1 Ezekia u bë mbret në moshën njëzet e pesë vjeçare. Mbretëroi në Jerusalem njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Abi. Ishte bija e Zakarisë.
2 Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, siç kishte vepruar Davidi, stërgjyshi i tij.
3 Në muajin e parë, të vitit të parë të mbretërimit të vet, Ezekia i hapi dyert e Shtëpisë së Zotit dhe i ndreqi ato.
4 I thirri priftërinjtë e levitët, i bashkoi në sheshin e lindjes
5 dhe u tha: “Më dëgjoni, levitë! Më parë shenjtërohuni ju e pastaj pastrojeni Shtëpinë e Zotit, Hyjit të etërve tuaj! Mënjanoni nga Shenjtërorja çdo papastërti.
6 Etërit tanë mëkatuan e bën të keqen në sytë e Zotit, Hyjit tonë. E lanë atë. E kthyen fytyrën në anën tjetër, ia kthyen shpinën dhe shkuan larg shtëpisë së Zotit.
7 Për më tepër i mbyllën dyert që ishin në treme, i fikën dritëzat, nuk dogjën kem dhe nuk kushtuan fli të shkrumbimit në Shenjtëroren e Hyjit të Izraelit.
8 Këndej edhe u ndez flakë hidhërimi i Zotit kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie e loje, siç po shihni me sytë tuaj.
9 Dhe, ja, etërit tanë ranë rrah prej shpatës; bijtë tanë, bijat tona e gratë qenë humbur në robëri për shkak të këtij mëkati.
10 Tani kam vendosur në zemrën time të lidh besëlidhje me Zotin, Hyjin e Izraelit, që ta largojë prej nesh zemërimin e hidhërimit të vet.
11 Bijtë e mi, mos jini të pakujdesshëm, sepse ju ka zgjedhur Zoti të qëndroni para tij, t’i shërbeni, ta adhuroni e t’i digjni kem”.
12 Atëherë u çuan levitët: Mahati, biri i Amasait e Joeli, biri i Azarisë, prej Kaatajve; kurse prej bijve të Merariut Cisi, biri i Abdiut e Azaria, biri i Jalelelit; prej bijve të Gersonit Joahi, biri i Zemës e Edeni, biri i Joahit;
13 kurse prej bijve të Elisafanit Samriu e Jahieli; ndërsa prej bijve të Asafit, Zakaria e Matania;
14 e prej bijve të Hemanit, Jahieli e Semeji, po edhe prej bijve të Iditunit, Semeja e Ozieli.
15 I bashkuan vëllezërit e vet, u shenjtëruan dhe hynë sipas urdhrit të mbretit e të Zotit për ta shpërblyer Shtëpinë e Hyjit.
16 Hynë gjithashtu edhe priftërinjtë në Tempullin e Hyjit për ta pastruar atë, e larguan çdo papastërti që gjetën brenda në anije dhe e nxorrën jashta në oborr. Atëherë levitët i morën dhe i nxorrën përjashta në përroin Cedron.
17 Filluan të shenjtërojnë ditën e parë të muajit të parë dhe të tetën ditë të të njëjtit muaj, hynë në tremen e Tempullit të Zotit dhe e shenjtëruan Tempullin e Zotit gjatë tetë ditëve, kështu që të gjashtëmbëdhjetën ditë të të njëjtit muaj, e kryen.
18 Atëherë hynë te mbreti Ezeki e i thanë: “E kemi pastruar mbarë Shtëpinë e Zotit: lterin e flive të shkrumbimit, të gjitha enët e tija, tryezën e bukëve të kushtimit dhe enët e saja,
19 i kthyem të gjitha orenditë e tempullit që i kishte larguar mbreti Akaz gjatë mbretërimit dhe të pabesnikërisë së tij, dhe i shenjtëruam të gjitha. Ja, të gjitha i kemi vënë përbri lterit të Zotit”.
20 Mbreti Ezeki u ngrit herët në mëngjes, i bashkoi të parët e qytetit dhe shkoi në Shtëpinë e Zotit.
21 Sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjepër si fli për mëkatet e mbretërisë, për Shenjtëroren dhe për Judën. Atëherë u urdhëroi priftërinjve, bijve të Aronit, t’i kushtojnë përmbi lter të Zotit.
22 I prenë mëzetërit dhe priftërinjtë e morën gjakun dhe e zbrazën mbi lter. I prenë edhe deshtë dhe gjakun e tyre e derdhën mbi lter; i prenë edhe qengjat dhe gjakun e tyre e zbrazën mbi lter.
23 I afruan cjeptë e caktuar për fli për mëkat para mbretit dhe para bashkësisë dhe i vunë duart mbi ta,
24 priftërinjtë i flijuan ata dhe gjakun e tyre e spërkatën mbi lter për shpërblim të mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte dhënë urdhër të bëhej fli shkrumbimi dhe fli për mëkat e mbarë Izraelit.
25 Mbreti i caktoi levitët në Shtëpinë e Zotit me cimbale, harpa e cetra sipas rregullores së Davidit, të vegimtarit të mbretit, Gadit, dhe të profetit Natan, sepse urdhëri erdhi prej Zotit me anë të profetëve.
26 Qëndruan pra, në këmbë levitët me veglat muzikore të Davidit dhe priftërinjtë me bori.
27 Ezekia urdhëroi të kushtohej flia e shkrumbimit mbi lter. Ndërkohë që po flijohej flia e shkrumbimit, ia filluan t’i këndonin lavde Zotit, t’u bien borive dhe t’i përcillnin me vegla të ndryshme muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit.
28 Mbarë populli adhuronte, këngëtarët dhe ata që mbanin boritë vazhdonin shërbesën e vet ndërkohë që flijohej deri që u krye flia e shkrumbimit.
29 Kur mori fund kushtimi, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, ranë me faqe përdhe dhe adhuruan.
30 Mbreti dhe prijësit u urdhëruan levitëve t’i këndojnë Zotit lavde me fjalë të Davidit dhe të Asafit vegimtar. E lavdëruan me hare të patregueshme, u gjunjëzuan dhe adhuruan.
31 Atëherë Ezekia shtoi edhe këtë: “Tani, pasi i keni shuguruar duart tuaja për t’i shërbyer Hyjit, afrohuni e kushtoni theroret e flitë e falenderimit në Shtëpinë e Zotit”. Sepse mbarë bashkësia kishte sjellë kushte e fli falenderimi. Kushdo, që i mbastonte zemra, kushtonte fli shkrumbimi.
32 Numri i flive të shkrumbimit, që i kishte sjellë bashkësia, kishte: shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh, dyqind qingja; të gjitha këto fli shkrumbimi në nder të Zotit.
33 U shuguruan si kusht gjashtëqind bagëti të trasha e tri mijë bagëti të imëta.
34 Meqenëse priftërinj ishin pak dhe nuk mund t’ia dilnin t’i rripnin kafshët për fli shkrumbimi, këndej u ndihmuan edhe levitët, vëllezërit e tyre, deri që nuk u krye puna e nuk u shenjtëruan priftërinjtë e tjerë, sepse levitët kanë qenë më të zellshëm se priftërinjtë për t’u shenjtëruar.
35 E pati shumë fli shkrumbimi, dhjamë të flive pajtimore si dhe njomje që u përkasin flive të shkrumbimit.
Kështu u rikthye shërbesa hyjnore e Shtëpisë së Zotit.
36 Prandaj u gëzua Ezekia dhe mbarë populli që Zoti e bëri këtë gjë për popull, sepse të gjitha këto u bënë papritmas.