1 Erdhën, pra, njerëzit e Kariatiarimit dhe e çuan Arkën e Zotit tek ata dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadabit, në një kodër. Ata e shuguruar Eleazarin, birin e Abinadabit, që ta ruajë Arkën e Zotit.
2 Kështu pra, që prej ditës kur Arka e Zotit qëndroi në Kariatiarim, kaluan ditë bukur shumë ‑ njëzet vjet ‑ dhe mbarë populli i Izraelit zuri të lëshojë ofshama drejt Zotit.
3 Atëherë Samueli iu drejtua mbarë shtëpisë së Izraelit me këto fjalë: “Nëse me gjithë zemër doni të ktheheni te Zoti, hiqni zotat e huaj, dhe astarotët prej mesit tuaj. Drejtojani zemrat tuaja Zotit, shërbejini vetëm Atij dhe Ai do t’ju shpëtojë prej dorës së filistenjve.”
4 Bijtë e Izraelit i flakën baalët e astarotët dhe i shërbyen vetëm Zotit.
5 Samueli tha: “Bashkojeni mbarë Izraelin në Masfë që t’i lutem Zotit për ju”.
6 U bashkuan në Masfë, nxorën ujë, e derdhën para Zotit, agjëruan atë ditë dhe thanë aty: “Kemi mëkatuar ndaj Zotit”. Samueli në Masfë qe gjyqtar i Izraelit.
7 Filistenjtë e morën vesh se izraelitët ishin bashkuar në Masfë dhe princat e filistenjve shkuan kundër Izraelit. Kur e morën vesh bijtë e Izraelit, i kapi frika e filistenjve
8 e i thanë Samuelit: “Mos pusho ta thërrasësh në ndihmë Zotin, Hyjin tonë, që të na shpëtojë prej dorës së filistenjve”.
9 Samueli mori një qengj që e ndërgonte t’ëmën dhe të tërin ia kushtoi Zotit fli shkrumbimi dhe iu lut Samueli Zotit për bijtë e Izraelit dhe Zoti e vështroi.
10 Dhe, ndërsa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistenjtë nisën luftën kundër Izraelit. Atë ditë Zoti gjëmoi me bubullimë të tmerrshme përmbi filistenj dhe ua futi frikën e izraelitët bënë kërdi në ta.
11 Izraelitët dolën prej Masfës i ndoqën filistenjtë dhe i prenë deri në vendin që është në Betëhar.
12 Atëherë Samueli mori një gur dhe e vendosi ndërmjet Masfës e Senit dhe e quajti atë vend Abenezer /d. m. th. Guri i ndihmës/ dhe tha: “Deri këtu na ndihmoi Zoti”.
13 Kështu u mposhtën filistenjtë dhe s’patën më guxim të vijnë në tokat e Izraelit. Dora e Zotit rëndoi mbi filistenj gjatë gjithë kohës së Samuelit.
14 Izraelit iu kthyen edhe qytetet që filistenjtë ia kishin marrë, prej Akaronit deri në Get. Izraeli i çliroi të gjitha tokat prej duarve të filistenjve. E qe paqe ndërmjet izraelitëve e amorrenjve.
15 Samueli ishte gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij
16 dhe për çdo vit shkonte në Betel, Galgalë e Masfë e ushtronte detyrën e gjyqtarit në qytetet e përmendura. Pastaj kthehej në Ramë, sepse aty e kishte shtëpinë dhe aty rëndom ushtronte detyrën e gjyqtarit të Izraelit. Aty ndërtoi edhe një lter për nder të Zotit.