< 1Sam 24 1Sam 26 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 25)
25

1 Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u bashkua, i bënë gjëmën dhe e varrosën në vendin e tij në Ramë.

Davidi u çua dhe zbriti në shkretëtirën Maon.

2 Ndodhej njëfarë burri në shkretëtirën Maon. Pronën e kishte në Karmel. Ishte njeri shumë i pasur. Kishte tri mijë dele e një mijë dhi. Ishte në Karmel për qethjen e deleve.

3 Njeriu quhej Nabal e gruaja e tij Abigajlë. Ishte një grua shumë e urtë dhe e pashme. Burri i saj ishte i vrazhdtë dhe i keq. Ishte prej barkut të Kalebit.

4 Kur Davidi në shkretëtirë dëgjoi se Nabali po qethte delet e veta,

5 i dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: “Dilni në Karmel, shkoni te Nabali e përshëndeteni prej anës sime.

6 Thuajini kështu vëllait tim: ‘Paqja me ty, paqja me shtëpinë tënde, paqja qoftë me gjithçka ke!

7 Tani mora vesh se kishe qethtarë. Barinjtë e tu kanë qenë me ne në shkretëtirë e ne kurrë nuk i kemi trazuar. Asnjëherë nuk u mungoi asnjë kokërr prej grigjës për tërë kohën sa qenë me ne në Karmel.

8 Pyeti shërbëtorët e tu dhe ata do të të tregojnë. Prandaj, le të gjejnë pritje të mirë këta djelmosha tek ti: të kemi ardhur në ditë feste! Ç’të kesh për doresh, jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd Davidit’”.

9 Djelmoshat e Davidit, kur erdhën, ia thanë Nabalit të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe heshtën.

10 Por Nabali iu përgjigj djelmoshave të Davidit e u tha: “Po kush është Davidi e kush është biri i Isait?! Sot u shtuan skllevërit që u ikin zotërinjve të vet!

11 A thua më duhet, pra, ta marr bukën time, ujët tim, mishin e bagëtive që i preva për qethtarët e mi, e t’ua jap njerëzve që nuk di nga janë”!?

12 U sollën, pra, djelmoshat e Davidit dhe u kthyen udhës nga erdhën dhe i treguan Davidit të gjitha këto fjalë.

13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të vet: “Le të ngjeshë secili shpatën e vet”! Secili ngjeshi shpatën e vet, po edhe Davidi ngjeshi shpatën e vet dhe, rreth katërqind burra i shkuan pas, kurse dyqind vetë ndenjën te pajisjet.

14 Por Abigajlën, gruan e Nabalit, e lajmëroi një nga shërbëtorët e saj e i tha: “Ja, Davidi prej shkretëtirës i dërgoi lajmëtarët e vet për t’i sjellë urimet e veta zotërisë sonë, por ai i dëboi me fjalë.

15 Këta njerëz kanë qenë shumë të mirë me ne: nuk kanë qenë të mërzitshëm; asnjë gjë nuk na humbi gjatë krejt kohës sa jetuam me ta në shkretëtirë.

16 Mur mburonjës i kemi pasur natë e ditë gjatë krejt kohës sa i kullotëm grigjat ndër ta.

17 Për këtë arsye mendo e pleqëro çfarë të duhet të bësh, sepse me siguri do t’i bëjnë ndonjë të zezë zotërisë sonë dhe mbarë familjes së tij. E zotëria është njeri i keq, kështu që askush s’mund të flasë me të”.

18 Abigajla shpejt e shpejt mori dyqind bukë, dy rrëshiqa me verë, pesë desh të pjekur, pesë masa grurë të pjekur, njëqind vile rrushi të thatë, dyqind ëmbëlsira fiqsh dhe i ngarkoi mbi gomarë.

19 Shërbërorëve të vet u tha: “Nisuni para meje, se ja, do t’ju zë”. Burrit të vet, Nabalit, nuk i tregoi.

20 Ndërsa ajo, kaluar mbi një gomar, po zbriste pas një bërryli malor, edhe Davidi, me njerëzit e vet, po zbriste përballë saj, kështu që ajo u takua me ta.

21 Davidi thoshte: “Vërtet kot ia ruajta gjënë e tij që e kishte në shkretëtirë, dhe nuk i humbi asnjë kokërr që i përkiste atij e ky ma ktheu të mirën me të keqe.

22 Kështu ua bëftë Hyji armiqve të Davidit e edhe më zi nëse do t’i lë gjallë deri nesër në mëngjes a ndonjë mashkull të tij”!

