1 Ndodhi që të kapen edhe shtatë vëllezër së bashku me nënën e tyre, të cilët mbreti, duke i rrahur me frushkuj e dej qesh, donte t’i shtrëngonte të hanë mishin e thiut të ndaluar.
2 Njëri prej tyre e mori fjalën në emër të tyre e tha: “Çfarë do të kërkosh e çfarë dëshiron të mësosh nga ne? Jemi të gatshëm të vdesim më parë se t’i shkelim ligjet e të parëve tanë!”
3 Mbreti i zemëruar, urdhëroi të vihen në zjarr tava e kazana.
4 Kur ato u skuqën, mbreti urdhëroi atij që foli në emër të tjerëve, ndër sy të vëllezërve të tij të tjerë e të s’ëmës t’i pritet gjuha, t’i cungohen këmbët e duart, t’i ripej lëkura e kokës.
5 Kur, pra, ky u cungua gjymtyrësh, urdhëroi ta afrojnë te zjarri e ta vënë, ashtu duke i dalë shpirti, në tavë të skuqur. Ndërsa avulli i tavës po shpërndahej larg, të tjerët, së bashku me t’ëmën i jepnin zemër njëri-tjetrit të vdesin trimërisht e thoshin kështu:
6 ”Zoti Hyj sheh e do të ketë me të vërtetë dhimbje për ne shi ashtu si tha Moisiu në këngën kundërshtuese: ‘Ai do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e vet.’”
7 Si, pra, dha kështu shpirt i pari, e afruan të dytin për ta munduar. Si ia hoqën lëkurën e kokës me gjithë flokë, e pyesnin a do të hante para se t’ia copëtonin trupin e tij, një nga një gjymtyrë për gjymtyrë.
8 Ai përgjigji me gjuhë të etërve: “S’do të ha!” Prandaj, edhe këtë e vunë në të njëjtat mundime si të parin.
9 Ndërsa po lëshonte ofshamën e fundit, tha: “Ti o i pashpirt, mbi të pashpirtë, po na e merrr jetën e tashme, por Mbreti i botës, e di se po vdesim për ligjet e Tija, do të na ngjallë për jetën e pasosur.”
10 Pas këtij e munduan të tretin. Kur kërkuan, vrrik e qiti gjuhën dhe trimërisht i shtriu duart
11 e foli me zë të lartë: “Këto gjymtyrë i kam prej Qiellit e, për shkak të ligjeve të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.”
12 Kështu, mbreti dhe ata, që ishin me të, mbetën të habitur për guximin e djaloshit se si i bënte në asgjë mundimet.
13 Mbasi ky dha shpirt në këtë mënyrë, nisën ta copëtojnë edhe të katërtin në të njëjtat mundime.
14 Kur ishte në grahmat e fundit të vdekjes, tha kështu: “Është gjë e mirë të vdiset nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri! Por, ti nuk do të ngjallesh për të jetuar!”
15 Menjëherë e sollën të pestin dhe nisën ta mundojnë;
16 por ky, duke ia ngulur sytë, i tha: “Ti ke, megjithëse vdekatar, pushtet mbi njerëz e bën çka të pëlqen, por mos mendo se Hyji ka hequr dorë nga populli ynë:
17 por prit e do ta shohësh madhërinë e fuqisë së tij se si do të të mundojë ty e farën tënde.”
18 Pas këtij sollën të gjashtin. Ky duke vdekur tha: “Mos e rrej kot vetveten: ne po i heqim këto mundime për shkak të vetvetes, sepse kemi mëkatuar kundër Hyjit, këndej edhe na gjetën këto gjëra të çuditshme,
19 porse ty as të mos shkojë nëpër mend se do të kalosh pa u ndëshkuar që po mundohesh të luftosh kundër Hyjit!”
20 Posaçërisht e mrekullueshme dhe e denjë për kujtim bujar qe nëna, e cila, duke parë se si në një ditë i vdiqën shtatë djemtë e qëndronte plot guxim në fuqi të shpresës që e kishte në Zotin.
21 Ajo e qortonte secilin prej tyre në gjuhën e të parëve dhe, e fortë në ndjenja bujare, duke e përforcuar butësinë femërore me guximin burrëror, u jepte zemër e u thoshte:
22 ”Nuk di se si u krijuat në kraharorin tim, sepse unë nuk jua dhashë shpirtin as jetën, as nuk jua dhashë trajtën e gjymtyrëve cilitdo prej jush.
