< 2Mbr 14 2Mbr 16 >
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve(2Mbr 15)
15

1 Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, mbretëroi Azaria, biri i Amasiut, mbretit të Judës.

2 Kishte gjashtëmbëdhjetë vjet kur filloi të mbretërojë e mbretëroi në Jerusalem pesëdhjetë e dy vjet. Emri i s’ëmës ishte Jekeli dhe ishte prej Jerusalemit.

3 Bëri ç’është e drejtë në sy të Zotit, pikërisht porsi i ati i tij, Amasiu.

4 Megjithatë nuk i rrënoi lartësirat. Populli vazhdoi të flijojë e të kushtojë kem në lartësira.

5 Zoti e goditi mbretin me gërbulë dhe nuk iu hoq derisa vdiq. Jetonte në një shtëpi të ndarë veçmas, kurse biri i mbretit, Joatami ishte drejtor i pallatit mbretëror dhe gjykonte popullin e vendit.

6 Veprat e tjera të Azarisë dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

7 Azaria fjeti pranë etërve të vet dhe e varrosën me të parët e vet në Qytetin e Davidit. Ne vend të tij mbretëroi Joatami, i biri.

8 Në të tridhjetetetin vit të Azarisë, mbretit të Judës, mbi Izrael në Samari mbretëroi Zakaria, biri i Jeroboamit, për gjashtë muaj.

9 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, ashtu siç kishin bërë të parët e tij. Nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë.

10 U përbetua kundër tij Selumi, biri i Jabesit. I ra në Jeblaam dhe e vrau. U bë mbret në vend të tij.

11 Veprat e tjera të Zakarisë, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

12 Kjo është fjalë që Zoti ia kishte thënë Jehuit: “Fëmijët e tu do të rrinë mbi fronin e Izraelit deri në të katërtën brezni”. Dhe ashtu ndodhi.

13 Në të tridhjetenëntin vit të Azarisë, mbretit të Judës, u bë mbret Selumi, biri i Jabesit. Mbretëroi vetëm një muaj në Samari.

14 Prej Tersës erdhi Manahemi, biri i Gadit, në Samari, e sulmoi Selumin, birin e Jabesit, në Samari, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

15 Veprat e tjera të Selumit si dhe përbetimi që e sendërtoi, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

16 Asokohe Manahemi e rroposi Tapsën me gjithçka ishte në të si dhe krahinat e saja prej Tersës, sepse nuk deshën t’ia hapnin dyert e qytetit. I vrau edhe të gjitha gratë shtatzëna duke ua shporuar barkun.

17 Në të tridhjetenëntin vit të Azarisë, mbretit të Judës, Manahemi, biri i Gadit, mbretëroi mbi Izraelin. Mbretëroi në Samari dhjetë vjet.

18 Bëri çka ishte e keqe në praninë e Zotit. Nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.

Në kohën e tij

19 Fuli, mbreti i asirëve, e pushtoi vendin. Manahemi i dha Fulit një mijë talenta argjendi që ta përkrahte dhe t’ia përforconte mbretërimin.

20 Manahemi i mblodhi këto para prej të gjithë pasanikëve të Izraelit për t’ia dhënë mbretit të Asirisë. Secilit iu desh të jepte nga pesëdhjetë sikla argjendi. Kështu mbreti i Asirisë u kthye e nuk u ndal në vend.

21 Veprat e tjera të Manahemit si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

22 Manahemi pushoi me etërit e vet. Në vend të tij mbretëroi Faceja, biri i tij.

23 Në vitin e pesëdhjetë të Azarisë, mbretit të Judës, mbi Izrael mbretëroi në Samari për dy vjet, Faceja, biri i Manahemit.

24 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit. Nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë.

25 Kundër tij bëri përbetim Faceu, biri i Romelisë, kryetari i ushtrisë së tij, dhe e vrau në Samari, në kullën e shtëpisë mbretërore... Me të ishin pesëdhjetë burra prej bijve të Galaadit. E vrau dhe në vend të tij u bë mbret.

26 Veprat e tjera të Facesë, si dhe të gjitha që bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

27 Në vitin e pesëdhjetedytë të Azarisë, mbretit të Judës, mbret mbi Izraelin u bë Faceu, biri i Romelisë. Për njëzet vjet mbretëroi në Samari.

28 Bëri ç’ishte e keqe për sytë e Zotit. Nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.

29 Në kohën e Faceut, mbretit të Izraelit, erdhi Teglatfalasari, mbreti i Asirisë, dhe pushtoi Ajonin, Abelbetmaakën, Janoehun, Cedesin, Asorin, Galaadin, Galilenë dhe mbarë tokën e Neftaliut dhe banorët i treti në Asiri.

30 Kundër Faceut, birit të Romelisë, bëri përbetim Oseu, biri i Elës: e goditi dhe e vrau e mbretëroi në vend të tij në të njëzetin vit të Joatamit, birit të Ozisë.

31 Veprat e tjera të Faceut, si dhe gjithçka ndërmori, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

32 Në vitin e dytë të Faceut, birit të Romelisë, mbretit të Izraelit, mbretëroi Joatami, biri i Ozisë, mbretit të Judës.

33 Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. Emrin nëna e tij e kishte Jerusë. Ishte bija e Sadokut.

34 Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit; veproi krejtësisht porsi i ati i vet, Ozia.

35 Porse lartësirat nuk i hoqi; populli vazhdoi gjithnjë të flijonte e të digjte kem në lartësira.

Ai ndërtoi derën e Sipërme në Shtëpinë e Zotit.

36 Veprat e tjera të Joatamit, si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

37 Në kohën e tij Zoti filloi të dërgojë në Judë Rasinin, mbretin e sirianëve, dhe Faceun, birin e Romelisë.

38 Joatami pushoi pranë etërve të vet dhe qe varrosur bashkë me ta në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Akazi, djali i tij.



Fjala e Zotit