< 2Sam 14 2Sam 16 >
Lexim prej librit të dytë të Samuelit(2Sam 15)
15

1 Pas kësaj Absalomi bëri karrocë e kuaj dhe i bashkoi pesëdhjetë vetë që vraponin para tij.

2 Absalomi ngrihej herët në mëngjes e qëndronte mbanë udhës që çon te dyert e qytetit. Secilin njeri që kishte ndonjë çështje dhe po shkonte te mbreti në gjyq, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: “Prej cilit qytet je ti”? Ai i përgjigjej: “Jam prej këtij ose atij fisi, unë shërbëtori yt”.

3 Absalomi i thoshte: “A po sheh? Fjalët e tua janë të mira dhe të drejta, por gjë s’të vlen pasi askush s’është nga ata të mbretit i caktuar që të ta dëgjojë fjalën”. Pastaj shtonte Absalomi:

4 “Oh, sikur të më bënin mua gjykatës të vendit! Secili që do të kishte ndonjë ankesë ose gjyq, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi”.

5 E kur i afrohej ndokush për t’i shprehur nderim me përulje, ai shtrinte dorën e vet, e kapte, e ngrinte lart dhe e përqafonte.

6 Kështu bënte me të gjithë izraelitët që shkonin në gjyq te mbreti. Në këtë mënyrë Absalomi i bënte për vete zemrat e izraelitëve.

7 Tashti, pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: “Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për t’i kryer kushtet që i kam bërë Zotit.

8 Sepse shërbëtori yt, kur ishte në Gesur të Sirisë, u zotua kështu: ‘Nëse Zoti më kthen në Jerusalem, do t’i flijoj Zotit’”.

9 Mbreti iu përgjigj: “Shko në paqe”! Absalomi u ngrit dhe shkoi në Hebron.

10 Atëherë Absalomi dërgoi lajmëtarë në të gjitha fiset e Izraelit me këtë porosi: “Posa ta dëgjoni zërin e borisë, thoni: ‘Absalomi është bërë mbret në Hebron’”!

11 Porse me Absalomin kishin shkuar prej Jerusalemit dyqind vetë, të grishur, por që s’dinin asgjë për sa po përgatitej.

12 Absalomi çoi dhe e thirri Akitofelin prej Gilos, këshilltarin e Davidit, prej qytetit të tij, Gilos, për të marrë pjesë në flitë e tija. U bë kështu një përbetim shumë i rrezikshëm dhe numri i përkrahësve të Absalomit po shtohej.

13 Atëherë ia behu te Davidi kasneci me këtë lajm: “Me gjithë zemër mbarë Izraeli po shkon pas Absalomit”.

14 Atëherë Davidi u tha oborrtarëve të vet që ishin me të në Jerusalem: “Çohuni të ikim! sepse përndryshe askush prej nesh nuk do të shpëtojë prej duarve të Absalomit! Shpejtoni të dalim që ai të mos jetë më i shpejtë e të na zërë, se atëherë do të na rrënojë e mbarë qytetin do ta kalojë me teh të shpatës”.

15 Oborrtarët e mbretit iu përgjigjën: “Gjithësi ta gjejë se është më mirë zotëria ynë, mbreti, shërbëtorët e tu janë gati”!

16 Kështu, pra, doli mbreti dhe mbarë familja e tij pas tij dhe mbreti i la dhjetë gratë ja për t’ia ruajtur shtëpinë.

17 Si doli mbreti dhe mbarë populli pas tij, shkuan e zunë vend tek e sprasmja shtëpi.

18 Të gjithë oborrtarët e tij u ndalën pranë tij. Të gjithë keretët, feletët, mbarë geteasit ‑ gjashtëqind burra që e kishin ndjekur prej Getit, kaluan përpara mbretit.

19 Mbreti e pyeti Etai Geteasin: “Pse po vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe qëndro te mbreti, sepse je i huaj, madje i ikur prej vendit tënd.

20 Dje ke arritur e sot të të shtrëngoj të endesh me ne pasi unë po shkoj nga të më bëjnë sytë dritë. Kthehu dhe ktheji vëllezërit e tu me ty e Zoti ta dëftoftë dashurinë e vet e besnikërinë”.

21 Por Etai iu përgjigj kështu mbretit: “Pasha Zotin e pashajetën e zotërisë tim, mbretit, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë në vdekje dhe qoftë në jetë, po aty do të jetë edhe shërbëtori yt”.

22 Atëherë Davidi i tha Etait: “Mirë, pra kalo!” Dhe Etai Geteasi kaloi me të gjithë trimat e tij e me të gjithë fëmijët që ishin me të.

23 Të gjithë qanin me zë të lartë dhe mbarë populli kalonte. Po edhe mbreti po e kalonte përroin Cedron e mbarë populli ecte përpara udhës drejt shkretëtirës.

24 Erdhi edhe Sadoku dhe mbarë levitët me të duke bartur Arkën e Besëlidhjes së Hyjit. Ata e ulën Arkën e Hyjit dhe Abiatari kushtoi fli ndërkohë që mbarë populli po dilte prej qytetit.

25 Atëherë mbreti i tha Sadokut: “Ktheje Arkën e Hyjit në qytet. Nëse do të gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë dhe do të ma dëftojë atë dhe banesën e saj.

26 Po nëse thotë: ‘Nuk më pëlqen’, jam gati: le të bëjë me mua siç është mirë para syve të tij”.

27 Atëherë mbreti i tha Sadokut prift: “Dëgjo këtu: kthehu në paqe në qytet! Le të kthehet edhe Akimaasi, yt bir, dhe Jonatani, djali i Abiatarit: këta dy bijtë tuaj me ju.

28 Kurse unë do të ndalem te shtigjet e shkretëtirës, derisa të më vijë ndonjë lajm prej jush”.

29 Kështu Sadoku dhe Abiatari e kthyen Arkën e Hyjit në Jerusalem dhe qëndruan atje.

30 Davidi po ngjitej përpjetës së Malit të Ullinjve duke qarë, me kokë zbuluar e me këmbë të zbathura. Po ashtu edhe mbarë populli që ishte me të me kokë zbuluar ngjitej duke qarë.

31 E lajmëruan Davidin se edhe Akitofeli ishte në përbetim me Absalomin. Davidi u lut: “Po të lutem, o Zot, bëji të marra këshillat e Akitofelit”!

32 Sapo doli Davidi në majën e malit, ku adhurohet Hyji, kur ja, i doli në takim Kusai Arakiti. I kishte shqyer petkat dhe kokën e kishte bërë me pluhur.

33 Atëherë Davidi i tha: “Nëse do të vish me mua, do të më bëhesh barrë;

34 por nëse kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: ‘Do të jem shërbëtori yt, o mbret! Më parë isha shërbëtori i tët eti, por tani do të jem shërbëtori yt’, kështu do të mund t’i sjellësh këshillat e Akitofelit në të mirën time.

35 Me ty janë priftërinjtë Sadoku dhe Abiatari. Gjithçka të dëgjosh se flitet në pallatin e mbretit, tregoji Sadokut e Abiatarit, priftërinjëve.

36 Me ta janë edhe dy të bijtë e tyre: Akimaasi i Sadokut dhe Jonatani i Abiatarit: me anë të tyre më ço fjalë për gjithçka të dëgjoni”.

37 Kështu, pra, ndërsa Kusai, miku i Davidit, arriti në qytet, po ashtu edhe Absalomi hyri në Jerusalem.



Fjala e Zotit