< Dal 31 Dal 33 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 32)
32

1 Kur populli pa se Moisiu po vononte të zbresë nga mali, u bashkua te Aroni e i tha: “Ngritu e na i puno disa hyjni që të na prijnë! Nuk dimë se çfarë i ka ndodhur atij njeriu, Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit.”

2 Aroni u përgjigj: “Ua hiqni vathët e artë prej veshëve grave të bijve tuaj, e të bijave tuaja, e bini tek unë.”

3 Mbarë populli bëri siç i urdhëroi Aroni dhe ia solli vathët.

4 Pasi i mori këta dha të punohet me daltë trajta e viçit dhe me ta e punoi viçin e metaltë. Ata thanë: “Ja, hyjnitë e tua, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit.”

5 Kur pa Aroni dha të punohet një lter para trupores dhe me zë të zëdhënësit shpalli: “Nesër do të festojmë në nder të Zotit”.

6 Të nesërmen, mëkuan heret, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. Atëherë populli u ul të hajë e të pijë. Pastaj u ngrit të defrejë.

7 Por Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish.

8 E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!”

9 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull zverkngurrtë.

10 Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros e pastaj prej teje do të bëj një popull të madh”.

11 Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë?

12 Jo, të lutem, që të mos thonë egjiptianët: ‘I nxori me dredhi që t’i vrasë në male e t’i shfarosë nga toka. ‘Le të qetësohet hidhërimi yt dhe dëftohu i mëshirshëm mbi të keqen e popullit tënd.

13 Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, për të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’”.

14 Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.

15 Moisiu u kthye dhe zbriti prej malit me dy rrasat e Dëshmisë në dorë, të shkruara në të dy anët,

16 vepër e Hyjit; edhe shkrimi ishte i Hyjit, i gdhendur në rrasa.

17 Jozuehi dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste e i tha Moisiut: “Kushtrim lufte në zemërimië”!

18 Moisiu iu përgjigj:

“S’ është brohori ngadhënjyesish,

as vaj i të vënëve në ikje:

britmë këngëtarësh unë dëgjoj”!

19 Kur iu afrua zemërimiës pa viçin e vallet. Moisiu, i hidhëruar për së tepërmi, i hodhi prej dorës rrasat dhe i copëtoi në rrëzë të malit.

20 E kapi viçin që ata kishin punuar, e dogji në zjarr dhe e thërmoi dhe e bëri pluhur, pluhurin e qiti në ujë dhe i shtrëngoi izraelitët ta pinë.

21 Atëherë i tha Aronit: “Çfarë të ka bërë ky popull që e ngarkove me më të madhin mëkat?”

22 Ai iu përgjigj: “Mos m’u hidhëro, imzot. Ti e njeh mirë këtë popull se është i gatshëm të bëjë të keqen.

23 Ata më thanë: ‘Na i puno zotat që të na prijnë; nuk dimë se çfarë i ka ndodhur këtij Moisiu, njeriut që na nxori nga dheu i Egjiptit.’

24 Unë u thashë: ‘Kush prej jush ka ar? ‘E morën e ma prunë, unë e qita në zjarr dhe doli ky viç”.

25 E pa, pra, Moisiu se populli ishte i shfrenuar, sepse Aroni ia kishte lëshuar frerin aq sa ishte bërë lojë për kundërshtarët e tij.

26 Moisiu zuri vend në derë të zemërimiës dhe thirri: “Kush është për Zotin, le të vijë tek unë!” E rrethuan të gjithë bijtë e Levit.

27 Moisiu u tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Secili le ta ngjeshë në ijë shpatën e vet. Përshkojeni e ripërshkojeni zemërimiën derë më derë e le të vrasë secili vëllanë e mikun e të afërmin e vet’”.

28 Bijtë e Levit bënë gjithë si ju tha Moisiu: ranë vdekur prej popullit atë ditë rreth tri mijë njerëz.

29 Atëherë Moisiu u tha: “Sot iu kushtuat Zotit për shërbesë, kush me çmim të djalit, kush me çmim të vëllait të vet, që ta fitoni bekimin”.

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: “Keni bërë mëkat të madh fort. Unë po ngjitem te Zoti; kushedi, ndoshta mund të nxjerr me lutje falje për fajin tuaj”.

31 Moisiu u kthye te Zoti e u lut: “Vaj për mua! Ky popull bëri mëkat të madh: punuan zota të artë për vete! Por falja fajin kësaj herë...

32 ose, nëse nuk e fal, atëherë më shlyej mua prej librit tënd që ke shkruar”.

33 Zoti iu përgjigj: “Do ta shlyej prej librit tim atë që ka mëkatuar kundër meje.

34 Ti shko e çoje këtë popull ku të kam thënë. Para teje do të shkojë engjëlli im. Ditën, kur do të dua të ndërmarr masat e mia, do ta ndëshkoj edhe këtë mëkat të tyre”.

35 E Zoti e ndëshkoi popullin pse e kishte punuar viçin, të punuar prej Aronit.



Fjala e Zotit