< 2Sam 12 2Sam 14 >
Lexim prej librit të dytë të Samuelit(2Sam 13)
13

1 Dhe ja se ç’do të ndodhë pastaj: Amnoni, biri i Davidit, dashurohet në motrën e Absalomit, birit të Davidit, që ishte shumë e bukur dhe quhej Tamarë.

2 Amnoni u ngushtua aq fort për shkak të epshit ndaj motrës së vet Tamarës, saqë ra i sëmurë, e pasi ajo ishte e virgjër, i dukej krejtësisht e pamundshme të bënte ndonjë gjë të pandershme me të.

3 Porse Amnoni e kishte mik njërin që quhej Jonadab, biri i Samës, të vëllait të Davidit, që ishte njeri shumë dinak.

4 Ky i tha: “Pse po fiktohesh e thahesh kështu çdo ditë e më tepër, o djali i mbretit? Pse nuk më tregon mua”? Atëherë Amnoni i tha: “Kam rënë në dashuri në motrën e Absalomit, Tamarën”.

5 Jonadabi iu përgjigj: “Bjer në shtratin tënd dhe shtiru se je i sëmurë. Kur të vijë yt atë të të shohë, ti i thuaj: ‘Po të lutem që të vijë ime motër, Tamara, e të më japë të ha; nëse ajo do të ma përgatisë gjellën ndër sytë e mi, do të ha prej dorës së saj’”.

6 Ra, pra, në të shtruara Amnoni dhe u shtir se ishte i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha mbretit: “Le të vijë, po të lutem, ime motër Tamara e të m’i përgatitë dy petulla para syve të mi dhe do të ha prej duarve të saj”.

7 Atëherë Davidi i çoi fjalë Tamarës që ishte në pallat e tha: “Eja në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji gati të hajë”.

8 Tamara erdhi në shtëpinë e Amnonit, vëllait të vet; ai ishte ratë. Ajo mori miell, e përzjeu dhe i poqi petullat.

9 Atëherë e mori fulteren dhe i zbrazi para tij petullat që i kishte përgatitur. Nuk deshi të hante dhe Amnoni tha: “Largoni jashtë prej meje të gjithë”. Kur i qitën jashtë të gjithë,

10 atëherë Amnoni i tha Tamarës: “Ma sill hajen në fjetore që të ha prej dorës sate”. Kështu pra, Tamara i mori petullat që i kishte përgatitur dhe ia çoi Amnonit të vëllait, në fjetore.

11 Kur ia solli ushqimin, e kapi atë dhe i tha: “Eja, bjer me mua, motra ime”.

12 Por ajo iu përgjigj: “Mos, o vëlla, mos më çndero! Një punë e tillë nuk bëhet në Izrael! Mos e bëj këtë poshtërsi!

13 E unë nga do t’ia mbaj nëse më çnderon? E ti do të jesh i pandershëm përgjithmonë në Izrael. Më mirë fol me mbretin e ai s’do të më mohojë të më japë tek ti për grua”.

14 Por ai s’deshi të dëgjonte lutjet e saja: por, pasi ishte më i fuqishëm, e pushtoi dhe ra me të.

15 Atëherë Amnoni e urrejti me një urrejtje të madhe pa masë, kështu që urrejtja me të cilën pastaj e urrejti, ishte shumëfish më e madhe se epshi që e kishte pushtuar më parë. Amnoni i tha: “Çohu e zhduku”!

16 E ajo iu përgjigj: “Mos, vëllai im, se kjo e keqe që po e bën tani kundër meje duke më dëbuar, është e keqe më e madhe se ajo që bëre më parë”. Por ai s’deshi ta dëgjonte;

17 thirri një shërbëtor që i shërbente e tha: “Hidhe këtë jashtë prej meje dhe mbylle derën pas saj”!

18 Kjo ishte e veshur me këmishë deri në fund të këmbëve me mëngë të gjera, sepse kështu e kishin zakon të visheshin vajzat, ende të virgjëra, bijat e mbretit. Kështu shërbëtori i tij e hodhi jashtë dhe mbylli derën pas saj.

19 Tamara mori pluhur dhe qiti në kokë, shqeu këmishën me mëngë të gjera që e kishte veshur, i vuri të dy duart mbi kokën e vet e shkonte rrugës duke bërtirur.

