< Dal 33 Dal 35 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 34)
34

1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Latoji dy rrasa guri si ato të parat e do të shkruaj mbi to fjalët që i patën rrasat që i theve.

2 Ji gati për nesër në mëngjes: nesër në mëngjes ngjitu në malin Sinai dhe qëndro atje në majë para meje.

3 Askush tjetër të mos ngjitet me ty, dhe të mos shihet njeri askund në mal, as bagëti të imëta e të trasha të mos kullotin përballë”.

4 Moisiu i latoi dy rrasa guri si të parat; u çua me natë e u ngjit në malin Sinai me dy rrasat në dorë siç i kishte urdhëruar Zoti.

5 Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, afër tij dhe e shpalli emrin e Zotit.

6 Zoti kaloi përpara tij e shpalli:

“Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë,

i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë,

7 që qëndron besnik me mijëra brezni,

që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin,

por nuk lë pa ndëshkuar asgjë;

që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë,

madje në nipa ‑ në të tretën e në të katërtën brezni”.

8 Moisiu ra vrik me fytyrë përdhe, adhuroi

9 e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, shtegto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurrtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde”.

10 Zoti u përgjigj: “Ja, unë po bëj besëlidhje: para mbarë popullit tënd, unë do të sendërtoj mrekulli që kurrë nuk janë parë mbi mbarë botën dhe në asnjë popull, që mbarë populli, në mesin e të cilit je, ta shohë veprën e tmerrshme të Zotit që do ta bëj me ty.

11 Pra, mbaj të gjitha që unë të urdhëroj sot. Dhe, ja, unë do ta dëboj para fytyrës sate Amorreun, Kanaaneun e Heteun, edhe Ferezeun e Heveun dhe Jebuseun.

12 Ruaju se lidh miqësi me banorët e vendeve ku do të hysh që të mos dalë për rrënimin tënd.

13 Por, rrënoji lterët e tyre, copëtoji gurngulët dhe banirët e tyre.

14 Mos adhuro zot të huaj: sepse Zoti i vërtetë quhet Zotëri Ziliqar, ‑ Hyji është ziliqar.

15

Mos lidh besëlidhje me njerëzit e atyre vendeve, që, kur lavirsohen ata me zotat e tyre e t’u kushtojnë fli, të mos thërrasë edhe ty ndonjëri e të hash prej flive të tyre.

16 Mos merr grua për bijtë e tu prej bijave të tyre, që, pasi ato të jenë lavirsuar me zotat e tyre, t’i bëjnë të lavirsohen edhe bijtë e tu me zotat e tyre.

17 Mos puno për ty zota metali të shkrirë.

18 Mbaje festën e të Pabrumeve: për shtatë ditë ha bukë të pabrume, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib; sepse në muajin e kohës pranverore dole prej Egjiptit.

19 Çdo i parëlindur mashkull, më përket mua; çdo i parëlindur qoftë i bagëtive të trasha qoftë i bagëtive të imëta, mua më përket.

20 Të parëlindurin e gomarit shpërbleje me një kokë bagëtie të imët. Në qoftë se nuk e shpërblen, përdridhja arrçin. Çdo të parëlindur të bijve të tu shpërbleje dhe mos u duk para meje duarthatë.

21 Gjashtë ditë puno, të shtatën ditë pusho; mos puno as në kohë të mbjellave as të korrjeve.

22 Festoje të Kremten e Javëve për frytet e para të korrjes së grurit ‑ dhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur bashkohen të gjitha prodhimet.

23 Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu le të paraqiten para Hyjit të Izraelit, Zotit të gjithëpushtetshëm.

24 Sepse, kur t’i shpronësoj kombet para teje e kur ta zgjeroj kufirin tënd, askush nuk do ta sulmojë tokën tënde, kur tri herë në vit të ngjitesh për t’u paraqitur në praninë e Zotit, Hyjit tënd.

25 Mos e flijo gjakun e flisë që ke caktuar për mua me asgjë që të ketë tharm; dhe asgjë prej flisë të kushtuar për të kremten e Pashkëve të mos mbesë deri në mëngjes.

26 Frytet e para të tokës sate çoji në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.

Mos e ziej edhin në qumështin e nënës së tij”.

27 Zoti i tha Moisiut: “Shkruaj këto fjalë, sepse në bazë të këtyre fjalëve e kam lidhur besëlidhjen me ty e me izraelitët”.

28 Moisiu qëndroi me Zotin dyzet ditë e dyzet net: as nuk hëngri bukë as nuk piu ujë dhe i shkroi në rrasa fjalët e Besëlidhjes ‑ dhjetë Fjalët.

29 Kur Moisiu zbriti nga mali Sinai i mbante dy rrasat e Dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit të tij me Zotin.

30 Kur Aroni e bijtë e Izraelit panë se prej lëkurës së fytyrës së tij dilnin rreze, patën frikë t’i afrohen.

31 Atëherë Moisiu i thirri Aronin e të gjithë krerët e bashkësisë e shkuan tek ai. E pasi bisedoi me ta,

32 erdhën edhe të gjithë izraelitët tek ai, dhe Moisiu u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti në malin Sinai.

33 Kur Moisiu e kreu bisedën me ta, ia qiti fytyrës një mbulesë, të cilën e hiqte kur hynte te Zoti e ndërsa bisedonte me Të, derisa dilte jashtë.

34 Kur dilte për t’u treguar izraelitëve çfarë i ishte urdhëruar,

35 izraelitët shihnin se prej lëkurës së fytyrës së Moisiut dilte dritë, por ai e mbulonte përsëri fytyrën e vet derisa nuk hynte të fliste përsëri me Zotin.



Fjala e Zotit