< Dal 34 Dal 36 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 35)
35

1 Moisiu e bashkoi mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit e u tha: “Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen:

2 gjatë gjashtë ditëve kryeni punët, e shtata ditë duhet të jetë për ju ditë e shenjtë, e shtunë, pushim i plotë në nder të Zotit. Kush të punojë në këtë ditë, le të vritet.

3 Ditën e shtunë as zjarr mos ndizni në banesat tuaja”.

4 Pastaj Moisiu i tha mbarë bashkësisë së i zraelitëve: “Ja çka ka urdhëruar Zoti:

5 ’Ndani prej pasurisë suaj ndihmesa për Zotin’.

Çdo zemërmirë e bujar le ta kushtojë vullnetarisht ndihmën e vet në nder të Zotit: ar, argjend e bronz,

6 pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë, lesh dhish,

7 lëkura deshësh të regjura e të ngjyrosura kuq dhe lëkura delfinësh, drurë akacie,

8 vaj për të ndriçuar e erëra të mira për të përgatitur vajin e shugurimit dhe temianin për kemim,

9 gurë oniksi e margaritarë për stolisje të shpinores e të parzmores.

10 Dhe të gjithë ata ndër ju që janë mjeshtër le të vijnë e le të bëjnë çka urdhëroi Zoti,

11 d. m. th. Banesën dhe Tendën e saj, mbulesën, komçet, dërrasat me shtagat, shtyllakët e bazat;

12 Arkën dhe shtagat, Pajtimoren dhe koltrinën që vihet për ta zënë atë;

13 tryezën me shtaga e me enë dhe me bukë të kushtimit;

14 shandanin për të mbajtur dritëzat, pjesët e tija përkatëse, llambat dhe vajin për të ushqyer llambat;

15 lterin e kemimit dhe shtagat e vajin e shugurimit dhe temianin e erëndshëm; koltrinën e derës së Banesës;

16 lterin e flive të shkrumbimit dhe skarën e tij bronzi me shtagat dhe me enët e tija, legenin dhe fundësorin e tij;

17 koltrinat e tremes me shtyllakët e me bazat dhe koltrinën në hyrje të tremes;

18 kunjat e Banesës dhe të tremes me kordelet e tyre;

19 petkat e qëndisura të shërbesës në shenjtërore, petkat e shenjta të Aronit prift si dhe petkat e bijve të tij që të ushtrojnë priftërinë time”.

20 Atëherë mbarë bashkësia e bijve të Izraelit u largua prej pranisë së Moisiut.

21 Atëherë secili që ishte bujar në zemër dhe që e nxiste shpirti, erdhi e solli me vullnetin e vet ndihmesën në nder të Zotit për të punuar Tendën e takimit dhe gjithçka është e domosdoshme për kult e për petka të shenjta.

22 Erdhën trima e gra e të gjithë sollën vullnetarisht mbërthecka, vathë, unaza, bylyzykë, gjerdana dhe stoli të ndryshme ari: u mblodhën si ndihmesë në nder të Zotit.

23 Kush kishte pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe ose të kuqe të mbyllur, li të tjerrë lesh dhish, lëkura deshësh të regjura, lëkura delfinësh,

24 ndonjë gjë argjendi ose bronzi, ia kushtuan Zotit. Po edhe ata që patën ndonjë dru akacie, e prunë për ndonjë nevojë ndërtimi.

25 Po edhe gratë mjeshtre në punimin e pëlhurës, sollën të gjitha vullnetarisht pëlhura që kishin punuar ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e li të tjerrë

26 dhe lesh dhish.

27 Krerët sollën gurë oniksi dhe margaritarë, për shpinoren e parzmoren,

28 erëra të mira dhe vajra për të rregulluar llambat dhe për të përpunuar vajin e shugurimit dhe për të përgatitur temian të erëndshëm.

29 Të gjithë izraelitët ‑ burra e gra me zemër bujare sollën ndihmesë për t’i kryer ato vepra që Zoti kishte urdhëruar nëpër Moisiun ‑ i sollën këto porsi ndihmesë vullnetare në nder të Zotit.

30 Pastaj Moisiu u tha bijve të Izraelit: “Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Beseleelin, birin e Uriut, të birit të Hurit, të fisit të Judës;

31 dhe e ka mbushur me shpirtin e Hyjit, e pajisi me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari:

32 të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz,

33 t’i presë margaritarët e t’i vendojë të gdhendë në dru, gjithçka i përket mjeshtrisë së farkëtarisë e të gdhendjes.

34 Po këtij dhe Ooliabit të birit të Ahisamehut, të fisit Dan, u dha edhe aftësinë t’i mësojnë edhe të tjerët.

35 I pajisi të dy me aftësi për të kryer me mjeshtri çdo punë të gdhendjes, të prestarisë, të qendisjes e të vekëtarisë të pëlhurave të ngjyrës vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e të lirit të tjerrë, janë të zotët të kryejnë çdo punë e të sendërtojnë të reja”.



Fjala e Zotit