20 Atëherë i tha i vëllai, Absalomi: “A mos qe me ty Amnoni, vëllai yt? Por tani për tani, motër, mos trego: është vëllai yt! Mos e prish mendjen tënde për këtë gjë”! Kështu, pra, Tamara mbeti e braktisur në shtëpinë e Absalomit, të vëllait.

21 Kur i mori vesh Davidi mbret të gjitha këto, u hidhërua deri aty, por s’deshi ta trishtojë Amnonin, birin e vet, sepse e donte psei ishte djali i tij i parë.

22 Madje as Absalomi s’i tha asnjë gjysmë fjale Amnonit, as mirë as keq: veçse Absalomi e urrente Amnonin pse i kishte dhunuar të motrën, Tamarën.

23 Pas dy vjetëve, kur i kishte Absalomi qethtarët e deleve në Baalhasor, që është në Efraim, i grishi të gjithë bijtë e mbretit.

24 Shkoi te mbreti dhe i tha: “Ja, është qethja e deleve të shërbëtorit tënd, po të lutem, le të urdhërojë mbreti me shërbëtorët e vet e le të vijë te shërbëtori i tij”.

25 E mbreti i tha Absalomit: “Mos m’u vër, biri im, mos m’u vër që të vijmë të gjithë e të të rëndojmë”. Edhe pse Absalomi iu vu shumë, mbreti nuk deshi të shkonte, por e bekoi.

26 Atëherë Absalomi i tha: “Nëse nuk do të vish ti, të lutem, le të vijë me ne së paku Amnoni, vëllai im”. Por mbreti i tha: “Përse të vijë me ty”?

27 Por, pasi Absalomi iu vu shumë, mbreti lejoi të shkonin me të Amnoni dhe të gjithë bijtë e mbretit.

Absalomi bëri një gosti, vërtet si gosti mbretërish.

28 Por Absalomi u urdhëroi shërbëtorëve të vet: “Vini re: kur të shihni se Amnonin e ka bërë në qejf vera dhe kur unë t’ju them: Goditeni Amnonin e vriteni!, të mos ju kapë frika, sepse unë jam ai që ju urdhëroj: kini guxim e të mos ju lëshojë zemra”!

29 Shërbëtorët e Absalomit bënë kundër Amnonit ashtu siç u urdhëroi Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u çuan, u hipën mushqve të vet dhe ikën.

30 Derisa ata po udhëtonin ende, Davidit i erdhi ky kumt i zi: “Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre”.

31 Atëherë mbreti u ngrit, i shqeu petkat e veta dhe u shtri përtokë. Po ashtu edhe të gjithë shërbëtorët e tij që i shërbenin, i shqyen petkat e veta.

32 Por Jonadabi, biri i Samës, vëllait të Davidit, tha: “Të mos i shkojë mendja Imzotit se janë të vrarë të gjithë djelmoshat, bijtë e mbretit. Është i vrarë vetëm Amnoni, sepse Absalomi e kishte qitur cekën ta bënte këtë që ditën që ia çnderoi të motrën Tamarën.

33 Prandaj Imzot mbreti tani të mos kujtojë as të mos e marrë parasysh këtë lajm: ‘Janë vrarë të gjithë të bijtë e mbretit’, sepse i vrarë është vetëm Amnoni”.

34 Absalomi kishte marrë arratisjen.

Djaloshi që mbante rojën e vëzhgimit, ngriti sytë e vet, kur ja, pa se po vinin një shumicë e madhe njerëzish udhës së Horonaimit duke zbritur shpatit të malit. Shkoi vëzhguesi, e lajmëroi mbretin e i tha: “Po shoh njerëz udhës së Horonaimit”.

35 Atëherë Jonadabi i tha mbretit: “Ja, po vijnë bijtë e mbretit! Gjithçka ka ndodhur si të ka thënë shërbëtori yt”.

36 Posa e kreu fjalën, ia behën bijtë e mbretit dhe, ndërsa po hynin, vajtonin me zë të lartë. Po ashtu edhe mbreti dhe të gjithë oborrtarët e tij, lëshuan një gjëmë shumë të madhe.

37 Absalomi kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar te Tolomai, biri i Amiudit, mbret i Gesurit. Davidi e vajtoi djalin e vet për një kohë të gjatë.

38 Kurse Absalomi, pasi iku e shkoi në Gesur, qëndroi atje tre vjet.

39 Zemra e mbretit pushoi ta urrente Absalomin, sepse i ishte lehtësuar dhimbja për vdekjen e Amnonit.



Fjala e Zotit