< 2Kro 23 2Kro 25 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 24)
24

1 Joasi s’kishte më shumë se shtatë vjet kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi dyzet vjet. E ëma e kishte emrin Sebi. Ishte nga Bersabeja.

2 Gjatë të gjithë ditëve të kryepriftit Joadë bëri çka ishte e mirë ndër sytë e Zotit.

3 Jojada e martoi me dy gra, prej të cilave i lindën djem e vajza.

4 Më vonë Joasi vendosi ta rindërtojë Shtëpinë e Zotit.

5 I bashkoi priftërinjtë dhe levitët e u tha: “Shkoni në qytetet e Judës e mblidhni çdo vit prej të gjithë izraelitëve para për ta rindërtuar Tempullin e Hyjit. Bëjeni këtë punë me nxitim!” Por levitët nuk nxituan.

6 Atëherë mbreti e thirri Jojadën, që ishte i pari i tyre, e i tha: “Pse nuk u kujdese t’i shtrëngosh levitët të mbledhin prej Judës e prej Jerusalemit paratë që i caktoi Moisiu, shërbëtori i Zotit, që i kanë për detyrë të gjithë anëtarët e bashkësisë së Izraelit t’i sjellin në Tendën e Takimit?

7 Atalia e pafe dhe bijtë e saj e kanë lënë të shkojë dëm Shtëpia e Hyjit dhe për më tepër të gjitha gjërat e kushtuara të Tempullit të Zotit, ua kushtuan Baalëve”.

8 Prandaj mbreti dha urdhër e ata e punuan një arkë dhe vendosën te dera e Shtëpisë së Zotit, përjashta.

9 Pastaj u shpall në Judë e në Jerusalem se duhej të sillej te Zoti pagesa që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ia kishte caktuar Izraelit në shkretëtirë.

10 Të gjithë prijësit dhe populli u gëzuan, erdhën e sollën dhe hodhën aq sa arka u mbush.

11 Tani, kur ishte koha të çohej te mbarështuesja mbretërore që ishte në duar të levitëve, e kur shihnin se ka shumë para, vinte shkruesi i mbretit dhe ai që e caktonte prijësi i priftërinjve, i nxirrnin paratë që ishin në arkë, kurse arkën e vinin përsëri në vendin e saj. Kështu bënin kohë pas kohe dhe u bashkua një sasi e madhe parash.

12 Mbreti dhe Jojada paratë ua dhanë atyre që ishin në krye të punimeve të Shtëpisë së Zotit. Këta me to i paguanin gdhendësit e gurëve, mjeshtrit e punimeve të ndryshme për rindërtimin e Shtëpisë së Zotit, si dhe farkëtarët e hekurit e të bronzit për ta forcuar Shtëpinë e Tënzot.

13 Punëtorët e vazhduan punën; puna përparonte në duart e tyre, e ndreqën Shtëpinë e Zotit, e prunë në gjendjen e parë dhe e bënë të fortë.

14 Kur i kryen këto punime, pjesën e parave që teproi e sollën para mbretit dhe para Jojadës. Me to u punuan enët e Tempullit për shërbesë dhe për fli shkrumbimi, kupa dhe enë të tjera ari e argjendi.

Sa qe gjallë Jojada vazhdimisht u kushtuan në Shtëpinë e Zotit çdo ditë flitë e shkrumbimit.

15 Por Jojada, plak i ngarkuar me shëngjergja, vdiq njëqind e tridhjetë vjeçar.

16 E varrosën në Qytetin e Davidit bashkë me mbretër, sepse bëri mirë në Izrael ndaj Zotit e ndaj Shtëpisë së tij.

17 Pasi vdiq Jojada, prijësit e Judës hynë te mbreti dhe e përshëndetën me nderim. Mbreti i zbutur me dhurata kësaj here i dëgjoi.

18 Kështu e lanë Tempullin e Zotit, Hyjit të etërve të vet, dhe i nderuan banirët e shuguruar dhe idhujt. Për shkak të këtij mëkati të tyre, hidhërimi i Zotit shpërtheu kundër Judës e Jerusalemit.

19 U qenë dërguar profetë që të ktheheshin nga Zoti. Profetët i qortonin, por ata nuk ua vinin veshin.

20 Këndej Shpirti i Hyjit e pushtoi Zakarinë, birin e priftit Jojada. Ky qëndroi përpara popullit e u tha: “Kështu thotë Hyji: Pse i shkelni urdhërimet e Zotit? Kjo gjë nuk do t’jua sjellë të mirën! Pasi ju e latë Zotin, edhe Zoti do t’ju lërë ju!”.

21 Ata u çuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit e mbytën me gurë në tremen e Shtëpisë së Zotit.

22 Mbretit Joas nuk deshi t’i bjerë ndër mend dashuria që ia kishte treguar Jojada, babai i tij, por e vrau të birin e tij, që, duke vdekur, tha: “Zoti paftë e pagoftë!”.

23 Tashti, në krye të vitit, u çua kundër tij ushtria e Sirisë, i ra Judës e Jerusalemit, i shfarosën të gjithë prijësit e popullit dhe mbarë prenë ia dërguan mbretit në Damask.

24 E, megjithëse kishte ardhur një numër i vogël sirianësh, Zoti e lëshoi në duart e tyre një ushtri shumë të madhe për arsye se e kishin lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet. Edhe kundër Joasit, ushtruan dënime poshtëruese.

25 Ata shkuan dhe e lanë shumë të sëmurë. Kundër tij u çuan shërbëtorët e tij dhe, për ta marrë gjakun e birit të priftit Jojadë, e vranë në shtratin e tij dhe vdiq. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

26 Ata që u çuan kundër tij qenë: Zabadi, biri i Semaatit Amonaj, dhe Jozabadi, biri i Semaritit Moabaj.

27 Lidhur me bijtë e tij, me tatimet që ai i mblodhi, me rindërtimin e Shtëpisë së Hyjit u shkrua në shtjellimet e Librit të Mbretërve. Në vend të tij u bë mbret i biri, Amasia.



Fjala e Zotit