1 Atëherë Akitofeli i tha Absalomit: “Më lejo t’i zgjedh dymbëdhjetë mijë ushtarë e ta ndjek Davidin po këtë natë.
2 Do ta sulmoj mu atëherë kur do të jetë i lodhur e i këputur. Do t’ia fus tmerrin. Kur mbarë ushtria që do të jetë me të do të ikë, atëherë do ta godas mbretin e lënë vetëm,
3 kurse mbarë popullin do ta sjell tek ti siç bihet nusja te burri i saj: ti kërkon jetën e një njeriu të vetëm, atëherë mbarë populli do të jetë i qetë”.
4 Fjala e tij i pëlqeu Absalomit dhe mbarë krerëve të Izraelit.
5 Por Absalomi tha: “Thirreni edhe Kusai Arakitin dhe të degjojmë ç’thotë edhe ai”.
6 Kur erdhi Kusai tek Absalomi, Absalomi e pyeti: “Akitofeli ka thënë kështu. A na duhet të bëjmë si ka thënë ai apo jo? Fol ti”!
7 Kusai i tha Absalomit: “Këshilla që ka dhënë Akitofeli kësaj here nuk është e mirë”.
8 Dhe Kusai vazhdoi: “Ti e njeh mirë babain tënd dhe njerëzit që janë me të. E di se janë trima të fortë dhe zemërplasur porsi arusha në mal kur i kanë rrëmbyer këlyshët. E yt atë është mjeshtër lufte, ai nuk rri me popull:
9 ai tani fshihet në ndonjë pritë ose në ndonjë vend tjetër. E, po të vritet në fillim ndonjë, kushdo qoftë, me siguri do të dëgjohet e do të thonë: ‘U bë emnesa në ushtrinë që shkon pas Absalomit’!
10 E atëherë do të ligështohet prej frike edhe më trimi që e ka zemrën si luani: sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është trim i fortë dhe se janë trima edhe të gjithë ata që janë me të.
11 Por unë mendoj se kështu duhet këshilluar: le të bashkohet mbarë Izraeli rreth teje prej Danit e deri në Bersabe ‑ i panumërueshëm porsi rëra në bregun e detit ‑ dhe ti vetë çaj në luftë.
12 Atëherë do të sulemi mbi të në cilindo vend të gjendet e do ta mbulojmë porsi vesa kur bie mbi tokë dhe s’do të mbesë gjallë as ai as trimat që janë me të ‑ asnjë për be.
13 Po në qoftë se do të hyjë në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t’ia qesë atij qyteti litarët dhe do ta ngrehim në përrua derisa të mos mbesë as guralec në të”.
14 Atëherë Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: “Më e mirë është këshilla e Kusai Arakitit se këshilla e Akitofelit”. Zoti kishte vendosur të shkonte kot këshilla e dobishme e Akitofelit për t’ia sjellë të keqen Absalomit.
15 Atëherë Kusai u çoi fjalë priftërinjve Sadokut dhe Abiatarit e tha: “Akitofeli kështu e kështu e këshilloi Absalomin dhe krerët e Izraelit, kurse unë i dhashë këtë e këtë këshillë.
16 Prandaj dërgoni e lajmëroni me nxitim Davidit e thoni: ‘Mos e kalo assesi natën në vatë e shkretëtirës, por pa vonesë kalo në anën tjetër që të mos mbarrojë mbreti dhe mbarë ushtria që është me të’”.
17 Jonatani dhe Akimaasi qëndronin te burimi Rogel. Një shërbëtore shkonte tek ata e u sillte lajme. Ata shkuan dhe i treguan Davidit lajmin. Ata nuk mund të hynin në qytet që të mos i hetonin.
18 Megjithatë i pa një djalosh dhe i tregoi Absalomit. Por ata e shpejtuan hapin dhe arritën në shtëpinë e një burri të Bahurimit, i cili kishte një pus në oborrin e vet. Këta zbritën në pus.
19 Një grua mori një mbulesë dhe e qiti mbi grykën e pusit e mbi të qiti grurë të shtypur kështu që s’hetuan gjë.
20 Kur erdhën ushtarët e Absalomit në shtëpi te gruaja, thanë: “Ku janë Akimaasi dhe Jonatani”? Gruaja u përgjigj: “Kanë kaluar në drejtim të ujit”. Këta që i kërkonin, pasi nuk i gjetën, u kthyen në Jerusalem.
21 Pasi u larguan ushtarët, ata dolën prej pusit, shkuan, e lajmëruan Davidin dhe i thanë: “Ngrihuni dhe kalojeni me të shpejtë lumin, sepse kështu i ka këshilluar Akitofeli kundër jush”.
22 U çua, pra, Davidi dhe mbarë populli që ishte me të, dhe e kaluan Jordanin. Në të zbardhur të dritës s’mbeti asnjë që nuk e kishte kaluar lumin.
23 Akitofeli, kur pa se këshilla e tij nuk u mor parasysh, e shaloi gomarin e vet, u çua dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Dhe, si ia dha porositë e fundit familjes së vet, shkoi e u var në litar dhe vdiq. Qe varrosur në varrezën e të atit.
24 Kur arriti Davidi në Makanaim, Absalomi e kaloi Jordanin, ai dhe mbarë izraelitët që ishin me të.
25 Absalomi e kishte vënë për kryetar ushtrie Amasën në vend të Joabit. Amasa ishte bir i një farë burri që quhej Jetër, ismaelit, i cili kishte hyrë tek Abigajla, bija e Isait, motra e Sarvisë, që ishte nëna e Joabit.
26 Dhe Izraeli me Absalomin në krye nguli fushimin në tokën Galaad.
27 Kur arriti Davidi në Mahanaim, Sobiu, biri i Naasit, prej Rabës së bijve të Amonit, e Mahiri, biri i Amihelit, nga Lodabari, dhe Berzelai i Galaadas nga Rogelimi
28 i sollën shtroja, mbulesa, gota, enë dheu, grurë, elb e miell, grurë të pjekur, qiqër, thjerrë,
29 mjaltë, gjalp, dele e viça të majmë. Ia dhanë Davidit dhe popullit që ishte me të, për t’i ngrënë. Ua kishte marrë mendja se populli ishte lodhur nga uria e mundi në shkretëtirë.