1 Pas kësaj bijtë e Moabit, bijtë e Amonit e me ta edhe maonitët, u bashkuan për të luftuar kundër Jozafatit.
2 Erdhën disa lajmëtarë dhe e njoftuan Jozafatin kështu: “Po vjen kundër teje një shumicë e madhe prej vendeve që janë përtej detit: prej Edomit dhe ja, arritën në Asasonta‑ mar, d. t. th. në Engadi”.
3 Ndërkaq Jozafati i tronditur nga frika, u përqëndrua krejtësisht në lutje Zotit dhe urdhëroi të agjërojë mbarë Juda.
4 Të gjithë judenjtë u bashkuan për t’iu lutur Zotit. Erdhën nga të gjitha qytetet për t’iu lutur Zotit.
5 Atëherë Jozafati u ngrit në këmbë para tubimit të Judës në Jerusalem, në Shtëpinë e Zotit, para tremes së re
6 dhe tha: “O Zot, Hyji i etërve tanë! Ti je Hyji qiellor, ti zotëron me të gjitha mbretëritë e kombeve! Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti! Askush s’mundet të të bëjë ballë ty!
7 A s’qe ti, Hyji ynë, ai që i çrrënjosi banorët e këtij vendi para popullit tënd, Izraelit, e ia dhurove farës së Abrahamit, mikut tënd të përhershëm?
8 Ata banuan në të dhe në të e ndërtuan në nder të Emrit tënd Shenjtëroren e u lutën:
9 ‘Nëse sulen kundër nesh të këqijat: shpata hakmarrëse, murtaja ose uria, do të qëndrojmë para kësaj Shtëpie, në praninë tënde ‑ sepse Emri yt banon në këtë Shtëpi ‑ dhe në vështirësitë tona do të kërkojmë ndihma prej teje e ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh’!
10 Dhe, ja, tani bijtë e Amonit, bijtë e Moabit e malësorët e Seirit, nëpër të cilët nuk i dha leje Izraelit të kalojë, kur po dilte nga Egjipti, por u shmangën prej tyre e nuk i shfarosën ‑
11 e ata tani po bëjnë çmos e po mundohen të na dëbojnë prej pronës sate që ti na e dhurove.
12 Hyji ynë, vallë a nuk do ta zbatosh mbi ta dënimin tënd? E pra ne nuk kemi aq fuqi sa të mund t’i bëjmë ballë gjithë kësaj morie që po sulet mbi ne; por, pasi nuk dimë se çfarë na duhet të bëjmë, s’na ka mbetur tjetër shpresë përveç se t’i drejtojmë sytë tanë te ti”.
13 Të gjithë judenjtë me foshnja, gra e fëmijë të vet qëndronin në këmbë para Zotit.
14 Atëherë, mes kuvendit të dheut, shpirti i Zotit e pushtoi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Banajës, të birit të Jehielit, të birit të Matanisë, një levit prej bijve të Asafit.
15 Ky tha: “Më dëgjoni të gjithë, o judenj edhe ju banorë të Jerusalemit dhe ti, mbreti Jozafat! Kështu ju urdhëron Zoti: Mos u trembni as mos ia kini frikën kësaj morie të madhe, s’do të luftoni ju, por Hyji!
16 Nesër zbritni kundër tyre! Ata do t’i ngjiten tatëpjetës që quhet Sis. Do t’i gjeni në krye të përroit të thatë, që është përballë shkretëtirës Jeruel.
17 S’do të jeni ju ata që do të luftoni; ju vetëm qëndroni në këmbë dhe do ta shihni ndihmën e Zotit mbi ju, o judenj e jerusalemas! Mos u trembni as mos kini frikë! Nesër dilni ballë për ballë kundër tyre dhe Zoti do të jetë me ju”!
18 Atëherë Jozofati ra me fytyrë përdhe si dhe të gjithë judenjtë e jerusalemasit ranë me fytyrë përdhe para Zotit dhe e adhuruan.
