1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Hyr te faraoni! Unë e bëra gur zemrën e tij e zemrën e shërbëtorëve të tij që t’i bëj ndër ta këto mrekulli të mia,
2 që të mund t’ia tregosh djalit tënd dhe nipave të tu sa herë i shtrëngova egjiptianët e sa mrekulli bëra kundër prej tyre, që ta dini se unë jam Zoti”.
3 Hynë, pra, Moisiu dhe Aroni te faraoni dhe i thanë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: ‘Deri kur nuk do të më nënshtrohesh? Lëshoje popullin tim të më bëjë fli!
4 Por nëse kundërshton dhe nuk do ta lëshosh: ja, unë nesër do t’i sjell karkalecat brenda kufijve të tu.
5 Ata do ta mbulojnë sipërfaqen e tokës aq sa as trualli nuk do të shihet: do të përpijnë gjithçka që mbeti pas breshrit; do t’i zhveshin të gjitha lëndët që bulojnë në fushë.
6 Do t’i mbushin shtëpitë e tua, shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe të të gjithë egjiptianëve, një mori që kurrë nuk e panë as etërit dhe të parët e tu, që kur u zu froni i tyre e deri në ditën e sotme’”. Ia ktheu shpinën dhe doli prej faraonit.
7 Faraonit i thanë shërbëtorët e tij: “Deri kur do ta durojmë këtë kurth? Lëshoj njerëzit t’i bëjnë fli Zotit, Hyjit të tyre! A nuk po sheh se do të mbarojë Egjipti”?
8 Çuan dhe i thirrën Moisiun e Aronin. Faraoni u tha: “Shkoni e flijoni Zotit, Hyjit tuaj! Kush janë ata që duhet të shkojnë”?
9 Moisiu tha: “Do të shkojmë me fëmijët dhe me pleqtë tanë: me djem e me vajza, me bagëti të imëta e me bagëti të trasha: ne kemi festën e Zotit”!
10 Ai u përgjigj: “Ashtu e paçi në ndihmë Zotin, siç do t’ju lëshoj unë të shkoni me fëmijët tuaj! Kush dyshon se ju nuk mendoni zi e më zi?
11 Jo, s’do të bëhet ashtu! Por, shkoni vetëm ju burrat e bëni fli Zotit! Po këtë ju edhe vetë e kërkuat”. Dhe menjëherë i qitën jashtë prej pranisë së faraonit.
12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën tënde mbi Egjipt që të vijnë karkalecat, ta mbulojnë atë dhe le ta hanë krejt barin: gjithçka shpëtoi prej breshrit”.
13 Moisiu e shtriu shkopin përmbi dheun e Egjiptit dhe Zoti e solli erën e ngrohtë gjithë ditën e gjithë natën. Kur zbardhi drita, era djegëse i ngrehi në ajër karkalecat.
14 Ata e mbuluan skaj më skaj mbarë dheun e Egjiptit dhe u lëshuan me shumicë të atillë që s’qenë parë deri në atë kohë dhe nuk do të shihen as në të ardhmen.
15 E mbuluan tërë sipërfaqen e tokës dhe e nxinë tokën. Kështu, pra, e përpinë të gjithë barin e tokës, të gjitha frutat e pemëve që kishin shpëtuar prej breshrit: nuk shpëtoi asgjë e blertë as në lëndë as në bar në mbarë dheun e Egjiptit.
16 Për këtë arsye faraoni thirri me nxitim Moisiun e Aronin dhe u tha: “Mëkatova kundër Zotit, Hyjit tuaj, dhe kundër jush!
17 Por, tani ma falni mëkatin edhe këtë herë dhe lutuni Zotit, Hyjit tuaj, të ma heqë së paku këtë shuplakë vdekjeprurëse”.
18 Moisiu, si u largua prej faraonit, iu lut Zotit,
19 i cili çoi një erë shumë të fortë prej perëndimit që i përmblodhi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq: s’mbeti as edhe një në mbarë dheun e Egjiptit.
20 Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ky nuk i lëshoi bijtë e Izraelit.
21 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Çoje dorën tënde drejt qiellit dhe le të bjerë terri mbi dheun e Egjiptit, terr aq i dendur sa të mund të preket!”
22 Moisiu e çoi dorën drejt qiellit dhe ra një errësirë e tmerrshme për tri ditë rresht mbi mbarë dheun e Egjiptit.
23 Askush nuk mundi ta shohë askënd për tri ditë dhe askush s’luajti për ato ditë prej vendit. Kurse, gjithkund ku banonin bijtë e Izraelit, ishte dritë!
24 Atëherë faraoni e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: “Shkoni e bëni fli Zotit! Lini vetëm bagëtitë e imëta e të trasha, kurse fëmijët tuaj, le të vijnë me ju”!
25 Moisiu i tha: “Po edhe të na i jepshe ti kushtet dhe flitë e shkrumbimit për t’ia kushtuar Zotit, Hyjit tonë,
26 megjithatë edhe grigjat tona duhet të vijnë me ne. Nuk do të mbetë prej tyre asnjë këmbë e vetme berri, sepse prej tyre do të marrim, sa është e domosdoshme për kultin e Zotit, Hyjit tonë. Aq më tepër kur nuk dimë se çka duhet të flijohet, derisa të arrimë në vendin e caktuar”.
27 Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t’i lëshojë.
28 Atëherë faraoni i tha: “Largohu këndej! Ruaju se më del më para sysh! Kurdo që do të marrësh guxim të dalësh para meje, do t ë vdesësh”!
29 Moisiu iu përgjigj: “Mirë e ke! S’do ta shoh më kurrë fytyrën tënde”!