1 Zoti i tha Moisiut:
2 “Ndaje për mua çdo të parëlindur ‑ frytin e parë të kraharorit të nënës së bijve të Izraelit, qoftë të njerëzve qoftë të kafshëve shtëpiake: mua më përkasin”!
3 Atëherë Moisiu i tha popullit: “Mbajeni mend këtë ditë, në të cilën dolët prej Egjiptit ‑ prej shtëpisë së skllavërisë! Sepse Zoti ju nxori me dorën e vet të fortë prej atij vendi: ruhuni se hani bukë të mbrume!
4 Sot ju po dilni prej Egjiptit, në muajin e Abibit /d. m. th. Të Frutave të para/.
5 Atëherë, kur Zoti të bëjë të hysh në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Heveut dhe të Jebuseut, që me përbetim u zotua etërve të tu se do ta japë ty, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë,
‑ në këtë muaj kremtoje këtë rit të shenjtë:
6 Për shtatë ditë ha bukë të pabrumë.
Të shtatën ditë le të jetë festë në nder të Zotit .
7 Për shtatë ditë hani bukë të pabrumë:
‑ të mos ketë te ti assesi bukë të mbrume
‑ dhe të mos shihet askund në kufijtë e tu brumë!
8 ‑ Mësoje fëmijën tënd atë ditë e thuaj:
‘Bëj kështu për atë që Zoti bëri për mua kur dola prej dheut të Egjiptit.’
9 ‑ Kiji porsi shenjë në dorën tënde, porsi përmendore ndër sy të tu në mënyrë që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në gojën tënde. Sepse Zoti të nxori prej Egjiptit me dorë të fuqishme!
10 ‑ Zbatoje këtë rit vjet për vjet në kohën e caktuar”!
11 “Kur Zoti të fusë në dheun e Kananeut, siç t’u përbe ty dhe etërve të tu, dhe ta ketë dhënë,
12 ndaje për Zotin çdo të parëlindur të kraharorit të nënës, dhe pjellën e parë të bagëtive: e ç’të jetë mashkull: kushtoja Zotit.
13 Zogun e gomarit shpaguaje me një kokë berri. Nëse nuk e shpërblen, mbyte! Çdo të parëlindur njeriu të bijve të tu shpërbleje!
14 E kur yt bir të pyesë nesër: ‘Pse kështu?’ ‑ u përgjigj: ‘Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit ‑ prej shtëpisë së skllavërisë.
15 Sepse, kur u gurua faraoni e nuk deshi të na lëshojë, Zoti i vrau të gjithë të parëlindurit e dheut të Egjiptit ‑ prej të parëlindurve të njerëzve deri te të parëlindurit e bagëtive. Prandaj ia kushtoj Zotit çdo fryt të parë të kraharorit të nënës që është mashkull dhe i shpërblej të gjithë të parëlindurit e bijve të mi.
16 Ky rit le të shërbejë si shenja përkujtuese në dorë, porsi jetulla ndër sytë tu se Zoti na nxorri me dorë të fuqishme prej dheut të Egjiptit”.
17 Kur faraoni e lëshoi popullin të shkojë, Hyji nuk i priu drejt dheut të filistenjve, edhe pse rruga ishte më e shkurtër, duke menduar se ndoshta populli do të pendohet kur të shohë se do t’i duhet të luftojë dhe do të kthehet në Egjipt.
18 Por i solli udhës së shkretëtirës, që është në drejtim të Detit të Kuq. Bijtë e Izraelit, të armatosur mirë, dolën prej dheut të Egjiptit.
19 Moisiu i mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky i kishte përbetuar bijtë e Izraelit duke u thënë: “Hyji do t’ju vijë patjetër në pasi. Merrni prej këndej me vete eshtrat e mi”.
20 Ata u nisën prej Sukotit dhe ngulën zemërimiën në Etam, në skaj të shkretëtirës.
21 Vetë Zoti shkonte para tyre për t’u dëftuar rrugën, ditën në shtyllë reje e natën në shtyllë zjarri që t’u printe ditën e natën.
22 Popullit kurrë nuk iu zhduk ditën shtylla e resë e natën shtylla e zjarrit.