1
Zifasit shkuan te Sauli në Gabà e i thanë: “Ja, Davidi fshihet në kodrën e Hakilës, përballë shkretëtirës”.
2 Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tri mijë vetë, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif.
3 Sauli nguli fushimin në kodrën e Hakilës, që është përballë shkretëtirës, anash rrugës. E Davidi banonte në shkretëtirë. Kur pa se kishte ardhur Sauli pas tij në shkretëtirë,
4 dërgoi hetues dhe mësoi se me të vërtetë kishte ardhur atje.
5 Davidi u çua e shkoi në vendin ku ishte Sauli. Kur e pa vendin ku flinte Sauli dhe Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së tij, Sauli po flinte brenda rrethit, kurse populli tjetër rreth e rreth tij,
6 Davidi i tha Akimelekut heteas dhe Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit: “Cili zbret me mua te Sauli në fushim”? Iu përgjigj Abisai: “Unë zbres me ty”.
7 Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te koka e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.
8 Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej përtokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë”.
9 Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm”?
10 Atëherë Davidi shtoi: “Pasha jetën e Zotit, vetë Zoti do ta godasë, ose do t’i vijë dita të vdesë, ose do të dalë në luftë e do të vritet.
11 Zoti mos e thëntë që unë të çoj dorë kundër të shuguruarit të Zotit! Tani pra, merre heshtën që është te koka e tij dhe brokën e ujit e të largohemi”.
12 Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te koka e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s’diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.
13 Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në majë të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe ndërmjet,
14 atëherë Davidi i lëshoi zë ushtrisë dhe Abnerit, birit të Nerit e tha: “A nuk do të përgjigjesh, o Abner”? Abneri u përgjigj: “Kush je ti? Bërtet dhe e trazon mbretin!”
15 Atëherë Davidi i tha Abnerit: “Ti je burrë, a jo? E kush është trim si ti në Izrael? Pse, atëherë nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? E pra, ka hyrë dikush prej popullit me qëllim që ta vrasë mbretin, zotërinë tënd!
16 S’është mirë siç ke vepruar ti! Pasha Zotin e gjallë, e keni merituar vdekjen që të gjithë ju që nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të shuguruarin e Zotit. Tani, pra, shiko ku është heshta e mbretit e ku është broka e ujit, që ishte te koka e tij”!
17 Por Sauli e njohu zërin e Davidit e tha: “A mos është ky zëri yt, biri im David”? Davidi tha: “Zëri im, o mbret, zotëria im”!
18 E vazhdoi: “Për ç’arsye imzoti e ndjek shërbëtorin e vet? Ç’kam bërë? Çfarë faji është në mua?
19 Tani, pra, le t’i dëgjojë, po të lutem, zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet: Nëse Zoti të çon peshë kundër meje, i pëlqeftë flia e erëndshme! Por në qofshin njerëzit ata që të nxisin, qofshin mallkuar para Zotit, pse më dëbuan sot e më hodhën jashtë trashëgimit të Zotit, duke më thënë: ‘Shko, shërbeju zotave të huaj’!
20 E tani, mos u derdhtë gjaku im për tokë larg prej fytyrës së Zotit, pasi mbreti i Izraelit ka dalë që të kërkojë një plesht, sikurse kur ndokush del të gjuajë thëllëzën maleve”.
21 Sauli tha: “Kam mëkatuar! Kthehu, biri im, David! Assesi s’do të të bëj më keq, meqenëse sot para syve të tu jeta ime ka qenë e çmueshme. Shihet se kam vepruar marrëzisht e kam gabuar shumë, tepër shumë”.
22 Por Davidi iu përgjigj: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë.
23 Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s’desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit.
24 Dhe sikurse jeta jote sot qe e shtrenjtë për sytë e mi, ashtu edhe jeta ime qoftë e çmueshme për sytë e Zotit e më shpëtoftë prej çdo rreziku”.
25 Sauli i tha Davidit: “Qofsh bekuar, biri im David! Çkado që do të ndërmarrësh, faqebardhë do të dalësh”!
Davidi shkoi në punë të vet e Sauli u kthye në shtëpi të vet.