23 Posa e pa Abigajla Davidin, zbriti me të shpejtë prej gomarit, ra me fytyrë përdhe para Davidit e u përkul deri në tokë.

24 Ra para këmbëve të Davidit e tha: “Gabimi im, gabimi im, Imzot! Të lutem, lejo të të flasë shërbëtorja jote e dëgjo fjalët e shërbëtores sate.

25 Të mos shqetësohet, lutem, Imzoti për punë të atij marroçi ‑ Nabalit, sepse siç i thotë edhe emri i tij: është i marrë dhe marrëzira është me të. Kurse unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat e imzotit që i kishe nisur.

26 E tani, imzot, pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetë Zoti nuk deshi që të derdhje gjak e ta çoje në vend drejtësinë me dorën tënde. E tani si Nabali u bëfshin të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që imzotit ia mendojnë të keqen!

27 Prandaj pranoje këtë dhuratë që ia solli shërbëtorja jote zotërisë sim dhe ua jep djelmoshave që ndjekin imzotin.

28 Falja, po të lutem, fajin shërbëtores sate.

E Zoti që bën mirë gjithmonë, do t’i bëjë imzotit një shtëpi të qëndrueshme, sepse imzoti lufton luftërat e Zotit: prandaj të mos gjendet vepër e keqe në zotërinë tim gjatë krejt jetës sate.

29 E në qoftë se ndonjëherë do të ngrihet ndonjë njeri për të të salvuar e për të ta marrë jetën tënde, jeta e imzotit do të jetë e ruajtur në arkën e jetës te Zoti, Hyji yt; kurse jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë tej vrullshëm me rrotullim të bahes!

30 E kur Zoti do t’i çojë në vend të gjitha të mirat që t’i ka premtuar, ai do të të vërë prijës mbi Izraelin,

31 atëherë zotëria im s’do të ketë ankth në shpirt e bremje në zemër se ke derdhur gjak më kot e se je hakmarrë me dorën tënde. E kur ta ketë bekuar Zoti imzotin, le të të bjerë ndërmend për shërbëtoren tënde”.

32 Davidi i tha Abigajlës: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua! Qoftë bekuar edhe urtësia jote

33 e qofsh bekuar edhe ti që më pengove sot të mos derdhi gjak e të mos hakmerrem me dorën time!

34 Se, përndryshe, pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, që më ndaloi të mos të të bëj keq, po të mos më kishe ardhur me kohë në takim, gjallë s’do t’i kishte mbetur deri në agimin e mëngjesit Nabalit asnjë mashkull”.

35 Atëherë Davidi pranoi prej dorës së saj gjithçka i kishte sjellë ajo dhe i tha: “Shko në paqe në shtëpinë tënde. Shiko: ta dëgjova fjalën: qofsh falur”!

36 Abigajla u kthye te Nabali. Dhe ja, në shtëpi po bënte gosti, me të vërtetë një gosti mbretërish! Ishte shumë i gëzuar e krejtësisht i dehur. Ajo nuk i tregoi asgjë deri në mëngjes.

37 Në mëngjes, kur Nabalit i kishte dalë vera, gruaja e tij ia tregoi të gjitha. Atëherë e lëshoi zemra përbrenda në parzëm: u bë si gur.

38 Pasi kaluan dhjetë ditë, Zoti e goditi Nabalin e vdiq.

39 Kur e mori vesh Davidi se kishte vdekur Nabali, tha: “Qoftë bekuar Zoti që e shpagoi fyerjen që ma bëri Nabali e që e ruajti shërbëtorin e vet të mos hakmerrej vetë dhe që të keqen që bëri Nabali e solli mbi kokën e tij”.

Atëherë Davidi dërgoi njerëzit për t’i thënë Abigajlës se kishte qëllim ta merrte për grua.

40 Shkuan, pra, djelmoshat e Davidit tek Abigajla në Karmel dhe i thanë: “Davidi na ka dërguar tek ti për të të marrë për grua të tij”.

41 Ajo u ngrit, u përkul në shenjë nderimi e tha: “Ja, shërbëtorja jote është e gatshme t’ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzotit”.

42 U ngrit me nxitim Abigajla, hipi në gomar, pesë shërbëtoret e saja i shkuan pas. Ajo shkoi pas të dërguarve të Davidit dhe u bë gruaja e tij.

43 Davidi e kishte marrë për grua edhe Akinoamën prej Jezrahelit dhe të dyja ishin gra të tija.

44 Kurse Sauli Mikolën, bijën e vet, gruan e Davidit, ia kishte dhënë Faltiut, birit të Lajisit, që ishte prej Galimit.



Fjala e Zotit