1 Kur i dëgjoi këto fjalë Ezekia, i shqeu petkat e veta, ngjeshi grathoren dhe hyri në Shtëpinë e Zotit.
2 Atëherë i dërgoi tek Isaia profet, biri i Amosit, Eliacimin, kryekuj‑ destarin e pallatit, sekretarin Sobnë dhe krerët e priftërinjve të veshur me grathore.
3 Ata i thanë: “Kështu thotë Ezekia: Ditë ngushtimi, ditë ndëshkimi e ditë turpi është kjo ditë: foshnjat janë rritur për të dalë në dritë, porse lindëses i mungojnë fuqitë për t’i qitur në dritë!
4 Ndoshta Zoti, Hyji yt, do t’i dëgjojë të gjitha fjalët e Rabsacesit, që zotëria i tij, mbreti i Asirisë, e dërgoi për ta poshtëruar Hyjin e gjallë, e do ta ndëshkojë për fjalët që i dëgjoi Zoti, Hyji yt. Thuaji një uratë për tëpricën që ende ka mbetur”.
5 Shkuan, pra, shërbëtorët e mbretit Ezeki tek Isaia.
6 Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë tuaj. Kështu thotë Zoti: Mos i druaj fjalët që i dëgjove ti, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë sharë mua.
7 Ja, unë po çoj në të një shpirt dhe, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet . Do të bëj që në vendin e tij të vritet prej shpatës”.
8 Rabsaci u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë duke sulmuar Lobnën; i kishte shkuar lajmi se mbreti e kishte lëshuar Lakisin.
9
Atëherë Senakeribi i dërgoi përsëri kasnecët e vet tek Ezekia për t’i thënë:
10 “Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos gënjejë Hyji yt, në të cilin ke vënë shpresën dhe mos thuaj: ‘Jerusalemi nuk do të bjerë në dorë të mbretit të Asirisë’.
11 Ti vetë ke dëgjuar mirë fort se ç’u kanë bërë të gjitha vendeve mbretërit e Asirisë: se si i kanë shkretëruar! A thua vetëm ti do të shpëtosh?
12 A thua secili nga zotat e popujve i shpëtoi popujt e vet që i shkretëruan etërit e mi, d. m. th. Gozanin, Harranin, Resefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Thelasar?
13 Ku është mbreti Emat, mbreti Arfad e mbreti i qytetit Sefarvaim, Ana e Ava”?
14 Kur Ezekia mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe pasi e lexoi, shkoi në Shtëpinë e Zotit dhe e shtriu përpara Zotit.
15 Kështu u lut në praninë e Zotit: “O Zot, Hyji i Izraelit, që rri mbi kerubinë! Ti i vetmi je Hyji i të gjitha mbretërive të tokës! Ti e krijove qiellin e tokën!
16 Prire veshin tënd e dëgjo! Hapi, o Zot, sytë e tu e shiko! Dëgjo të gjitha fjalët e Senakeribit, që i dërgoi për të poshtëruar Hyjin e gjallë!
17 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë shkretëruan popuj dhe vendet e tyre!
18 Edhe zotat e tyre i dogjën në zjarr. Veçse ata nuk ishin Zot, por vepër e duarve të njerëzve prej drurit e gurit, dhe mbretërit e Asirisë i rrënuan.
19 Por ti, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e tokës, se ti, o Zot, je i vetmi Hyj”.
20 Atëherë Isaia, biri i Amosit, dërgoi për t’i thënë Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘E kam dëgjuar lutjen që ma ke drejtuar ti lidhur me Senakeribin, mbretin e Asirisë.
21 Ja fjalët që Zoti i tha kundër tij:
Të përbuz, të përqesh virgjëra, bija e Sionit!
Prapa teje e tund kokën bija e Jerusalemit!
22 Kë poshtërove, kë shave?
Kundër kujt e ngrite zërin
dhe me krenari i lartësove sytë?
Kundër Shenjtit të Izraelit!
23 Me gojën e shërbëtorëve të tu e feve Zotin.
Ti the: ‘Me karrocat e mia të shumta
në majë u dola maleve;
në më të lartat maja të Libanit
dhe ia preva më të lartët cedra,
më të bukurit bredha!
I dola në më të lartat maja,
në më të dendurin pyll!
24 Hapa e piva ujët e huaj;
me shputat e këmbëve të mia
i shtera ujërat e Egjiptit’!
25 Pse a nuk e di
se që kaherë e kam bërë këtë synim,
se prej kohësh të lashta
ta kam përftuar?
Tani do ta sendërtoj:
të është dhënë t’i shndërrosh
qytetet e forta në rrënoja.
26 Banorët e tyre të pafuqishëm
u tmerruan dhe u mposhtën,
u bënë porsi bari i fushës,
porsi bari në lëndinë, bar pullazesh,
që thahet pa mbërritur pjekurinë!
27 E di kur rri,
kur del e kur kthehesh.
Edhe tërbimin tënd kundër meje:
28 u shkumite kundër meje,
krenaria jote arriti në veshët e mi!
Hundës sate mëhundëzën do t’ia vë,
në gojën tënde fre të hekurt
e do të të kthej udhës nga ke ardhur!
29 Ty Ezeki, kjo le të jetë shenja:
ha sivjet ç’të gjesh,
kurse sot një vit ç’të mbijë vetiu.
Në vitin e tretë mbillni e korrni,
mbillni vreshta dhe hani frutat e tyre.
30 Ata që të shpëtojnë prej shtëpisë së Judës,
thellë rrënjët do t’i lëshojnë,
e lart fruta do të prodhojnë;
31 sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica,
të Shpëtuarit prej malit Sion!
Dashuria përvëluese e Zotit do ta bëjë këtë!
32 Prandaj Zoti kështu thotë për mbretin e Asirisë:
S’do të hyjë, jo, në këtë qytet,
kundër tij s’do të qesë shigjetë,
kundër tij as shqyt s’do të kthejë,
s’do të thellojë kanal rreth tij!
33 Rrugës nga erdhi ai do të zmbrapset,
në këtë qytet këmba s’i shkel!
Është kjo fjala që Zoti e flet.
34 Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj
për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim”.
35 Po atë natë engjëlli i Zotit hyri në fushimin e asirëve dhe i vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë asirë. Kur u ngritën herët në mëngjes, i panë të gjitha kufomat e të vdekurve.
36 Senakeribi, mbreti i Asirisë, bëri çojën dhe shkoi e u ndal në Ninivë.
37 Dhe, ndërsa po adhuronte në tempullin e Nesrokut, zotit të vet, Adrameleku dhe Sarasati, bijtë e tij, e vranë shpatë dhe ikën në tokën e armenëve. Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.