1 Kur Salomoni e kreu lutjen, nga qielli zbriti zjarri dhe e përpiu flinë e shkrumbimit e theroret dhe madhëria e Zotit e mbushi Shtëpinë.
2 Priftërinjtë nuk mund të hyjnë në Shtëpinë e Zotit, sepse madhëria e Zotit e mbushi Tempullin.
3 Po ashtu edhe të gjithë bijtë e Izraelit e shikonin zjarrin dhe lavdinë e Zotit duke zbritur mbi Shtëpinë dhe duke rënë me fytyrë përmbi truall të shtruar me gurë, e adhuruan dhe e lavdëruan Zotin: “Sepse ai është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij”!
4 Atëherë mbreti dhe mbarë populli zunë të flijojnë therore para Zotit.
5 Kështu mbreti Salomon kushtoi fli njëzet e dy mijë bagëti të trasha, njëqind e njëzet mijë bagëti të imëta dhe mbreti me mbarë popullin e shuguroi Shtëpinë e Zotit.
6 Priftërinjtë i kryenin shërbesat e tyre e levitët i jepnin lavdi Zotit me veglat muzikore të Zotit që i kishte punuar mbreti David për të lavdëruar Zotin: “Sepse e amshueshme është dashuria e tij”! Ata i këndonin këngët që i kishte nxjerrë Davidi. Ndërkaq priftërinjtë u binin borive para tyre e populli mbarë qëndronte qiri në këmbë.
7 Salomoni e shuguroi gjithashtu edhe mesin e tremes para Tempullit të Zotit; sepse aty i kishte kushtuar flitë e shkrumbimit, dhjamin e flive të pajtimit, sepse lteri i bronztë që e kishte punuar, nuk mund t’i zinte flitë e shkrumbimit, kushtimoret dhe dhjamin e tyre.
8 Në atë kohë Salomoni festoi shtatë ditë dhe bashkë me të edhe mbarë Izraeli, një tubim shumë i madh, prej hyrjes në Emat e deri te përroi i Egjiptit.
9 Të tetën ditë u bë një kuvend i madh meqënëse shugurimi i lterit zgjati shtatë ditë, edhe kremtimi zgjati po aq ditë.
10 Kështu më njëzet e tre të muajit të shtatë e lëshoi popullin të shkojë në çadrat e veta, të kënaqur e të gëzuar për të mirën që ia kishte bërë Zoti Davidit e Salomonit dhe Izraelit, popullit të vet.
11 Salomoni e kreu Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e vet, dhe ia doli të përfundojë gjithçka kishte synuar të bënte në Shtëpinë e Zotit e në pallatin e vet.
12 Atëherë natën Salomonit iu dëftua Zoti e i tha: “E dëgjova lutjen tënde dhe këtë vend e zgjodha për vend flie timin.
13 Kur unë ta mbyll qiellin që të mos bjerë shi, kur t’u urdhëroj karkalecave ta shkretojnë tokën e kur ta çoj murtajën në popullin tim,
14 e populli im, i ndëshkuar, mbi të cilin qe thirrur Emri im, nëse ka për t’u lutur, nëse ka për ta kërkuar fytyrën time e nëse do të kthehet prej udhëve të veta të mbrapshta, atëherë unë prej qiellit do ta dëgjoj dhe do t’ia falë mëkatet e tija dhe do ta shëroj tokën e tyre.
15 Tani sytë e mi do të jenë të çelur e veshët e mi të prirur ta dëgjojnë lutjen e atij që do të lutet në këtë vend.
16 Vërtet e zgjodha dhe e shugurova këtë vend që të banojë në të përgjithmonë Emri im, sytë e mi dhe zemra ime do të qëndrojnë aty përgjithmonë.
17 Në qoftë se edhe ti do të jetosh në praninë time, siç eci yt atë Davidi, dhe nëse do të bësh gjithçka si të kam urdhëruar dhe nëse do t’i mbash rregulloret dhe vendimet e mia,
18 do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, siç i jam zotuar Davidit, babait tënd kur i thashë: Nuk do të mungojë prej derës sate trashëgimtari që të jetë prijës në Izrael.
19 Por, në qoftë se do të më lini e do t’u shmangeni urdhërave dhe urdhërimeve të mia që jua parashtrova, e do të shkoni t’u shërbeni hyjnive të huaja e do t’i adhuroni ato,
20 atëherë do t’ju çrrënjos prej tokës sime që jua dhurova dhe këtë Shtëpi që ia kushtova Emrit tim, do ta flak prej syve të mi dhe do ta bëj përrallë e lojë për të gjithë popujt.
21 E për këtë Shtëpi, që ishte e mrekullueshme, kushdo do të kalojë përbri saj do të çuditet e do të thotë: ‘Pse Zoti ia bëri kështu këtij vendi dhe kësaj Shtëpie’?
22 E do të përgjigjen: ‘Sepse e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej Egjiptit e u lidhën me zota të huaj dhe i adhuruan ata e i nderuan, prandaj edhe erdhën mbi ta të gjitha këto të zeza’”.