1 Mbarë populli i Judës e bëri mbret në vend të të jatit, Amasisë, Ozinë gjashtëmbëdhjetë vjeçar.
2 Ky e rindërtoi Ailatin pasi e ktheu nën sundimin e vet, pas vdekjes së mbretit.
3 Ozia kishte gjashtëmbëdhjetë vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi në Jerusalem pesëdhjetë e dy vjet. Emri i nënës së tij ishte Jekelia. Ishte nga Jerusalemi.
4 Bëri çfarë ishte e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte vepruar Amasia, i ati.
5 Ai e kërkoi Hyjin sa qe gjallë Zakaria i cili e mësoi në frikën e Hyjit. Tërë kohën sa e kërkoi Zotin, Hyji ia dha të mbarën.
6 Doli t’i luftojë filistinët; i rrënoi muret e Getit, muret e Jabnisë dhe muret e Azotit. Pastaj ndërtoi disa qyteza në krahinën e Azotit dhe të filistinëve.
7 Hyji i ndihmoi kundër filistinëve e kundër arabëve, që jetonin në Gurbaal, dhe kundër meunitëve.
8 Edhe amonitët i paguanin tatime Ozisë. Emri i tij u përhap deri në hyrje të Egjiptit, sepse ishte bërë shumë i fortë.
9 Ozia në Jerusalem ndërtoi kulla përmbi derën e Këndit, përmbi derën e Luginës e në Kënd dhe i fortifikoi.
10 Edhe në shkretëtirë ndërtoi kulla e hapi shumë cisterna, sepse kishte shumë bagëti si në Sefelë ashtu edhe në vërri. Mbante gjithashtu shumë bujq e vreshtarë në male e në rrafshina të pjellore: ishte njeri që i pëlqente bujqësia.
11 Ozia kishte një ushtri të stërvitur dhe të shkathët që shkonte në luftë në togje, të ndara në njësi sipas numërimit të bërë prej shkruesit Jehiel dhe mbikëqyrësit Masisë. E udhëhiqte Hanania, që ishte një ndër prijësit e mbretit.
12 Numri i të gjithë krerëve të vëllazërive, trima të zgjedhur, ishte dy mijë e gjashtëqind.
13 Nën drejtimin e tyre ishte mbarë ushtria, treqind e shtatë mijë e pesëqind luftëtarë të aftë për luftë, të gatshëm të luftojnë për mbretin kundër çdo armiku.
14 Për ta, d. m. th. për mbarë ushtrinë, Oziu bëri gati shqyta, heshta, tarogza, mburoja, harqe dhe bahe për të goditur me gurë.
15 Në Jerusalem punoi disa makina të sendërtuara me mjeshtri, të cilat i vendosi në pirgje dhe në kënde të mureve për të gjuajtur me shigjeta e me gurë të mëdhenj. Për të u hap zë i madh dhe i shkoi larg, sepse Zoti i ndihmonte jashtëzakonisht dhe e kishte bërë shumë të fortë.
16 Por kur u bë i fuqishëm, erdhi e iu rrit mendja për të zezën e vet. I ra në faj Zotit, Hyjit të vet. Hyri në Tempullin e Zotit dhe deshi të digjte kem në lterin e kemimit.
17 Menjëherë hyri pas tij prifti Azaria e me të priftërinjtë e Zotit tetëdhjetë burra të fortë,
18 i dolën përballë mbretit e i thanë: “Nuk të takon ty, o Ozi, të djegësh kem në nder të Zotit, por priftërinjve, bijve të Aronit, që janë të shuguruar për këtë shërbesë. Dil nga shenjtërorja, sepse e ke lënë rrugën dhe Zoti Hyj këtë nuk do ta çmojë për nder”!
19 Atëherë Ozia u hidhërua dhe, duke e mbajtur kemoren në dorë për të kemuar me kem, iu kërcënua priftërinjve. Por aty për aty i doli gërbula në shteg të ballit në praninë e priftërinjve në Shtëpinë e Zotit mbi lterin e kemimit.
20 Kur e pa prifti Azaria dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë gërbulën në ballin e tij, menjëherë e hodhën përjashta; madje edhe ai vetë nxitoi të dalë jashtë, sepse Zoti e kishte goditur me këtë shuplakë.
21 Kështu, pra, mbreti Ozia mbeti i gërbulur deri në ditën e vdekjes së vet. Banoi në një shtëpi të ndarë veçmas, i zgjebosur, përherë i përjashtuar nga Shtëpia e Zotit. Kurse shtëpinë e tij e drejtoi Joatami, biri i tij, i cili e udhëhoqi popullin e vendit.
22 Historinë tjetër të Ozisë, prej fillimit deri në fund, e shkroi profeti Isaia, biri i Amosit.
23 Edhe Ozia pushoi me të parët e vet dhe e varrosën në arën e varrezave mbretërore, sepse thoshin: ‘Ka qenë i gërbulur’. Në vend të tij u bë mbret Joatami, i biri.