuan. Përsëri Sauli dërgoi kasnecët e tretë, por edhe këta kaluan në vëgime profetike.
22 Atëherë Sauli u nis vetë në Ramë. Kur arriti te pusi i madh që është në Soko, pyeti: “Ku janë Samueli e Davidi”? Ju përgjigjën: “Ja, ata gjenden në Najot, në Ramë.”
23 Prej andej shkoi në Najot, në Ramë. Po edhe atë e pushtoi shpirti i Hyjit dhe vazhdoi udhën në gjendje të vëgimit profetik derisa arriti në Najot, në Ramë.