< 2Mbr 9 2Mbr 11 >
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve(2Mbr 10)
10

1 Akabi kishte në Samari shtatëdhjetë djem. Jehui shkroi letra dhe i dërgoi në Samari te kretët e qytetit, pleqtë dhe kujdestarët e djemve të Akabit. U thoshte:

2 “Posa t’i merrni këto letra, ju që keni të bijtë e zotërisë tuaj, karroca, kuaj, qytetin e pathyeshëm, dhe armët,

3 zgjidheni më të mirin e më të drejtin djalë të zotërisë tuaj, vëreni mbi fronin e t’et dhe luftoni për familjen e zotërisë tuaj”.

4 Por ata u trembën sa s’ka dhe thanë: “Ja, dy mbretër nuk qenë në gjendje ta përballojnë, e si do të mund t’i qëndrojmë ne”?

5 Këndej edhe i çuan fjalë Jehuit kujdestari i pallatit, kryetari i qytetit, pleqtë dhe kujdestarët e djemve. I thanë: “Jemi shërbëtorët e tu: do të bëjmë gjithçka të na urdhërosh. Mbret nuk do të shpallim askënd. Bëj si të të pëlqejë ty”.

6 Jehui u shkroi këtë letër të dytë: “Nëse jeni të mitë e nëse më dëgjoni: merrni kokat e njerëzve, të djemve të zotërisë tuaj, dhe ejani tek unë nesër në këtë orë në Jezrahel”. Tashti, shtatëdhjetë djemtë e mbretit ishin të ndarë ndër bujarët e qytetit që i edukonin.

7 Posa u arriti letra, i morën bijtë e mbretit dhe i vranë: shtatëdhjetë burra, kokat e tyre i vendosën në zymbyla dhe i çuan tek ai në Jezrahel.

8 Lajmëtari shkoi tek ai dhe e lajmëroi: “I kanë sjellë kokat e bijve të mbretit”. Ai u përgjigj: “Qitni ato në dy grumbuj te dera e qytetit deri nesër në mëngjes”.

9 Kur zbardhi drita, doli e, duke qëndruar në këmbë, i tha mbarë popullit: “Ju jeni të drejtë! Jam unë që jam ngritur kundër zotërisë tim dhe e kam vrarë! Por, kush i vrau të gjithë këta?

10 Shikoni, pra, tani se asnjë prej fjalëve të Zotit që i tha Zoti kundër shtëpisë së Akabit, nuk shkoi hupëse, por Zoti çoi në vend gjithçka tha me gojën e shërbëtorit të vet Elisë”.

11 Dhe Jehui i vrau të gjithë ata që kishin mbetur ende në Jezrahel, prej familjes së Akabit, të gjithë bujarët e tij, oborrtarët e tij dhe priftërinjtë e tij, sa s’la asnjë për be.

12 U ngirt dhe hyri. Pastaj u nis për Samari. Kur arriti në udhë në Beteced të Barinjve,

13 i takoi vëllezërit e Okozisë, mbretit të Judës dhe i pyeti: “Kush jeni ju”? Ata iu përgjigjën: “Jemi vëllezërit e Okozisë. Po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit e bijtë e mbretëreshes Zonjë”.

14 Ai urdhëroi: “Kapini gjallë”! Pasi i zunë gjallë, i vranë te ubla e Betecedit: dyzet e dy burra dhe asnjë prej tyre nuk shpëtoi.

15 Pasi u nis prej andej, hasi në Jonadabin, birin e Rekabit, që ishte nisur në takim me të. E përshëndeti e pastaj e pyeti: “A është zemra jote e çiltër ndaj zemrës sime sikurse zemra ime është ndaj sates”? Jonadabi iu përgjigj: “Po”! “Nëse është ‑ i tha ‑ ma jep dorën”! Ai ia dha dorën e vet. Atëherë e mori me vete në karrocë

16 dhe i tha : “Eja me mua e do ta shohësh zellin që kam për Zotin”. Dhe vazhduan së bashku në karrocë

17 e shkuan në Samari. Jehui i vrau të gjithë ata që kishin shpëtuar prej familjes së Akabit e gjendeshin ende në qytet: s’la asnjë, sipas fjalës së Zotit që e kishte folur me gojën e Elisë.

