< Dal 22 Dal 24 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 23)
23

1 Mos i prano thashethemet e rreme. Mos i ndihmo keqbërësit duke dëshmuar për të rrejshëm.

2 Mos e ndiq shumicën për të vepruar të keqen, as mos dëshmo në gjyq duke i mbajtur krah shumicës për t’iu shmangur drejtësisë.

3 Mos e përkrah në gjyq as varfanjakun.

4 Po hase në kaun ose në gomarin e humbur të armikut, çoja.

5 Po e pe gomarin e atij që të urren të rrëzuar nën barrë, mos kalo, por ngrite bashkë me të.

6 Mos ia gjymto të drejtën varfanjakut tënd në gjyq.

7 Iki gënjeshtrës. Mos e vra të pafajshmin dhe të drejtin, sepse jam kundër keqbërësit.

8 Mos prano dhurata, sepse ato i verbojnë edhe të urtët e i përmbysin të drejtat e të drejtit.

9 Mos e nëpërkëmbni të ardhurin, sepse e njihni jetën e ardhacakut; edhe ju keni qenë ardhacakë në dheun e Egjiptit”.

10 “Gjashtë vjet mbille tokën tënde e mblidhi frytet,

11 kurse të shtatin vit lëre djerr të pushojë që ta shfrytëzojnë të varfërit e popullit tënd dhe çfarë të teprojë le ta hanë kafshët e egra. Po kështu vepro edhe me vreshtin e ullishtën tënde.

12 Puno gjashtë ditë. Të shtatën ditë mos puno, që të pushojë kau e gomari yt, të marrë frymë djali i shërbëtores sate dhe i huaji.

13 Kini kujdes për të gjitha që ju kam thënë. Mos e thirrni në ndihmë emrin e hyjnive të huaja: as mos të dëgjohet prej gojës sate”.

14 “Tri herë në vit festo në nderin tim:

15 Kremtoje festën e të Pabrumeve: ha bukë të pabrume gjatë shtatë ditëve, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib, kur dole prej Egjiptit.

Askush të mos dalë para meje me duar zbrazët.


16

Festo të kremten e Korrjes të fryteve të para që japin arat që të kesh mbjellë; po ashtu edhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur t’i kesh bashkuar të gjitha prodhimet e tua të fushës.

17 Tri herë në vit çdo mashkull yti le të paraqitet para Zotit Hyj.

18 Gjakun e therores sime mos e flijo me bukë të brume; as mos e ruaj dhjamin e të kremtes sime për të nesërmen.

19 Më të mirat ndër frytet e para të tokës sate çoj në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.

Ruaj se zien edhin në qumështin e s’ëmës”.

20 “Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vendin që kam përgatitur.

21 Ki nderim për të dhe dëgjoje. Mos i kundërshto, sepse nuk do të falë në qoftë se mëkatoni, sepse në të është Emri im.

22 Nëse do ta dëgjosh zërin e tij e nëse do të bësh gjithçka them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.

23 Engjëlli im do të prijë e do të shtjerë në dheun e Amorreut, të Heteut, të Ferezeut, të Kananeut, të Heveut e Jebuseut. Unë këta do t’i asgjësoj.

24 Ruaju se i adhuron hyjnitë e tyre e ruaj se u shërben. Mos bëj si bëjnë ata, por rrënoji hyjnitë e copëtoji gurngulët e tyre.

25 Shërbejini Zotit, Hyjit tuaj, e unë do ta bekoj bukën tënde e ujin tënd e do t’i largoj prej gjirit tënd sëmundjet.

26 Asnjë grua në vendin tënd nuk do ta qesë fëmijën, asnjë nuk do të jetë beronjë. Do të bëj ta plotësosh numrin e ditëve të tua.

27 Si pararendësin tënd do ta dërgoj tmerrin tim e do ta pështjelloj çdo popull tek i cili do të hysh dhe të gjithë armiqtë e tu do t’i shtrëngoj ta kthejnë shpinën para teje,

28 do të dërgoj më parë grethat që t’i vënë në ikje Heveun, Kananeun e Heteun para se ti të hysh në dheun e tyre.

29 Nuk do t’i dëboj para teje brenda një viti që të mos bëhet toka e shkretë e të shtohen në dëmin tënd egërsirat e malit.

30 Pak nga pak do t’i dëboj para teje derisa të shumohesh e të jesh i zoti ta zotërosh tokën.

31 Do t’i vë kufijtë e tu prej Detit të Kuq deri në det të Filistenjve e prej shkretëtirës deri në Lumë. Në duart tuaja do t’i lëshoj banorët e vendit dhe do t’i largoj prej fytyrës tuaj.

32 Mos bëj besëlidhje me ta, as me hyjnitë e tyre.

33 Të mos banojnë në tokën tënde që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje: sepse ti do t’u shërbeje hyjnive të tyre e kjo do të ishte kurth për ty”.



Fjala e Zotit