1 U largua, pra, prej andej Davidi dhe u strehua në shpellën Odolam. Kur e morën vesh vëllezërit e tij dhe mbarë shtëpia e t’et, zbritën atje, tek ai.
2 U bashkuan tek ai edhe të gjithë ata që ndodheshin ngushtë për shkak të detyrimeve, të shtypjes dhe të pakënaqësive dhe Davidi u bë prijës i tyre. Ishin me të rreth katërqind vetë.
3 Prej këndej Davidi shkoi në Masfë, që është në tokën e Moabit. Mbretit të Moabit i tha: “Po të lutem, prano të qëndrojnë me ju im atë dhe nëna ime derisa të mësoj se ç’do të bëjë Hyji për mua”.
4 Dhe i la ata te mbreti i Moabit. Ata ndenjën tek ai për tërë kohën sa Davidi qëndroi në strehim.
5 Por profeti Gad i tha Davidit: “Mos rri më në strehim. Nisu e shko në tokën e Judës”. Davidi u çua e shkoi në pyllin e Haretit.
6 Sauli e mori vesh se ishin parë Davidi dhe njerëzit që ishin me të. Sauli ndodhej në Gaba. Po rrinte nën marenën që është në një lartësirë. Në dorë mbante heshtën, i rrethuar prej të gjithë oborrtarëve të vet.
7 Atëherë u tha oborrtarëve të vet, që po i rrinin pranë: “Dëgjoni, beniaminas! A do t’ju japë të gjithë juve edhe i biri Isait toka e vreshta, a do t’ju bëjë të gjithë mijëtarë e qindtarë,
8 që të gjithë u bëtë tok kundër meje. Si s’u gjet një që të më njoftojë se im bir bëri besëlidhje me të birin e Isait? Si s’u gjet një që ta ankojë gjendjen time? Si s’u gjet asnjë që të më vërë në dijeni se im bir e nxit shërbëtorin tim kundër meje për të më vënë prita mua, siç po bën sot”?
9 Atëherë foli Doegu idumeas që ishte me oborrtarët e Saulit, e tha: “E pashë të birin e Isait në Nob te prifti Akimelek, biri i Akitobit.
10 Ai e pyeti për të Zotin dhe i dha ushqime. I dha, madje, edhe shpatën e Goliatit filiste”.
11 Atëherë mbreti dërgoi për ta sjellë Akimelekun prift, bir i Akitobit, dhe mbarë shtëpinë e babait të tij, priftërinj që ishin në Nob. Të gjithë erdhën te mbreti.
12 Sauli tha: “Dëgjo, biri i Akitobit”! Ai u përgjigj: “Urdhëro, zotëri”!
13 Sauli vazhdoi: “Përse u lidhët me përbetim kundër meje ti dhe biri i Isait? I dhe bukë e shpatë dhe e pyete për të Hyjin, që të çohet kundër meje e të më vërë prita siç po bën sot”?
14 Akimeleku iu përgjigj mbretit: “Po kush është ndër të gjithë oborrtarët e tu besnik si Davidi, dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate, një njeri i nderuar në familjen tënde?
15 Pse, a sot fillova ta pyes Hyjin për të? Qoftë larg meje kjo që mbretit t’i shkojë edhe ndër mend një gjë e tillë kundër shërbëtorit të vet, kundër mbarë shtëpisë së tim eti. Për këtë punë as që ka ditur gjë shërbëtori yt, as të vogël as të madhe”.
16 Mbreti iu përgjigj: “Dënohesh me vdekje, Akimelek, ti dhe mbarë shtëpia e babait tënd”!
17 Mbreti u urdhëroi kasnecëve që i kishte përreth: “Suluni dhe vritini priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata, përkrahin Davidin. E kanë ditur se ka ikur e nuk më kanë njoftuar”. Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të ngrinin dorën për t’i vrarë priftërinjtë e Zotit.
18 Atëherë mbreti i tha Doegut: “Sillu ti e sulu mbi priftërinjtë”! U soll Doegu dhe i sulmoi priftërinjtë. I copëtoi atë ditë tetëdhjetë e pesë burra të veshur me shpinorë të linjtë.
19 E sulmoi edhe Nobin, qytetin e priftërinjve dhe i goditi me teh shpate trim e grua, të vegjël e foshnja, ka, gomar e dele, të gjitha i përshkoi në teh të shpatës.
20 Shpëtoi vetëm një djalë i Akimelekut, birit të Akitobit, i cili e ka emrin Abiatar. Ky u strehua te Davidi
21 dhe i tregoi se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.
22 Davidi i tha Abiatarit: “Ma merrte mendja atë ditë se, meqenëse aty ndodhej Doegu idumeas, do t’i lajmëronte patjetër Saulit. Unë jam fajtor për vdekjen e të gjithë anëtarëve të familjes së babait tënd.
23 Qëndro me mua e mos ki frikë. Ai që kërkon të ma marrë mua jetën, kërkon ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i ruajtur mirë”.