< Dal 10 Dal 12 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 11)
11

1 Zoti i tha Moisiut: “Vetëm edhe me një plagë do ta godas faraonin e Egjiptin, atëherë po se do t’ju lërë të shkoni, madje edhe do t’ju shtrëngojë të dilni.

2 Prandaj thuaj mbarë popullit që secili njeri të kërkojë prej të afërmit të vet dhe secila grua prej të afërmes së saj enë argjendi dhe ari.

3 Vetë Zoti do të bëjë që egjiptianët të kenë ndjenja të mira ndaj popullit të Izraelit. Po edhe vetë Moisiu ishte njeri shumë i madh në dheun e Egjiptit në sy të ministrave të faraonit dhe të mbarë popullit.

4 Moisiu atëherë kumtoi: “Kështu thotë Zoti: ‘Rreth mesnate do t’i bie anembanë Egjiptit.

5 Do të vdesë çdo i parëlindur në dheun e Egjiptit: prej të parëlindurit të faraonit që rri në fronin e tij deri tek i parëlinduri i shërbëtores që është pranë mokrës edhe të gjithë të parëlindurit e bagëtive.

6 Do të bëhet një gjëmë tejet e madhe në dheun e Egjiptit, aq e madhe saqë e tillë nuk qe më parë, as nuk do të ngjasë më vonë.

7 Kurse ndër bijtë e Izraelit nuk do të lehë qen as në njeri as në bagëti që ta dini se me ç’mrekulli të madhe do t’i ndajë Zoti egjiptianët prej izraelitëve.

8 Atëherë do të zbresin tek unë të gjithë këta shërbëtorë të tu dhe do të përkulen para meje e do të thonë: ‘Dil ti dhe populli që të ndjek. ‘Atëherë unë do të dal’”! Moisiu i zemëruar për së tepërmi doli prej faraonit.

9 Zoti i tha Moisiut: “Faraoni nuk do t’ju dëgjojë, për t’u shumuar mrekullitë e mia në dheun e Egjiptit”.

10 Moisiu e Aroni i kishin bërë të gjitha këto mrekulli në sy të faraonit. Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit prej dheut të vet.



Fjala e Zotit