< Dal 29 Dal 31 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 30)
30

1 “Punoje edhe lterin për djegien e kemit. Punoje prej drurit të akacies

2 një kut të gjatë, një kut të gjerë, d. m. th. katror ‑ të lartë dy kutë. Brirët e tij le të jenë një me të.

3 Veshe me ar të kulluar qoftë skarën e tij qoftë edhe anët rreth e rreth dhe brirët e tij. Bëja përreth një brez ari

4 dhe në brez punoja dy rrathë të artë për të dy anët e vëri në dy krahët që të kalohen nëpër ta shtagat për ta mbartur lterin.

5 Kurse shtagat punoji prej drurit të akacies e praroji.

6 Lterin vendoje para koltrinës që është e varur para Arkës së Dëshmisë, afër Pajtimores që ndryn Dëshminë, ku do të takohem me ty.

7 Mbi të Aroni le ta djegë temjanin e erëndshëm në mëngjes. Le ta ndezë kur përgatit dritëzat;

8 po edhe kur t’i ndezë ato në mbrëmje, le ta djegë kemin, që të jetë kemim i përhershëm para Zotit brez pas brezi ndër ju.

9 Mos kushtoni në të as temjane të pashenjtëruara, as fli shkrumbimi, paraqitjeje, as njomjeje.

10 Aroni le ta kryejë njëherë në vit ritin e shpërblimit në brirët e tij me gjak të flisë që kushtohet për mëkat; le ta kryejë një herë në vit ritin e shpërblimit për lter. Bëni kështu në breznitë e ardhshme. Ky lter, tejet i shenjtë, do të jetë i kushtuar Zotit”.

11 Zoti foli me Moisiun dhe i tha:

12 “Kur t’i njehësh për t’i regjistruar bijtë e Izraelit, le t’i japë secili Zotit çmimin e shpërblimit për jetën e vet kur të shkruhet e s’do t’i gjejë ndonjë e keqe në ditë të regjistrimit.

13 Secili që e kap regjistrimi le të japë kaq: një gjysmë sikli ‑ sipas masës së shenjtërores, ku janë njëzet obola për një sikel. Kjo gjysmë sikli është paradhënie për Zotit.

14 Të gjithë ata që i kap regjistrimi ‑ prej njëzet vjetësh e përtej, duhet t’ia japin ndihmesë Zotit.

15 Pasaniku të mos japë më shumë e skamnori të mos japë më pak se gjysmë sikli kur të jepni paradhënien Zotit për shpërblim të jetës suaj.

16 Të hollat e nxjerra prej bijve të Izraelit për shpërblim, jepi në përdorim të Tendës së takimit. Le të jenë para Zotit si shenjë i përkujtimit të tyre e do të ketë mëshirë për jetën e tyre”.

17 Zoti foli me Moisiun e i tha:

18 “Punoje edhe legenin prej bronzit me fundësorin e tij prej bronzit për t’u larë. Vendoje ndërmjet Tendës së takimit e lterit. Qit në të ujë

19 e Aroni dhe bijtë e tij le t’i lajnë në të duart e këmbët (e tyre).

20 Kur do të hyjnë në Tendën e takimit le të lahen me ujë, që të mos vdesin. Po kështu edhe kur t’u duhet t’i afrohen lterit për shërbesë ose për të shkrumbuar flinë në nder të Zotit.

21 Le t’i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin: është rregullore e përhershme për të e për pasardhësit e tij brezni më brezni”.

22 Zoti foli me Moisiun

23 e i tha: “Merr erëra të mira të dorës së parë: të zgjedhur mirë, pesëqind sikla; cinamom të erëndshëm: gjysëm aqi: d. m. th. dyqind e pesëdhjetë sikla; e kallam erëmirë po aq: dyqind e pesëdhjetë sikla,

24 kanellë: pesëqind sikla ‑ me peshën e shenjtërores ‑ dhe një hin vaj ulliri.

25 Punoje prej këtyre vajin e shenjtë të lyerjes ‑ përzierje e erëndshme ‑ vepër e erëbërësit: ky të jetë vaji i shenjtë i shugurimit.

26 Me të lyeje Tendën e takimit dhe Arkën e dëshmisë,

27 tryezën dhe të gjitha veglat përkatëse të sajat, shandanin dhe veglat përkatëse të tija, lterin e kemimit

28 lterin e flive të shkrumbimit me veglat e tija përkatëse, legenin dhe fundësorin e tij.

29 Shenjtëroji të gjitha dhe do të jenë tejet të shenjta: e kushdo që do t’i prekë, do të jetë i kushtuar.

30 Lyeje kështu edhe Aronin e bijtë e tij dhe shuguroji që të ushtrojnë priftërinë time.

31 Thuaju edhe bijve të Izraelit: ky është vaji im për shugurim prej breznie në brezni.

32 Me të të mos lyhet assesi trupi i njeriut të thjeshtë dhe mos punoni tjetër vaj me këtë përmbajtje. Ky është i shenjtëruar dhe le t’ju jetë i shenjtë.

33 Njeriu që do të merrte guxim të punojë një gjë të kësaj përmbajtjeje ose të guxonte të lyejë trupin e ndonjë laiku, le të shfaroset prej popullit të vetë”.

34 Zoti i tha përsëri Moisiut: “Merr erëra të mira: storaks, oniks, galban të erëndshëm dhe kem të pastër në pjesë të barabarta.

35 Punoje një përzierje erërash të mira si i bëjnë erëbërësit ‑ të kripur, të pastër e të shenjtë.

36 Pasi ta kesh grimcuar e bërë pluhur një pjesë prej saj, vëre para Dëshmisë në Tendën e takimit, ku do të takohem me ty: temjani të jetë për ju një gjë tejet e shenjtë.

37 Një përmbajtje të tillë mos e bëni për përdorimin tuaj: le ta kesh gjë të kushtuar Zotit.

38 Kush ta bëjë një gjë të tillë për t’ia shijuar erën e mirë, le të zhduket prej fisit të tij”.



Fjala e Zotit