< Dal 24 Dal 26 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 25)
25

18 Moisiu u fut në re dhe u ngjit në mal. Qëndroi atje dyzet ditë e dyzet net.

1 Zoti i tha Moisiut:

2 “Thuaju bijve të Izraelit të më sjellin dhurata. Pranoni prej secilit njeri që i jep vullnetarisht.

3 Merrni këto dhurata: ar, argjend dhe bronz,

4 pëlhurë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur, li të tjerrë dhe lesh dhie,

5 lëkura të regjura deshësh të ngjyrosura kuq, lëkura delfini e dru akacie,

6 vaj për ndriçim, erëra të mira për vajra lyerjeje e kemimi të erëndshëm,

7 gurë oniksi dhe të tjerë gurë të paçmueshëm për të stolisur shpinoren dhe parzmoren.

8 Le të ma punojnë Shenjtëroren që të mund të banoj në mesin e tyre.

9 Në ndërtimin e Banesës dhe të të gjitha gjërave që i përkasin kultit, duhet t’i ndërtoni pikë për pikë sipas gjedhes që do ta tregoj ty”.

10 “Le ta punojnë Arkën prej drurit të akacies: dy kutë e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë.

11 Praroje me ar të pastër përbrenda e përjashta; sipër bëji përreth një brez ari.

12 Shkrij për të katër rrathë ari dhe mbërthej në katër këmbët e arkës: dy rrathë në njërin krah e dy të tjerë në krahun tjetër.

13 Punoj gjithashtu edhe shtagat druri të akacies dhe veshi me ar;

14 atëherë shtjeri në rrathë që janë në krahët e Arkës që të mbaret në to.

15 Shtagat le të jenë gjithmonë në rrathë dhe të mos hiqen askurrë prej tyre.

16 Në Arkë brenda vendoje Dëshminë që do ta jap.

17 Punoje kapakun ‑ Pajtimoren prej arit të pastër: le të jetë e gjatë dy kutë e gjysmë e gjerë një kut e gjysmë.

18 Punoj edhe dy kerubinë të artë: farkoj në dy skajet e Pajtimores;

19 njëri kerubin të jetë në njërin skaj, e tjetri në tjetrin: mbërthej në dy skajet e Pajtimores, kështu që të përftojnë një tërësi.

20 Le t’i shtrijnë krahët përmbi që me krahët e tyre ta mbulojnë Pajtimoren; le të jenë fytyrë për fytyrë, me fytyrë mbi Pajtimoren,

21 me të cilën mbulohet Arka, në të cilën vendose Dëshminë që do ta jap ty.

22 Aty do të takohem me ty, e përmbi Pajtimoren ndërmjet dy kerubinëve që do të jenë mbi Arkën e Dëshmisë, do t’i jap të gjitha urdhërimet lidhur me izraelitët”.

23 “Punoje edhe një tryezë prej drurit të akacies të gjatë dy kutë, të gjerë një kut e të lartë një kut e gjysmë.

24 Praroje me ar krejtësisht të pastër e përreth punoje një brez ari.

25 Bëje pastaj buzën të gjerë katër gishta rreth e rreth e mbi të rreth e rreth një brez ari.

26 Punoj edhe katër rrathë të artë e vëri në katër këndet e tryezës te secila këmbë.

27 Përbri buzës do të jenë rrathët e artë për t’i futur nëpër ta shtagat për ta mbartur tryezën.

28 Edhe shtagat punoji prej drurit të akacies dhe veshi me ar. Me anë të tyre do të mbaret tryeza.

29 Puno edhe mashtka, gota, enë e kupa për t’i njomur kushtet; le të jenë prej arit të pastër.

30 Mbi tryezë vendosi bukët e kushtimit që të jenë në praninë time përgjithmonë”.

31 “Punoje edhe një shandan ari të kulluar. Shandani të jetë i farkuar. Baza e shtiza e tij, gotat e burbuqet dhe fletët le të jenë të shkrira një me të.

32 Të ketë gjashtë krahë: tre nga njëra anë e shtizës e tre nga ana tjetër.

33 Në njërin krah le të jenë tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e fletët; po ashtu edhe tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e gotat në krahun tjetër: kështu duhet të jenë të gjashtë krahët që dalin nga shtiza e shandanit.

34 Në vetë shtizën e shandanit të jenë katër gota në trajtë të lules së bajames po edhe burbuqet e fletët.

35 Çdo burbuqe nën dy krahët në tri vende e që janë gjashtë krahë që dalin nga e njëjta shtizë.

36 Burbuqet e krahët duhet të jenë një me shandanin që duhet të jetë i punuar prej arit të pastër, të farkuar.

37 Punoji edhe shtatë dritëza dhe vendosi mbi të që të ndiçojnë para tij.

38 Lotheqësit dhe lotpritësit e tyre le të jenë prej arit të kulluar.

39 Shandani me të gjitha pjesët përkatëse të tija le të jetë i rëndë një talent ari të kulluar.

40 Pra, kujdes, e punoje sipas gjedhes që të është dëftuar në mal”.



Fjala e Zotit