1 Në vitin njëzet e tre të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbi Izrael në Samari u bë mbret Joakazi, biri i Jehuit. Mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.
2 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi mëkatin e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë dhe nuk u shkoq prej atij mëkati.
3 Zemërimi i Zotit u ndez flakë kundër Izraelit dhe i lëshoi në dorë të Hazaelit, mbretit të Sirisë, e në dorë të Benadadit, birit të Hazaelit, gjatë tërë asaj kohe.
4 Por Joakazi ia doli ta zbusë fytyrën e Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa gjendjen e vështirë të Izraelit të ndrydhur prej mbretit të Sirisë.
5 Zoti i dha Izraelit një shpëtimtar; qe çliruar nga thonjtë e sirianëve dhe izraelitët mundën të banonin në tendat e veta si më parë.
6 Megjithatë, nuk u shkoqën nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, që e bëri Izraelin të mëkatojë: jetuan në ato mëkate. Kështu mbeti edhe baniri në Samari.
7 Zoti Joakazit nuk i la prej popullit të armatosur tjetër përveç pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë ia kishte vrarë të tjerët e i kishte bërë si pluhurin që shqelmohet në lëmë në shirje.
8 Veprat e tjera të Joakazit dhe gjithçka ndërmori si dhe trimëritë e tija, vallë a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
9 Joakazi pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij u bë mbret i biri, Joasi.
10 Në vitin e tridhjeteshtatë të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbret në Samari mbi Izraelin u bë Joasi, biri i Joakazit. Mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.
11 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit: nuk u shkoq prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë; ai vazhdoi me to.
12 Veprat e tjera të Joasit, dhe gjithçka ndërmori, si dhe trimëritë e tija, si luftoi kundër Amasiut, mbretit të Judës, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?
13 Joasi fjeti me etërit e vet e në fronin e tij hipi Jeroboami. Joasi qe varrosur në Samari me mbretërit e Izraelit.
14 Elizeu u sëmur nga një sëmundje prej së cilës edhe vdiq. Joasi, mbreti i Izraelit, zbriti tek ai dhe qante pranë tij e i thoshte: “Ati im! Ati im! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij”!
15 Elizeu i tha: “Merre harkun dhe shigjetat”! Kur i solli tek ai harkun e shigjetat,
16 Elizeu i tha mbretit të Izraelit: “Vëre dorën tënde mbi hark”. Kur e vuri dorën mbi hark, Elizeu i vuri duart e veta përmbi duart e mbretit
17 e tha: “Hape dritaren nga lindja”! Kur e hapi, Elizeu i tha: “Gjuaj shigjetë”! Ai gjuajti. Elizeu tha: “Shigjeta ngadhënjyese për nder të Zotit! Shigjeta ngadhënjyese kundër Sirisë! Ti do ta mundësh në Afek Sirinë deri në shfarosje”!
18 Pastaj i tha: “Kapi shigjetat”! Pasi ky i kapi, i tha përsëri: “Bjeri shigjetë tokës”! Si i ra tri herë, zuri vend.
19 Njeriu i Hyjit u hidhërua kundër tij dhe i tha: “Po t’i kishe rënë pesë ose gjashtë herë, do ta kishe mundur Sirinë deri në shfarosje; tashti do të ngadhënjesh mbi të tri herë”.
20 Elizeu vdiq dhe qe varrosur. Tashti, në fillim të vitit, erdhën disa cuba prej Moabit në atë vend.
21 Disa njerëz që po varrosnin një të vdekur, i panë cubat, e hodhën kufomën në varr të Elizeut dhe ikën. Kur i preku kufoma eshtrat e Elizeut, u ngjall i vdekuri dhe qëndroi në këmbët e veta.
22 Hazaeli, mbreti i Sirisë, e ndrydhi Izraelin gjatë gjithë jetës së Joakazit.
23 Porse Zoti pati mëshirë për ta dhe u kthye prej tyre për shkak të besëlidhjes së vet që, kishte lidhur me Abrahamin, Izakun e Jakobin. Nuk deshi t’i shfaroste as të hiqte krejtësisht dorë prej tyre deri në ditën e sotme.
24 Vdiq Hazaeli, mbreti i Sirisë, e në vend të tij mbretëroi Benadadi, i biri.
25 Joasi, biri i Joakazit, i mori prej dorës së Benadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ia kishte pushtuar me luftë Joakazit, babait të tij. Tri herë rresht Joasi e mundi Benadadin dhe ia riktheu Izraelit qytetet.