1 Pas këtyre ngjarjeve, vdiq mbreti i amonëve dhe në vend të tij mbretërimin e mori i biri Hanoni.
2 Atëherë Davidi tha: “Dua të dëftohem i njerëzishëm me Hanonin, birin e Naasit, sikurse edhe i ati i tij u dëftua i njerëzishëm me mua”. Kështu pra, Davidi dërgoi disa njerëz që në emër të tij t’i shprehnin ngushëllimet për vdekjen e t’et. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në tokën e bijve të Amonit,
3 prijësit e bijve të Amonit i thanë Hanonit, zotërisë së tyre: “A ta thotë mendja se Davidi i nisi këta të të shprehin ngushëllime për nderim të babait tënd? A thua s’i dërgoi Davidi shërbëtorët e vet tek ti që të vëzhgojnë e të marrin hetime mbi qytet për ta shkatërruar”?
4 Atëherë Hanoni i kapi shërbëtorët e Davidit, ua rroi gjysmën e mjekrrës, ua shkurtoi petkat përgjysmë ‑ deri në mollaqe dhe i ktheu prapa.
5 Kur e lajmëruan Davidin, ky dërgoi disa vetë para tyre ‑ sepse njerëzit ishin të çnderuar tepër rëndë ‑ me këtë porosi: “Qëndroni në Jerikon derisa t’ju rritet mjekrra e pastaj kthehuni”.
6 Duke parë amonët se kishin shkaktuar kundër vetes mërinë e Davidit, çuan e morën me pagesë sirianë prej Betrohobit, sirianë prej Sobës njëzet mijë këmbësorë, prej mbretit Maakës një mijë dhe njerëz prej Tobit dymbëdhjetë mijë.
7 Kur e mori vesh këtë gjë Davidi, dërgoi Joabin me mbarë ushtrinë ‑ trimat më të zgjedhur.
8 Dolën, pra, bijtë e Amonit dhe u vunë në rreshtin e përleshjes mu para derës së qytetit, kurse sirianët prej Sobës e prej Rohobit dhe ushtarët e Tobit e të Maakës qëndronin veçan në fushim.
9 Joabi kur pa se do t’i duhej ta përballonte përleshjen ballë për ballë dhe pas shpine, zgjodhi prej më të zgjedhurve të mbarë Izraelit dhe renditi rreshtin e luftës kundër sirëve:
10 pjesën tjetër të popullit ia dha vëllait të vet Abisait, i cili e renditi rreshtin e luftës kundër amonëve.
11 Joabi tha: “Nëse sirët do të jenë më të fortë se unë, atëherë ti më eja në ndihmë, kurse, në qoftë se amonët do të jenë më të fortë se ti, unë do të të vij në ndihmë.
12 Ji burrë i fortë e të luftojmë trimërisht për popullin tonë dhe për qytetet e Hyjit tonë! E Zoti le të bëjë ashtu si t’i pëlqejë Atij”!
13 Atëherë Joabi dhe njerëzit që ishin me të, u nisën drejt sirëve për t’i sulmuar, por këta ikën para tyre.
14 Por edhe amonët, kur panë se sirëve iu dha ika, u vunë në të ikur edhe ata para Abisait dhe hynë në qytet. Atëherë Joabi hoqi dorë nga lufta kundër bijve të Amonit dhe u kthye në Jerusalem.
15 Sirët, me të parë se kishin qenë thyer para Izraelit, u mblodhën përsëri të gjithë së bashku.
16 Adadezeri dërgoi dhe i solli sirët që ishin përtej Lumit. Ata erdhën në Elam. Sobaku, që ishte prijës i ushtrisë së Adadezerit, ishte komandanti i tyre.
17 Kur e lajmëruan për këtë Davidin, e mblodhi mbarë Izraelin, e kaloi Jordanin dhe erdhi në Elam. Sirët u vunë në rresht lufte dhe ia filluan përleshjes me Davidin.
18 Por sirët ikën para Izraelit. Davidi i vrau shtatëqind kuaj të mbrehur dhe dyzet mijë këmbësorë. E vrau edhe Sobakun, prijësin e ushtrisë, që mbeti vdekur në fushën e përleshjes.
19 Kur panë mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë Adadezerit, se u mundën nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe u vunë nën skllavërinë e izraelitëve. Sirët i kapi frika dhe s’guxuan më t’u vijnë në ndihmë bijve të Amonit.