< 2Sam 18 2Sam 20 >
Lexim prej librit të dytë të Samuelit(2Sam 19)
19

1 U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: “Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd! Absalom, biri im, biri im”!

2 E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin.

3 Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: “Mbreti po e qan djalin e vet”.

4 Atë ditë ushtria u kthye fshehtazi në qytet, ashtu siç hyn fshehtas ushtria e turpëruar kur ikën prej luftës.

5 Mbreti e kishte mbuluar fytyrën e vet e thërriste me gjithë zë: “Biri im, Absalom; Absalom, biri im, biri im”!

6 Atëherë Joabi hyri te mbreti në shtëpi e tha: “Sot ua more fytyrën të gjithë shërbëtorëve të tu që sot ta shpëtuan jetën tënde dhe jetën e djemve, të vajzave, të grave e të shemrave të tua.

7 I do ata që të urrejnë e i urren ata që të duan. Sot e dëftove se nuk ke kujdes për prijësit e tu e për ushtarët e tu. Me të vërtetë tani po e kuptoj se ty do të të pëlqente të vdisnim të gjithë ne, mjaft që të ishte gjallë Absalomi!

8 Prandaj ngrihu tani, dil e folu ushtarëve të tu, se përndryshe po të përbetohem me Zotin, nëse nuk del, asnjë sonte nuk do të mbesë me ty dhe kjo e keqe do të jetë për ty më e madhe se të gjitha të këqijat që të kanë ndodhur prej rinisë sate e deri më sot”!

9

Atëherë mbreti u ngrit dhe erdhi e u ul te dera. Lajmëtari i shpalli mbarë ushtrisë se mbreti është ulur te dera e qytetit. Mbarë ushtria u afrua te mbreti.

@@@

Izraelitët kishin ikur secili në çadrën e vet.

10 Të gjithë izraelitët grindeshin nëpër fiset e tyre e thoshin: “Mbreti na ka çliruar nga duart e armiqve tanë, ai na shpëtoi nga duart e filistenjve; e tani iu desh të ikë nga vendi prej Absalomit.

11 Por Absalomi, të cilin ne e shuguruam për mbretin tonë, ai u vra në luftë. Çfarë prisni tani që nuk e ktheni mbretin”? Këto fjalë të të gjithë izraelitëve arritën deri te mbreti në shtëpinë e tij.

12 Atëherë mbreti David dërgoi t’u thuhej priftërinjve Sadokut e Abiatarit: “Thoniu krerëve të Judës kështu: ‘Pse jeni të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e vet?

13 Ju jeni vëllezërit e mi, jeni ashti im e mishi im, a të fundit do ta ktheni mbretin’?

14 E Amasës m’i thoni: ‘A nuk je ti ashti im e mishi im’? Kështu e kështu ma bëftë mua Zoti e edhe më zi, nëse ti s’do të jesh komandanti i ushtrisë sime për sa të jesh gjallë në vend të Joabit’”!

15 Dhe i përfitoi zemrat e të gjithë burrave të Judës si të një burri të vetëm. Këta dërguan njerëz te mbreti e i thanë: “Kthehu ti dhe të gjithë njerëzit e tu”.

16 U kthye, pra, mbreti e arriti te Jordani. Arritën në Galgalë edhe judenjtë për ta takuar mbretin e për ta kaluar përtej Jordanit.

17 Semei, biri i Gerës, beniaminas prej Bahurimit, nxitoi dhe zbriti bashkë me trimat e Judës për ta pritur mbretin David.

18 Me të ishin një mijë burra beniaminas dhe Siba, shërbëtori i shtëpisë së Saulit, pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe të njëzet shërbëtorët e tij. Ata shpejtuan e ranë në Jordan para mbretit,

19 i kishin kaluar vatë për ta kaluar në anë tjetër familjen e mbretit e për të bërë çka t’i pëlqente mbretit. Semei, biri i Gerës, i përkulur para mbretit, kur po donte të kalonte Jordanin,

20 i tha: “Imzot, mos ma merr për faj të keqen dhe të mos i bjerë ndër mend fyerja e shërbëtorit që i bëra Imzotit ditën kur doli imzot mbreti prej Jerusalemit. Le ta harrojë zotëria im, mbreti.

21 Sepse unë, shërbëtori yt, e pranoj fajin tim dhe prandaj erdha i pari prej gjithë shtëpisë së Jozefit sot dhe zbrita në takim të zotërisë tim mbretit”.

22 Por u përgjigj Abisai, biri i Sarvisë, e tha: “A thua Semei nuk e meriton vdekjen pse e ka nëmur të shuguruarin e Zotit”?

23 Por Davidi u përgjigj: “Ç’punë keni me mua ju, o bijtë e Sarvisë, që sot po më nxitni të bëj keq? Po a bën të vritet sot ndonjë izraelit? Mu sot kur po shoh se përsëri jam mbreti i Izraelit”?

