< 2Kro 16 2Kro 18 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 17)
17

1 Në vend të tij u bë mbret Jozafati, biri i tij. Ky e përforcoi pushtetin e vet kundër Izraelit.

2 I dërgoi ushtarët e vet në të gjitha qytezat e Judës që ishin të rrethuara me mure. Caktoi edhe garnizone në tokën e Judës dhe në qytetet e Efraimit që i pushtoi babai i tij, Asa.

3 Zoti qe me Jozafatin, sepse sjellja e tij ishte si sjellja e babait të tij në fillim dhe nuk shpresonte në Baalën,

4 por në Hyjin e babait të vet dhe jetoi sipas urdhërave të tij e jo në mëkate si bijtë e Izraelit.

5 Zoti e bëri të fortë mbretërinë e tij. Mbarë Juda i sillte dhurata Jozafatit dhe kështu fitoi pasuri të madhe e lavdi të shquar.

6 Zemra e tij bëhej përherë e më e guximshme për të ecur udhëve të Zotit dhe kështu i zhduki në Judë lartësirat dhe banirët.

7 Në vitin e tretë të mbretërimit të vet i dërgoi prijësit e vet Benhailin, Obdinë, Zakarinë, Natanaelin e Mikenë që të jepnin mësim në qytetet e Judës.

8 Me ta ishin edhe levitët Semeja, Natania, Zabadia, Asaeli dhe Semiramoti, Jonatani, Adonia e Tobia, me ta ishin edhe priftërinjtë Elisama e Jorami.

9 Ata zunë të japin mësim nëpër Judë e për doracak e kishin Librin e Ligjit të Zotit. Këta i qarkullonin të gjitha qytetet e Judës dhe e mësonin popullin.

10 Kështu frika e Zotit i kishte pushtuar të gjitha mbretëritë e dheut, që ishin përreth Judesë dhe nuk kishin guxim të bënin luftë kundër Jozafatit.

11 Po edhe filistinët i paguanin Jozafatit tatime dhe taksa në të holla. Kështu edhe arabët i sillnin bagëti të imëta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe po aq cjepër.

12 Kështu Jozafatit dita‑ditës i rritej pushteti sa që u bë shumë i madh. Në Judé ndërtoi qyteza dhe qytete drithnike.

13 Kishte nozullime të begatshme në qytetet e Judës. Kishte shumë trima të fortë luftëtarë në Jerusalem.

14 Dhe, ja, njësitë sipas vëllazërive: në Judë, prijësit e ushtrisë: Prijësi Ednas dhe me të treqind mijë luftëtarë.

15 Për krah tij prijësi Johanan dhe me të dyqind e tetëdhjetë mijë.

16 Përsëri për krah të këtij Amasia, biri i Zekriut, i shuguruari i Zotit, dhe me të dyqind mijë trima të zgjedhur.

17 Prej Beniaminit burrakoçi për luftë, Eliada, e me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe e me shqyta.

18 Për krah tij Jozabadi e me të njëqind e tetëdhjetë mijë të gatshëm për luftë.

19 Këta ishin drejtpërdrejt nën shërbimin e mbretit pa i numëruar ata të tjerët që i kishte vendosur në qytezat e fortifikuara kudo në Judë.



Fjala e Zotit