< 1Sam 22 1Sam 24 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 23)
23

1 I lajmëruan Davidit e i thanë: “Ja, filistenjtë e kanë rrethuar Cejlën dhe po i plaçkitin lëmenjtë”.

2 Davidi e pyeti Zotin e tha: “A të shkoj e t’i godas këta filistenj”? Zoti i tha: “Shko, se do t’i mundësh filistenjtë e do ta shpëtosh Cejlën”.

3 Njerëzit që ishin me Davidin, i thanë: “Shiko: ne jemi në frikë të vazhdueshme edhe këtu në Judë! Po si do të jetë nëse do të shkojmë në Cejlë kundër çetave të filistenjëve”?

4 Davidi përsëri kërkoi këshillë prej Zotit, i cili iu përgjigj:

“Ngrihu e shko në Cejlë, sepse unë do t’i lëshoj filistenjtë në dorë tënde”.

5 Atëherë Davidi u nis me njerëzit e vet e shkoi në Cejlë, luftoi kundër filistenjve, i dëboi bagëtitë e tyre dhe i mundi keqas. Kështu Davidi i shpëtoi banorët e Cejlës. ‑

6 Asohere kur Abiatari u strehua te Davidi, edhe ai zbriti me Davidin në Cejlë duke marrë me vete shpinorin.

7 E lajmëruan Saulin se Davidi kishte zbritur në Cejlë. Sauli tha: “E lëshoi Zoti në duar të mia: ai vetë e qiti veten në lak pasi ka hyrë në qytet të mbyllur me dyer e me shula”!

8 Sauli mblodhi mbarë popullin për të zbritur në luftë në Cejlë për ta rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.

9 Kur e mori vesh Davidi se Sauli po bëhej gati për t’ia bërë të zezën tinëz, i tha Abiatarit prift: “Bjere shpinorin”!

10 Atëherë Davidi tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Shërbëtori yt dëgjoi se Sauli po bëhet gati që të vijë kundër Cejlës për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.

11 A do të më lëshojnë njerëzit e Cejlës në dorë të Saulit? A do të zbresë Sauli siç dëgjoi shërbëtori yt? O Zot, Hyji i Izraelit, dëftoji shërbëtorit tënd”! E Zoti i tha: “Do të zbresë”!

12 E Davidi vazhdoi: “A do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi te Sauli këta, njerëzit e Cejlës”? Zoti iu përgjigj: “Do të të dorëzojnë”!

13 U çua, pra, Davidi dhe njerëzit e tij ‑ ishin gjashtëqind vetë ‑ dolën prej Cejlës dhe endeshin andej ‑ këndej, pa qëllim. E lajmëruan edhe Saulin se Davidi kishte dalë prej Cejlës, prandaj as nuk doli për sulm.

14 Davidi shkoi për të jetuar në shkretëtirë, në vende të pakalueshme dhe qëndroi në male në shkretëtirën Zif. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Hyji nuk e lëshoi kurrë në duar të tija.

15 Davidi e mori vesh se Sauli kishte dalë që ta kërkonte për t’ia marrë jetën. Davidi gjendej në shkretëtirën e Zifit, në Horesë.

16 U çua Jonatani, biri i Saulit, dhe shkoi te Davidi në Horesë. Ai i dha zemër Davidit në emër të Zotit. I tha:

17 “Mos ki frikë! Ti s’do të biesh në duar të Saulit, tim eti. Ti do të mbretërosh mbi Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë, Sauli”.

18 U lidhën, pra, besa ‑ besë me njëri ‑tjetrin para Zotit. Davidi qëndroi në Horesë, kurse Jonatani u kthye në shtëpinë e vet.

19 Zifasit shkuan te Sauli në Gaba e i thanë: “Davidi fshihet ndër ne në vende të sigurta në Horesë, në malin Hakilë, që është në jug të shkretëtirës.

20 Tani, pra, po deshi zemra jote, o mbret, që të zbresë atje, zbrit; është puna jonë që ta shtiem në duar të mbretit”.

21 Sauli u tha: “Qofshi bekuar prej Zotit, pasi po ankoni gjendjen time!

22 Shkoni, po ju lutem, e përgatitni gjithçka me kujdes, shikoni me vëmendje e vëreni vendin nga kalon ai dhe merrni hetime kush e ka parë aty: po më thonë se është shumë dinak.

23 Gjeni e vëreni të gjitha strehimet e tija ku fshihet e, kur t’ia gjeni vendin e sigurt, kthehuni tek unë që të vij edhe vetë me ju. E në qoftë se ecën nëpër tokë, do ta kërkoj në çdo vend të Judës”.

24 Ata atëherë u ngritën e shkuan në Zif para Saulit.

Davidi e njerëzit e tij ishin në shkretëtirën Maon, në Arabë, në jug të shkretëtirës.

25 Atëherë doli edhe Sauli me njerëzit e vet për ta kërkuar Davidin. E lajmëruan për këtë Davidin. Davidi zbriti në Qetë e qëndronte në Maon. Kur e mori vesh Sauli, iu vu pas Davidit në shkretëtirën e Maonit.

26 Sauli ecte njërit shpat të malit, kurse Davidi me njerëzit e vet shkonte shpatit tjetër të malit. Davidi u jepte sa ku mundte këmbëve për t’i ikur Saulit. E Sauli me njerëzit e vet po krijonte rrethin për ta zënë Davidin me gjithë ta,

27 kur ja, arriti lajmëtari që tha: “Shpejto e eja se filistenjtë e vërshuan tokën!”

28 Atëherë Sauli e la ndjekjen e Davidit e u kthye për t’u ndeshur me filistenjtë. Për këtë arsye ai vend u quajt: “Qeta e shpërndarjes”.



Fjala e Zotit