1 Ndërkaq Juda Makabe dhe ata që ishin me të, duke hyrë fshehtas nëpër fshatra, i bashkonin kushërinjtë dhe mblidhnin ata që i kishin mbetur besnikë judaizmit: i mblodhën rreth gjashtë mijë njerëz.
2 I luteshin gjithashtu Zotit t’i ketë sytë mbi popullin që po shkelej prej të gjithëve dhe të kishte dhimbje për Tempull që po përdhunohej nga bakëqijtë,
3 të ketë gjithashtu mëshirë për Qytetin që ishte në shkatërrim e bëhej rrafsh me truall, ta dëgjonte zërin e gjakut që po klithte drejt tij,
4 të mos i harronte vdekjet e tmerrshme të fëmijëve të pafajshëm, e hyjshmimet e thëna kundër emrit të tij e ta dëftonte zemërimin e vet kundër tyre.
5 Njëherë, Makabeu, si bashkoi një numër të madh njerëzish, u bë i pathyeshëm nga paganët, sepse zemërimi i Zotit u kthye në mëshirë.
6 Papritmas sulej në qytete e fshatra, u jepte zjarr; pushtonte vendet e përshtatshme, i vinte në ikje jo pak armiq.
7 Për veprime të tilla, zgjidhte veçanërisht si ndihmëse netët e
zëri i pushtetit të tij shpërndahej në të gjitha anët.
8 Kur Filipi pa se ky njeri po përparonte pak nga pak dhe se punët po i kishin gjithnjë e më shpesh sukses, i shkroi Ptolemeut, qeveritarit të Celesirisë e të Fenicisë, që të ndërmerrte diçka për t’u ardhur në ndihmë punëve të mbretit.
9 Ky atëherë zgjodhi Nikanorin e Patroklit, njërin nga miqtë e parë, duke i dhënë jo më pak se njëzet mijë ushtarë të bashkuar nga kombet e ndryshme dhe menjëherë e dërgoi që t’ua trette farën të gjithë judenjve. Ia shoqëroi edhe Gorginë, një ushtarak, mjeshtër në çështje luftimi.
10 Nikanori vendosi që t’i paguante tatimet e mbretit që i duhej t’ua jepte romakëve - e ishin dy mijë talenta - me shitjen e judenjve që do t’i zinte robër.
11 Këndej i ftoi pa vonesë qytetet bregdetare të vijnë të blejnë judenj robër e premtoi se do të jepte nëntëdhjetë skllevër për një talent: as që i shkonte nëpër mend se ahmarrja e të Gjithpushtetshmit do të binte mbi të.
12 Juda ndërkaq, si e mori vesh se po vinte Nikanori, u tregoi atyre që ishin me të se po afrohej ushtria armike.
13 Atëherë disa prej tyre, që i kapi frika e që nuk kishin besim në drejtësinë e Hyjit, nga frika ikën e shkuan në vende të ndryshme,
14 disa të tjerë, shitën gjithçka u kishte mbetur e njëkohësisht i luteshin Zotit që t’i shpëtojë nga Nikanori i pashpirt, i cili i kishte shitur para se të niste lufta:
15 le t’i shpëtojë, jo pse ata e meritonin, por për shkak të Besëlidhjes me etërit e tyre e për shkak të thirrjes së Emrit të tij të shenjtë mbi ta.
16 Kur, pra, Makabeu i bashkoi rreth vetes gjashtë mijë vetë, i qortonte të mos tremben prej armiqve as të mos frikohen prej numrit të madh të paganëve që po vinin kundër tyre padrejtësisht, por të luftojnë si burrat,
17 duke pasur parasysh dhunën që i ishte bërë prej tyre padrejtësisht vendit të shenjtë, si e kanë nëpërkëmbur dhe e kanë poshtëruar Qytetin e si i kishin prishur doket e të parëve.
18 “Sepse ata e kanë besimin e vet në armë - u tha - e në trimërinë; kurse ne në Hyjin e gjithpushtetshëm e kemi shpresën tonë, i cili mund t’i asgjësojë vetëm me një shenjë të gjithë ata që vijnë kundër nesh edhe mbarë botën.”
