< Dal 6 Dal 8 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 7)
7

1 Zoti i tha Moisiut: “Ja unë të bëra si hyjni për faraonin, kurse Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt.

2 Ti thuaji krejt si po të urdhëroj unë; kurse Aroni t’ia thotë faraonit që t’i lërë të shkojnë prej dheut të tij bijtë e Izraelit.

3 Por unë do ta nguroj zemrën e tij dhe do t’i shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia kundër dheut të Egjiptit.

4 Dhe ai nuk do t’ju dëgjojë. Unë do ta shtrij dorën time mbi Egjiptin duke e dënuar rreptë, do ta nxjerr armatën time, popullin tim, bijtë e Izraelit prej dheut të Egjiptit.

5 Pasi ta kem shtrirë dorën time përmbi Egjipt dhe pasi t’i kem nxjerrë bijtë e Izraelit prej mesit të tyre, atëherë egjiptianët do ta marrin vesh se unë jam Zoti”.

6 Kështu Moisiu dhe Aroni bënë krejt si u tha Zoti: po ashtu vepruan.

7 Moisiu kishte tetëdhjetë vjet, kurse Aroni kishte tetëdhjetë e tri, kur folën me faraonin.

8 Zoti i tha Moisiut e Aronit:

9 “Kur faraoni t’ju thotë: ‘Tregojeni shenjën!’ ti thuaj Aronit: ‘Merre shkopin tënd dhe hidhe para faraonit, dhe ai le të shndërrohet në shlligëz’!”

10 Si hynë, pra, Moisiu dhe Aroni, bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti: Aroni e hodhi shkopin para faraonit dhe ministrave të tij, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër.

11 Atëherë faraoni i grishi të dijshmit dhe dijetarët; po edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e veta bënë po ashtu.

12 Edhe ata i hodhën shkopinjtë e vet dhe ata u shndërruan në gjarpërinjë; porse shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e tyre.

13 Por zemra e faraonit iu ngurua dhe nuk deshi t’i dëgjojë ata po ashtu si kishte thënë Zoti.

14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “E patrandshme është zemra e faraonit: nuk do të lëshojë të shkojë populli.

15 Shko në mëngjes tek ai. Ja, ai do të dalë tek uji. Qëndro ballë për ballë mbi breg të lumit. Merre në dorën tënde shkopin që u shndërrua në shlligëz

16 dhe thuaj: ‘Zoti Hyji i hebrenjve më dërgoi te ti e më tha: Ma lësho popullin tim që të më bëjë fli në shkretëtirë. Por ti deri tani nuk deshe të dëgjosh.

17 Pra, kështu thotë Zoti: Me këtë do ta dish se jam Zoti: ja, do t’i sjell me shkop që kam në dorë ujit të lumit: dhe ky do të shndërrohet në gjak!

18 Peshqit që janë në lumë do të ngordhin, ujërat do të qelben dhe egjiptianëve do t’u neveritet të pinë ujin e lumit”.

19 Zoti i tha Moisiut edhe: “Thuaj Aronit: Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi përrenjtë, mbi kënetat dhe mbi të gjithë liqenet me ujë, që të shndërrohen në gjak. Kështu le të jetë gjak në mbarë dheun e Egjiptit, qoftë në enë druri qoftë në ato guri.”

20 Po kështu bënë Moisiu dhe Aroni si u kishte urdhëruar Zoti. E çoi lart shkopin, i ra ujit të lumit në praninë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. Uji u shndërrua në gjak.

21 Peshqit që ishin në Lumë, ngordhën, mbarë lumi u qelb. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Lumit. Mbarë dheun e Egjiptit e kishte përfshirë gjaku.

22 Po kështu vepruan edhe dijetarët egjiptianë me shortitë e tyre. Zemra e faraonit u ngurua dhe s’i dëgjoi ata, po ashtu si kishte thënë Zoti.

23 U ktheu shpinën, hyri në shtëpinë e vet dhe për këtë punë as që e çau ndopak kokën.

24 Mbarë egjiptianët hapën pusa përbri Lumit për të pirë, sepse nuk mund ta pinin ujin e Lumit.

25 U mbushën shtatë ditë pasi Zoti shtriu dorën e i ra Lumit.

26 Zoti i tha prapë Moisiut: “Hyr te faraoni dhe thuaj: ‘Kështu thotë Zoti: Lëshoje popullin tim të më flijojë!

27 Nëse nuk do ta lejosh të shkojë, ja, unë do ta ndëshkoj tërë dheun tënd me bretkoca.

28 Lumi do të vëlojë prej bretkocave, të cilat do të dalin dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde dhe në dhomën e shtratit tënd, madje përmbi shtratin tënd dhe në shtëpitë e ministrave të tu, në popullin tënd, në furrat e tua dhe në magjat e tua.



Fjala e Zotit