< Dal 17 Dal 19 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 18)
18

1 E Jetroja, prifti i Madianit, vjehrri i Moisiut, kur dëgjoi gjithçka Hyji kishte bërë për Moisiun dhe popullin e tij Izraelin, dhe se si Zoti e kishte nxjerrë Izraelin prej Egjiptit,

2 e mori Seforën, gruan e Moisiut ‑ kjo ndodhi pasi Moisiu e kishte kthyer në gjini ‑

3 dhe dy bijtë e saj: njëri prej tyre quhej Gersam, sepse Moisiu kishte thënë: “Jam i humbur në dhe të huaj”;

4 kurse tjetri, Eliezer: “Hyji i atit tim është ndihma ime, Ai më shpëtoi nga shpata e faraonit”.

5 Erdhi, pra Jetroja, vjehrri i Moisiut, me dy bijtë e me gruan e Moisiut te Moisiu në shkretëtirë, ku e kishte ngulur zemërimien përballë malit të Zotit.

6 I çoi fjalë Moisiut: “Unë, vjehrri yt Jetroja, gruaja jote dhe dy bijtë e tu, po vijmë te ti”.

7 Moisiu i doli para vjehrrit të vet; e përshëndeti me përkulje dhe e përqafoi. Pasi u pyetën për shëndet, hynë në tendë.

8 Moisiu i tregoi vjehrrit të vet gjithçka Zoti kishte bërë kundër faraonit e egjiptianëve për shkak të Izraelit, të gjitha vështirësitë që u ndodhën gjatë udhëtimit, prej të cilave Zoti i kishte shpëtuar.

9 Jetroja u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti u kishte bërë izraelitëve dhe që i kishte shpëtuar nga dora e egjiptianëve.

10 Ai tha: “Qoftë bekuar Zoti që ju liroi prej kthetrave të egjiptianëve e prej dorës së faraonit.

11 Tani po e marr vesh se Zoti është më i madh se të gjitha hyjnitë, pasi e nxori popullin prej duarve të egjiptianëve, që u sollën me ta mizorisht”.

12 Jetroja i kushtoi Hyjit fli shkrumbimi dhe fli të tjera. Atëherë erdhën Aroni dhe të gjithë pleqtë e Izraelit për të ngrënë bukë me të në praninë e Zotit.

13 Të nesërmen Moisiu u ul të gjykojë popullin e populli qëndronte para tij prej mëngjesit e deri në mbrëmje.

14 Kur pa Jetroja se çfarë hiqte për popullin, i tha: “Çfarë bënë ashtu me popull? Pse vetëm ti gjykon kurse mbarë populli qëndron para teje prej mëngjesit e deri në mbrëmje”?

15 Moisiu iu përgjigj: “Populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Hyjit.

16 Kur bien në ndonjë mosmarrëveshje, vijnë tek unë që t’i pleqëroj e u tregoj urdhërimet e Zotit dhe ligjet e tija”.

17 Jetroja i tha: “Mënyra si po veproke s’qenka e mirë.

18 Do të këputesh ti dhe populli që të qëndron përreth. Kjo punë është për ty tepër e rëndë, ti vetëm s’do të mund ta kryesh.

19 Tani më dëgjo e po ta jap një këshillë dhe Hyji do të jetë me ty. Ti qëndro para Hyjit në emër të popullit dhe paraqitja Hyjit çështjet.

20 Tregoju urdhërimet e ligjet, udhën nëpër të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë.

21 Atëherë zgjidh prej popullit njerëz të aftë e që e druan Hyjin, që e duan të vërtetën dhe e urrejnë ryshfetin dhe bëji krerë të popullit mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë,

22 e këta le ta sundojnë popullin në çdo kohë. Të gjitha çështjet e rënda le t’i shtrojnë para teje, kurse çështjet e rëndomta le t’i gjykojnë këta; kështu do ta kesh më lehtë pasi ta ndash barrën me të tjerët.

23 Nëse do të veprosh kështu, e Zoti do ta miratojë, do të mund t’i bësh ballë punës dhe mbarë populli do të kthehet në shtëpi i kënaqur”.

24 Moisiu e dëgjoi fjalën e vjehrrit dhe bëri gjithsa i këshilloi;

25 zgjodhi prej mbarë popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i bëri prijës të popullit: prijës mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë.

26 Këta e gjykonin popullin vazhdimisht. E kur ishte ndonjë çështje më e vështirë, ia paraqitnin atij, ata vendosnin vetëm mbi çështje më të lehta.

27 Pastaj Moisiu e la të shkojë vjehrrin, i cili u kthye për në vendin e vet.



Fjala e Zotit