19 Atëherë ua njehi rastet në të cilat kishin qenë të ndihmuar të parët e tyre: nën Senakeribin, kur qenë vrarë njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë ushtarë,
20 në Babiloni, në luftën që e patën kundër galatasve, ku luftuan tetë mijë vetë me ndihmën e edhe të katër mijë maqedonasve, kur maqedonasit ranë ngushtë - vetëm ata tetë mijë vetë, i thyen njëqind e njëzet mijë ushtarë, në saje të ndihmës që ua dha Qielli, madje bënë edhe një pre të madhe.
21 Pasi me këto fjalë ua mbushi zemrën me guxim dhe i përgatiti të vdesin për Ligj e për atdhe, e ndau ushtrinë e vet në katër njësite.
22 Në krye të secilit njësit i vuri vëllezërit e vet: Simonin, Jozefin e Jonatanin e secilit i dha nga një mijë e pesëqind njerëz.
23 Për më tepër i urdhëroi Eleazarit të lexojë Librin e shenjtë; mandej si e dha fjalën e urdhrit: “Ndihma e Zotit!”, si prijës i njësitit të parë ra në luftë kundër Nikanorit.
24 Meqenëse i Gjithpushtet- shmi u bë ndihmësi i tij, vranë më tepër se nëntë mijë armiq, kurse plagosën e gjymtuan gjymtyrësh pjesën më të madhe të ushtrisë së Nikanorit dhe të gjithë i shtrënguan të ikin.
25 I shtinë në dorë edhe paratë e atyre që kishin pasë ardhur për t’i blerë. Pasi i ndoqën mjaft larg, u kthyen prapazi pse s’kishin më kohë,
26 sepse ishte para të shtunës, e për këtë arsye nuk e vazhduan më ndjekjen.
27 Si i mblodhën armët e armikut e si ua morën prenë, zunë të festojnë të shtunën, duke e bekuar e lavdëruar me kujdes të madh Zotin që i shpëtoi edhe atë ditë dhe nisi përsëri t’ua dëftojë dashamirësinë e vet.
28 Pas të shtunës ua ndanë një pjesë të presë atyre që kishin pësuar përndjekjen, bonjakëve e të vejave; çka teproi e ndanë ndër vete e me fëmijë të vet.
29 Pasi bënë kështu, organizuan një lutje të përbashkët e iu lutnin Zotit
të mëshirshëm që të pajtohej përfundimisht me shërbëtorët e vet.
30 Luftuan edhe me ushtarët e Timoteut e të Bakidit, vranë më tepër se njëzet mijë sish dhe i pushtuan lehtë disa fortesa të larta. Prenë e madhe e ndanë në dy pjesë të barabarta: njërën për vetvete, tjetrën për flitë e përndjekjes, për bonjakë e për të veja, pa i harruar pleqtë.
31 Si i mblodhën me kujdes armët e armiqve, i venduan në vende të përshtatshme, kurse prenë tjetër e çuan në Jerusalem.
32 E vranë edhe oficerin e rojës së trupit të Timoteut, njeri sa s’bëhet më i pashpirt, që i kishte bërë të vuajnë shumë judenjtë.
33 Ndërkohë
që në atdhe po kremtonin ngadhënjimin, i dogjën ata që i kishin pasë djegur Dyert e shenjta si edhe
Kalistenin, i cili ishte strehuar në një kasolle: kështu e mori shpërblimin e denjë për shenjtdhunimin e vet.
34 Kurse Nikanori, bakeq mbi bakëqij, që i kishte sjellë një mijë tregtarë për t’ua shitur judenjtë,
35 me ndihmën e Zotit i mposhtur prej atyre që ai i mbante për një asgjë, e hoqi petkun e lavdisë e, i arratisur porsi skllav, i vetmuar e duke u endur rrugë pa rrugë bregut të detit, arriti në Antioki - tepër fatmirë se kishte shpëtuar gjallë - pasi iu shpartallua ushtria.
36 Dhe, ai që, me çmimin e skllevërve jerusalemas u kishte premtuar romakëve se do t’ua paguante tatimet, tash shpallte se judenjtë e kishin një Luftëtar që i mbronte dhe se judenjtë ishin të paplagosshëm për arsye se i mbanin ligjet që Ai ua kishte caktuar.