19 Ndërkaq levitët ‑ bijtë e Kaatit dhe bijtë e Koreut ‑ u ngritën ta lavdëronin Zotin, Hyjin e Izraelit, me zë të lartë.
20 Të nesërmen u çuan heret e dolën në shkretëtirën Tekue. Ndërsa po niseshin, mes tyre zuri vend në këmbë Jozafati e tha: “Më dëgjoni judenj e banorë të Jerusalemit! Besoni në Zotin, Hyjin tuaj, e do t’i përballoni, besojuni profetëve të tij dhe gjithçka do t’ju shkojë për së mbari!”
21 U këshillua me popullin dhe i caktoi këngëtarët e Zotit që, të veshur me petka të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë për ta lavdëruar Zotin e të thonë me zë të përkueshëm: ‘Lëvdojeni Zotin, sepse e amshueshme është dashuria e tij’!
22 Porsa filluan të këndojnë lavde, Zoti i solli pritat e tyre kundër Amonit, Moabit e malësisë së Seirit, që kishin dalë të luftojnë kundër Judës dhe i goditi.
23 Bijtë e Amonit dhe bijtë e Moabit u ngritën kundër banorëve të malësisë së Seirit për t’i zhdukur e shfarosur. Pasi i sosën ata, zunë të sulmojnë dhe të vrasin njëri‑tjetrin.
24 Kur judenjtë dolën në majë të kodrës nga shihej shkretëtira, panë gjithkund mbarë lëndinën të mbuluar me kufoma dhe se s’kishte mundur asnjë t’i shpëtojë vdekjes.
25 Atëherë shkoi Jozafati dhe mbarë populli me të për ta mbledhur prenë. Gjetën me shumicë kafshë, pasuri, petka e enë të çmueshme. Morën aq shumë sa s’mund t’i bartnin të gjitha: aq shumë pre morën sa që u desh t’i bartnin për tri ditë.
26 Të katërtën ditë u bashkuan në luginën Barakë. Aty i dhanë lavdi Zotit dhe për këtë arsye atë vend e quajtën Rrafshi i Bekimit deri në ditën e sotme.
27 Të gjithë judenjtë e jerusalemasit me Jozafatin në krye u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh, sepse Zoti i kishte kënaqur me fitoren mbi armiqtë
28 dhe hynë në Shtëpinë e Zotit në Jerusalem me harpa, cetra e bori.
29 Frika e Zotit përshkoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur morën vesh se Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.
30 Mbretëria e Jozafatit gëzoi qetësi e Hyji i tij i dha paqe kudo përreth.
31 Jozafati mbretëroi mbi Judenë. Ishte tridhjetë e pesë vjeçar kur filloi të mbretëronte. Në Jerusalem mbretëroi njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selakiut.
32 Eci udhës së babait të vet Asës duke mos u shmangur nga ajo e duke bërë vetëm atë që është e drejtë ndër sytë e Zotit.
33 Megjithatë nuk qenë hequr lartësirat, sepse populli ende nuk e kishte drejtuar zemrën e vet tek Hyji i etërve të vet.
34 Historinë tjetër të Jozafatit, prej fillimit e deri në mbarim, e ke të shkruar në tregimet e Jehuit, birit të Hananiut, që janë shënuar në librat e mbretërve të Izraelit.
35 Më vonë Jozafati, mbreti i Judës, lidhi miqësi me Ohozinë, mbretin e Izraelit, veprat e të cilit ishin tejet të këqija.
36 U bë pjesëtar me të për të ndërtuar anije që të lundronin në Tarsis. Anijet i punuan në Asiongabër.
37 Eliezeri, biri i Dodisë, nga Maresa, profetizoi kundër Jozafatit e tha: “Pasi lidhe besëlidhje me Ohozinë, Zoti i prishi punët e tua”. Anijet iu shpartalluan dhe nuk mundën të shkojnë në Tarsis.