24 Dhe mbreti i tha Semeit: “Ti s’do të vritesh!”, dhe iu përbetua.

25 Po edhe Meribaali, nipi i Saulit, doli ta presë mbretin. Nuk i kishte larë këmbët, nuk i kishte prerë thonjtë, nuk e kishte qethur mjekrrën as i kishte larë petkat e veta prej ditës që mbreti e kishte lëshuar qytetin deri në ditën kur u kthye shëndoshë e mirë.

26 Kur i doli para prej Jerusalemit në takim mbretit, mbreti i tha: “Meribaal, pse nuk erdhe me mua?”

27 Ai iu përgjigj: “O mbret, zotëria im, më gënjeu shërbëtori im! Në të vërtetë, unë shërbëtori yt, i pata thënë: Po e shaloj gomarin dhe po shkoj me mbretin, sepse unë, shërbëtori yt jam i çalë.

28 Ai për më tepër i është shpifur shërbëtorit tënd para zotërisë tim, mbretit. Porse ti, Imzot o mbret, je porsi engjëlli i Hyjit: bëj gjithë si të të pëlqejë ty me mua.

29 Sepse mbarë familja e tim eti nuk ka merituar tjetër para zotërisë tim mbretit përveç vdekjes; porse ti më vure mua, shërbëtorin tënd, me ata që hanë në tryezën tënde. Po a kam unë më ndonjë të drejtë? Ç’do të kisha unë t’i ankohesha mbretit”?

30 Prandaj mbreti i tha: “S’është nevojë të shtosh të tjera fjalë. Unë e kam caktuar: Ti e Siba ndani pronat”!

31 Meribaali iu përgjigj mbretit: “Le t’i marrë të gjitha, në dashtë, pasi imzot mbreti u kthye në shtëpinë e vet shëndoshë e mirë”!

32 Po ashtu zbriti prej Rogelimit Berzelai i Galaadit. Ai e kaloi bashkë me mbretin Jordanin për t’u përshëndetur e për t’u ndarë nga mbreti në Jordan.

33 Berzelai Galaadas ishte shumë i moshuar: ishte tetëdhjetëvjeçar. Derisa mbreti po qëndronte në Mahanaim, ky i kishte sjellë mbretit ushqime: ishte njeri shumë i pasur.

34 Mbreti i tha Berzelait: “Eja me mua dhe unë do të të mbajë në Jerusalem.”

35 Por Berzelai iu përgjigj mbretit: “Po edhe sa vjet jete më mbesin që të vij unë me mbretin në Jerusalem?

36 Unë jam sot tetëdhjetëvjeçar! A thua mund të dallojnë tanimë shqisat e mia të ëmblën nga e hidhura? A thua mund ta kënaqë shërbëtorin tënd haja e pija? A thua mund të dëgjoj më zërin e këngëtarëve e të këngëtareve? Përse shërbëtori yt do t’i bëhej barrë më tutje zotërisë tim mbretit?

37 Po eci, shërbëtori yt, me ty edhe pak prej Jordanit. Pse të ma japë mbreti një shpërblim të tillë?

38 Por, po të lutem, unë shërbëtori yt, që të kthehem e të vdes në qytetin tim aty afër varrezës së tim eti e sime nënë. Por ja, shërbëtori yt Kamaami: le të vijë ai me ty, imzot mbret, e bëji atij çka të të pëlqejë”.

39 E mbreti tha: “Le të vijë, pra, me mua Kamaami e unë do të bëj për të gjithçka të të pëlqejë ty. Gjithçka të më kërkosh për të, për hatrin tënd, do t’ia plotësoj”.

40 Kur e kaloi Jordanin mbarë populli bashkë me mbretin, mbreti u përqafua me Berzelain dhe e bekoi. Ai u kthye në vendin e vet.

41 Mbreti e vazhdoi kështu rrugën drejt Galgalës e Kamaami udhëtonte me të. Mbretin e përcillte mbarë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit.

42 Kur ja, mbarë izraelitët u bashkuan e dolën para mbretit. I thanë: “Pse vëllezërit tanë, bijtë e Judës, të vodhën dhe e kaluan mbretin tonë, mbarë familjen e tij përtej Jordanit dhe të gjithë njerëzit që qenë me Davidin”?

43 Judenjtë iu përgjigjën izraelitëve: “Sepse e kemi më afër mbretin. Pse po hidhëroheni për këtë gjë? A mos hëngrëm gjë prej mbretit, apo na u dhanë farë dhuratash”?

44 Atëherë izraelitët iu përgjigjën judenjve: “Dhjetë pjesë të mbretit na përkasin neve në mbretin, këndej edhe në Davidin. Pastaj ne jemi të parëlindurit. Pse na përbuzët? Po a nuk qemë ne të parët që kërkuam të kthehet mbreti ynë”? Por fjalët e Judës ishin më të rënda se fjalët e burrave të Izraelit.



Fjala e Zotit