< Dal 28 Dal 30 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 29)
29

1 “Dhe, ja, si do të bësh për t’i shuguruar për priftërinë time: merre një mëzat dhe dy desh pa të meta,

2 bukë të pabrume dhe kuleç të pabrumë të ngjeshur në vaj po dhe pite të pabrume të lyera me vaj. Gatuaj me miell të bardhë gruri,

3 futi në shportë e kushtoj bashkë me mëzat e me dy deshtë”.

4 “Bjeri Aronin dhe bijtë e tij te dera e Tendës së takimit. Pasi t’i kesh larë atë e bijtë e tij me ujë,

5 veshe Aronin me petkat e tij, d. m. th. me këmishë, me gunën e shpinores, vëri shpinoren dhe parzmoren, të cilën shtrëgoja me lidhëzën e shpinores;

6 vëri kësulën në kokë dhe kezën e shenjtë ‑ shenjën e shugurimit mbi kësulë

7 dhe zbraz mbi kokën e tij vajin e shugurimit, dhe do të jetë i shuguruar.

8 Afroji edhe bijtë e tij dhe veshi me këmisha të linjta, ngjeshi me brez,

9 vëru kësulat dhe do të jenë priftërinj të mi me të drejtë të përhershme”.

@@@

“Pasi t’ua kesh mbushur duart me pushtet Aronit dhe bijve të tij,

10 sille mëzatin para Tendës së takimit. Atëherë Aroni dhe të bijtë le t’ia vënë duart mëzatit mbi kokë

11 e preje në praninë e Zotit në hyrje të Tendës së takimit.

12 Merr prej gjakut të mëzatit e me gishtin tënd vëre në brirë të lterit, kurse pjesën tjetër të gjakut zbraze nën lter.

13 Merre edhe tërë dhjamin e zorrëve dhe rizën e mëlçisë e dy veshkat me dhjamin që është mbi to dhe shkrumboji mbi lter si fli,

14 kurse mishin e mëzatit, lëkurën dhe jashtëqitjet e tija, digji përjashta zemërimiës, sepse është fjala për fli pendestare.

15 Pastaj merre njërin dash dhe mbi kokë të tij Aroni dhe bijtë e tij t’i vënë duart.

16 Atëherë preje e merre gjakun e tij e derdhe mbi lter gjithkund përreth tij.

17 Dashin preje copa‑copa, laja zorrët dhe këmbët e vëri mbi mishin e coptuar dhe mbi kokën e tij.

18 Atëherë digje mbi lter krejt dashin: është fli e bërë shkrumb në nder të Zotit, erë e këndshme, fli e djegur në zjarr në nder të Zotit.

19 Merre edhe dashin tjetër e mbi kokë të tij t’i vënë duart Aroni e bijtë e tij.

20 Preje dashin, merr prej gjakut të tij dhe lyeje bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij dhe pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë të tyre. Gjakun që tepron derdhe në lter gjithkund përreth.

21 Atëherë merr prej gjakut që do të mbesë në lter dhe prej vajit të shugurimit stërpike Aronin e petkat e tija, e me të bijtë e tij e petkat e tyre”.

22 “Merre pastaj dhjamin e dashit, bishtin dhe dhjamin rreth zorrëve, rizën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që i mbështjell ato dhe shpatullën e djathtë ‑ sepse është dashi i flijuar për shugurimin e priftërinjëve,

23 një bukë të rrumbullaktë, një kulaç në vaj dhe një pite prej shportës së pabrumeve që është e vënë në praninë e Zotit.

24 Vëri të gjitha në duar të Aronit e të bijve të tij e bëri t’i kushtojnë me sjellje të paraqitjes para Zotit.

25 Merri të gjitha prej duarve të tyre dhe digji mbi lter përmbi flinë e shkrumbimit, në erë të këndshme në praninë e Zotit: është fli i djegur në zjarr për Zotin.

26 Merre edhe gjoksin e dashit me të cilin hyri në shërbesë Aroni dhe kushtoje si fli paraqitjeje Zotit: kjo pjesë të takon ty.

27 Shenjtëroje gjoksin që qe paraqitur dhe shpatullën që qe kushtuar, të ndara nga dashi,

28 me të cilin hynë në shërbesë Aroni dhe bijtë e tij. Këto pjesë i takojnë Aronit dhe bijve të tij, e drejtë e pandryshueshme mbi bijtë e Izraelit përgjithmonë; sepse është shpërblim dhe do të mbetet shpërblim prej bijve të Izraelit për flitë e pajtimit, shpërblim i tyre që i takon Zotit.

29 Petkat e shenjta të Aronit u takojnë bijve të tij pas tij, që të shugurohen në to dhe duart e tyre të mbushen me pushtet në to.

30 Ai që prej bijve të tij do të bëhet kryeprift në këmbë të tij, që do të hyjë në Tendën e Takimit për të shërbesuar në shenjtërore, le t’i përdorë për shtatë ditë”.

31 “Merre pastaj dashin e shugurimit dhe zije mishin e tij në vendin e shenjtë.

32 Aroni e bijtë e tij le ta hanë mishin e këtij dashi dhe bukën që është në shportë në hyrje të Tendës së takimit.

33 Le të hanë prej atyre që shërbyen si fli pendestare që t’ju mbushen duart me pushtet e të shugurohen. S’guxon të hajë prej tyre asnjë i jashtëm.

34 Nëse mbetet mish prej flisë së shugurimit të priftërinjve ose prej bukës deri në mëngjes, digje: nuk guxohet të hahet, sepse është e shuguruar.

35 Bëj, pra, kështu gjithçka me Aronin e me bijtë e tij siç të kam urdhëruar. Gjatë shtatë ditëve vazhdo t’i shugurosh duart e tyre”.

36 “Çdo ditë flijoje një mëzat për shpërblim që duhet dhënë për mëkat; duke kushtuar fli shpërblimi për të do ta heqësh mëkatin prej lterit dhe lyeje që të shugurohet.

37 Shtatë ditë rresht kushto fli shpërblimi për lterin dhe shuguroje. Kështu lteri do të jetë tejet i shenjtë: e kushdo që ta prekë do të jetë i shenjtë”.

38 “Dhe, ja, çka do të kushtosh mbi lter: çdo ditë vazhdimisht nga dy qengja vjetakë,

39 njërin qengj në mëngjes e tjetrin në mbrëmje.

40 Kushtoje me qengjin e parë edhe një të dhjetën e ef-it miell të bardhë të ngjeshur me një të katërt të hin-it vaj të shtypur dhe një fli njomjeje me një të katërt të hin-it verë.

41 Kurse qengjin tjetër kushtoje në mbrëmje sipas ritit të flisë mëngjesore e të njomjes në erë të këndshme, fli të djegur në nder të Zotit,

42 le të jetë kjo fli shkrumbimi e përhershme brezni në brezni në hyrje të Tendës së takimit, në praninë e Zotit, ku do të takohem me ju për të biseduar me ty.

43 Këtu do të takohem edhe me bijtë e Izraelit e do ta shenjtëroj këtë vend me anë të lavdisë sime.

44 Do ta shenjtëroj edhe Tendën e takimit me lter dhe Aronin me të bijtë që të më shërbejnë si priftërinj.

45 Unë do të banoj ndër izraelitë e do të jem Hyji i tyre.

46 Atëherë ata do ta marrin vesh se jam unë Zoti, Hyji i tyre, që i nxora nga dheu i Egjiptit, që të banoj me ta ‑ unë Zoti, Hyji i tyre”.



Fjala e Zotit