23 Por, e di se Krijuesi i botës, që e ka trajtuar gjininë njerëzore, i cili ua dha të gjithëve prejardhjen, do t’jua kthejë, në mëshirën e vet, e shpirtin e jetën, sikurse që ju tash po e përbuzni vetveten për dashurinë e ligjeve të tija.”
24 Antioku mendonte se po përbuzej e në këto fjalë i thoshte mendja se po e fyen. Mbasi djali më i vogël ishte ende gjallë, jo vetëm se u mundonte me fjalë t’ia mbushte mendjen, por e siguronte me përbetim se do ta bënte të pasur e të lumtur, do ta kishte mik e do t’i jepte zyra të larta në qoftë se do t’u binte mohit zakoneve të stërgjyshërve.
25 Por, pasi djaloshi, as që ia vinte veshin këtyre premtimeve, mbreti e thirri të ëmën dhe e qortonte ta këshillojë të birin ta shpëtojë jetën.
26 Pasi mbreti e qortoi për kohë të gjatë, ajo pranoi se do t’ia mbushte mendjen djalit.
27 Ajo iu afrua e, duke e tallur tiranin e pashpirt, kështu foli në gjuhën e etërve: “Biri im, ki dhimbje për mua që të mbarta për nëntë muaj në kraharor, të dhashë të pish për tre vjet gji, të ushqeva e të rrita e të edukova deri në këtë moshë.
28 Po të përbetoj, biro, shikoj qiellin e tokën e gjithçka është në ta e dije se Hyji i ka krijuar nga asgjëja dhe se po në këtë mënyrë ka qenë krijuar edhe gjinia njerëzore.
29 Mos e druaj këtë “kasap”, por ji i denjë për vëllezërit e tu e pranoje vdekjen, që të të gjej bashkë me ta ditën e mëshirës!”
30 Ende pa i kryer ajo fjalët, foli djaloshi: “Çka prisni? Nuk e dëgjoj urdhrin e mbretit, por i bindem urdhrit të Ligjit, që u qe dhënë etërve tanë me anë të Moisiut.
31 E ti që u bëre shpikësi i të gjitha të këqijave kundër hebrenjve, jo, s’do të mund t’i shpëtosh dorës së Hyjit.
32 Ne po pësojmë në të vërtetë, këto të vështira për shkak të mëkateve tona.
33 Në qoftë se për ndëshkimin e qortimin tonë është zemëruar Zoti ynë i gjallë për pak kohë, ai do të pajtohet përsëri me shërbëtorët e vet.
34 Kurse ti, o bakeq e i poshtri mbi të gjithë të poshtërit, mos ço më krye kot i përkundur në shpresa të zbrazta duke çuar dorën kundër bijve të Qiellit,
35 sepse ende nuk i shpëtove gjyqit të Hyjit të gjithpushtetshëm që sheh gjithçka!
36 Sepse vëllezërit tanë, pasi tash duruan një dhimbje të vogël, kaluan tashmë në Besëlidhjen e Hyjit të jetës së pasosur, kurse ti, në fuqi të gjyqit të Hyjit, do t’i durosh vuajtjet e drejta të krenarisë sate!
37 E unë, porsi vëllezërit e mi, po e jap korpin tim e jetën për ligjet e të parëve të mi duke e përbetuar Hyjin të jetë sa më parë i dhembshëm me popullin tonë e të shtrëngojë ty me vuajtje e me frushkuj të rrëfesh se ai është Hyji i vetëm.
38 Lutem, mandej, që mbi mua e mbi vëllezërit e mi të zërë vend felgrimi i të Gjithpushtetshmit që ka rënë me të drejtë mbi mbarë racën tonë.”
39 Atëherë mbreti u ndez në zemërim kundër këtij e u bë edhe më bishë e egër se kundër të tjerëve: s’mund të duronte të ishte i përqeshur!
40 Ky djalosh, pra, vdiq pa u përlyer e me një besim të patundur në Hyjin.
41 E sprasmja, pas fëmijëve, e dha jetën edhe nëna.
42 Le të mjaftojë, pra, kaq sa u tha lidhur me gostitë rituale e me salvimet tepër të pashpirta.