18 Pastaj Jehui bashkoi mbarë popullin dhe i tha: “Akabi e ka nderuar Baalin pakëz, kurse unë do ta nderoj shumë.

19 Prandaj m’i thirrni tani që të vijnë tek unë të gjithë profetët e Baalit, të gjithë besimtarët e tij dhe të gjithë priftërinjtë e tij: të mos mungojë asnjë! Dua t’i kushtoj Baalit një fli të madhërishme. Kushdo të mungojë, s’do të jetojë”! Porse Jehui e bënte këtë gjë me dredhi për t’i zhdukur adhuruesit e Baalit.

20 Urdhëroi: “Shpallni mbledhje kremtore për nder të Baalit”. E shpallën.

21 Jehui dërgoi shpalljen në mbarë Izraelin dhe erdhën të gjithë adhuruesit e Baalit. S’mbeti pa ardhur asnjë për be.

Hynë të gjithë në tempullin e Baalit dhe u mbush shtëpia e Baalit fund e majë.

22 Jehui i tha kujdestarit të petkave:

“Sillni petkat për të gjithë adhuruesit e Baalit”. Ai ua solli petkat.

23 Si hyri Jehui dhe Jonadabi, biri i Rekabit, në tempullin e Baalit, u tha adhuruesve të Baalit: “Shikoni mirë në mos ka këtu, mes jush, ndonjë shërbëtor të Zotit. Le të jenë vetëm shërbëtorët e Baalit”!

24 Hynë për të kushtuar therore e fli shkrumbimi. Porse Jehui i kishte bërë gati tetëdhjetë vetë përjashta dhe u kishte urdhëruar: “Cilido prej jush që të lërë të ikë ndonjë prej atyre që unë do t’jua dorëzoj, jetën e të ikurit, do ta paguajë me jetën e vet”.

25 Pasi u krye flia e shkrumbimit, Jehui u urdhëroi rojave dhe prijësve ushtarakë: “Hyni dhe vritni: të mos shpëtojë asnjë”! Rojtarët dhe prijësit ushtarakë i prenë me shpatë dhe i shtruan rrah. Pastaj depërtuan në dabir të tempullit të Baalit.

26 E morën truporen e Baalit, e dogjën

27 dhe e thërmuan. Pastaj e rrënuan shtëpinë e Baalit dhe e bënë vendin e saj vend për të hedhur plehrat deri në ditën e sotme.

28 Kështu, pra, Jehui e zhduki prej Izraelit Baalin.

29 Megjithatë nuk iu shmang mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë: nuk u shkoq prej viçave të artë që ishin në Betel e në Dan.

30 Zoti i tha Jehuit: “Pasi e kreve me kujdes atë që është e drejtë para syve të mi dhe bëre gjithçka kisha në mendje kundër shtëpisë së Akabit, bijtë e tu do të rrinë mbi fronin e Izraelit deri në të katërtin brez”.

31 Porse mjerisht Jehui nuk qëndroi të ecte me gjithë zemër në ligjin e Zotit, Hyjit të Izraelit: nuk iu shmang mëkateve të Jeroboamit, i cili e kishte ngashnjyer Izraelin në mëkat.

32 Në atë kohë Zoti filloi të shqyejë copa toke prej Izraelit. Hazaeli i goditi izraelitët gjith‑ kund në kufijtë e tyre;

33 nga Jordani në krahun e lindjes pushtoi mbarë krahinën e Galaadit, të Gadit, të Rubenit, të Manaseut, që prej Aroerit, që është mbi përruan Arnon, Galaadin e Basanin.

34 Veprat e tjera të Jehuit si dhe gjithçka bëri, si dhe trimëritë e tij, vallë a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

35 Edhe Jehui pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbret u bë i biri, Joakazi.

36 Koha gjatë të cilës mbretëroi Jehui mbi Izraelin në Samari, zgjati njëzet e tetë vjet.



Fjala e Zotit